Pas mbjelljeve pranverore, tashmë fermerët në Shawan të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit të Kinës Veriperëndimore po merren me shtrimin e plastmasës për mbulimin e tokës ku rritet kultura e pambukut.

“Prova e vitit të kaluar e mbulimit të tokës me plastmasë e ngriti dukshëm rendimentin, duke i kontrolluar më mirë barërat e këqija dhe duke ruajtur temperaturën e lagështinë e përshtatshme për tokën. Si rezultat, rendimenti për mu (njësi matëse kineze për sipërfaqen e tokës, 1 hektar ka 15 mu), u shtua 30-50 kilogramë”, tha Han Bo, kryetar i një kooperative të makinerive bujqësore në Shawan. Han tregon se autoritetet vendore në zonat e prodhimit të pambukut në vargmalet Tianshan kanë nisur të përhapin teknika të reja, duke nisur që nga plastmasa që shtrohet tani, e cila është pak më e trashë. “Plastmasa e tanishme është 0.013 milimetra më e trashë dhe mbi 90 për qind e saj mund të rimblidhet pas sezonit të vjeljes për t’u përdorur sezonin tjetër. Kjo është jo vetëm ekonomike, por edhe e rëndësishme për të mbrojtur mjedisin,” shton Han.

Kina është prodhuesja numër 1 e pambukut në botë, e ndjekur nga India dhe ShBA-ja. Në vitin 2020 në Kinë u prodhuan gjithsej 5.95 milionë tonë pambuk, 87 për qind e së cilës në Xinjiang. Ky rajon që zë një të gjashtën e sipërfaqes së gjithë vendit, mbizotërohet kryesisht nga shkretëtirat (gati 95 për qind nga ajo e Gobit) dhe tokat shterpë. Por pikërisht këtu dhe me këto kushte klimatike, ndodhet vendi ideal për rritjen e pambukut. Dielli që ndriçon 2500 - 3500 orë në vit, si dhe dëbora që shkrin nga vargmalet e larta, e favorizojnë shumë kultivimin e pambukut. Megjithatë, temperaturat e larta dhe thatësira e madhe e ulin rendimentin e prodhimit të kësaj bime ekonomike. Prandaj përdorimi i plastmasës për të mbuluar tokën dhe bimët e mbjella është një metodë shumë e rëndësishme për të mbajtur dhe ruajtur lagështirën e nevojshme të dheut.

Pambuku me fibra të gjata që prodhohet në Xinjiang është një ndër më cilësorët në botë. Të dhënat statistikore tregojnë se 50 për qind e bujqve të këtij rajoni merren me prodhimin e pambukut, ndërsa 80 për qind e të ardhurave bujqësore të të gjithë Xinjiang-ut vijnë nga pambuku. Pikërisht rreth kësaj bime që ka rëndësi jetike për miliona banorë vendas, është formuar një sektor kyç për zhdukjen e varfërisë.

Që nga vitet ’80 të shekullit të kaluar, qeveria kineze ka angazhuar forca të shumta studimore për rritjen e prodhimit të pambukut në Xinjiang. Pas përpjekjeve prej disa dekadash, teknikat e reja arritën të shfrytëzoheshin në gjithë zinxhirin e prodhimit, që nga kultivimi i farërave, ujitja me pikim nën plastmasë, kontrolli i saktë i plehrave kimike, metodat kundër insekteve, vjelja me makineri etj. Tani, krahas zhvillimit teknologjik dhe infrastrukturor, niveli i mekanizimit është ngritur më tej, duke u zgjeruar deri te mbjellja. Sipas monitorimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Punëve Rurale, mekanizimi bujqësor modern tani është përhapur gjerësisht në rritjen e pambukut në Xinjiang.

“Në saje të shfrytëzimit të sistemit të navigimit satelitor ‘BeiDou’, puna ime është lehtësuar shumë në krahasim me vitet e mëparshme”, tregon Remtla Tokhtniaz, një drejtues makine bujqësore nga fshati Tuanjie në komunën Bagawat të kontesë Shache në Xinjiang-un Jugor. “Dikur duheshin gjashtë ditë për të mbjellë 500 mu tokë. Por tani, me ndihmën e sistemit të navigimit gjatë drejtimit të makinës, mund të kryej mbjelljen, shtrimin e plastmasës dhe ujitjen me pikim brenda tri ditësh”, shton ai.

Sipas Departamentit rajonal të Bujqësisë dhe Çështjeve Rurale të Xinjiang-ut, lëvrimi i tokës dhe mbjellja e pambukut janë mekanizuar plotësisht, ndërsa mekanizimi i vjeljes ka arritur mbi 80 për qind. Ndërkohë bankat shtetërore të kreditimit bujqësor po përpiqen të plotësojnë kërkesat e bujqve, të cilëve u duhen financime të mjaftueshme për mjetet e tyre prodhuese. Sivjet pritet që në këtë rajon të mbillen plot 37 milionë mu pambuk para fundit të prillit.