Marin Hoxha është një producent i njohur i muzikës elektronike. Prej vitesh ai krijon në këtë zhanër muzikor, duke u bërë i njohur edhe në tregun ndërkombëtar të muzikës elektronike. Ai ka krijuar mbi 130 materiale muzikore të cilat janë të gjitha publike nëpër platforma online për publikun e gjerë. Në një intervistë për CMG Marini tregon për fillimet e karrierës së tij muzikore, suksesin e arritur në tregun muzikor të huj si dhe projektet që do të ketë në të ardhme.
Marin Hoxha ne studio
CMG: Kur keni nisur të merreni me produksionet në muzikën elektronike?
Marin Hoxha: Unë kam rreth 9 vite që e ushtroj, fillimisht e nisa si pasion dhe vitet e fundit jam fokusuar më tepër si punë primare te produksioni i muzikës. Në moshën 13 vjeçare kanë qenë kontaktet e mia të para me muzikën elektronike, dhe më pas fillova produksionin rreth moshës 15-16 vjeçare.
CMG: Para se të nisje produksionin në muzikë kishe dëgjuar më përpara këtë zhanër muzikor ?
Marin Hoxha: Absolutisht po dhe në vitin 2011 kanë qenë kontaktet e mia të para me muzikën e Aviçit, David Guetta me një këngë që në atë kohë bëri shumë bujë dhe ka qenë një shtysë për të filluar produksionin.
CMG: Je i kënaqur me sa ke arritur deri tani në këtë fushë?
Marin Hoxha: Të them të drejtën jam shumë i kënaqur sepse ëndrra ime e parë ka qenë ta bëj muzikën me kohë të plotë si profesion tim dhe kjo është arritja më e madhe që pasionin e ushtroj gjithashtu si profesion. Normal që duke punuar do të arrijmë dhe më tepër.
CMG: Cili është momenti që ju frymëzon për të krijuar muzikë?
Marin Hoxha: Zakonisht produktiviteti është në mëngjes për mua. Kam testuar te gjitha oraret e ditës për të punuar dhe produktiviteti është më i madh në orët e para të mëngjesit, kur del dielli. Gjithashtu ka dhe momente të papritura që godet inspirimi dhe përpiqem në ato momente që direkt ta kap idenë dhe ta regjistroj.
Producenti muzikor Marin Hoxha
CMG: Si u bëre i njohur në tregun shqiptar me këtë zhanër muzikor?
Marin Hoxha: Në tregun shqiptar jam bërë më i njohur me bashkëpunimin me Ervin Gonxhin, pasi është emër i konsoliduar në industrinë shqiptare dhe kemi bërë bashkëpunimin të titulluar “Heartbeat”, i cili u luajt goxha këtu në Shqipëri.
CMG: Si u njohët me Ervin Gonxhin dhe si u prit bashkëpunimi juaj nga publiku?
Marin Hoxha; Rastësisht. Unë kam një shok me emrin e artit Vinsmoker, i cili kishte dëgjuar materialet e mia, dhe r ai punonte me Ervin Gonxhin dhe na prezantoi të dy ku i tregoi Ervinit materialet e mia. Atij i pëlqyen shumë materialet dhe më ftoi që të punoja në studio me të. Ky bashkëpunim është pritur shumë mirë jo vetëm në tregun shqiptar, por dhe në tregun e huaj, i cili si material ka ecur më tepër dhe ka qenë deri diku një sukses.
CMG: Përsa i përket tregut ndërkombëtar tashmë ke hyrë në këtë treg. Si i krijove kontaktet e para me të huajt?
Marin Hoxha: Kontaktet e para kanë qenë virtuale dhe unë duke qenë se isha fans i muzikës elektronike, kam zbuluar rastësisht kanalet dhe në një moment kam gjetur emailet dhe i kam kontaktuar. Që nga ai moment filluam të bashkëpunojmë dhe këto kanë qenë kontaktet e mia të para.
CMG: Me cilët vende të huaja ke më shumë bashkëpunime në fushën e muzikës elektronike?
Marin Hoxha: Bashkëpunimet e mia më tepër i kam në New York, Holandë dhe Londër, pra këta janë vendet që unë kam bashkëpunëtorët e mi më të mëdhenj. Ndërsa si audiencë është shumë e përhapur dhe përgjithësisht dëgjuesit e mi janë nga Amerika, Gjermania, Rusia, Ukraina, India, pra një varietet vendesh.
Marin Hoxha
CMG: Ke pasur ndonjë ftesë nga këto vende për të shkuar dhe luajtur muzikë për publikun atje?
Marin Hoxha: Në fakt nuk kam luajtur muzikën, por kam pasur një ftesë. Një këngë që kam bërë në vitin 2019 është përzgjedhur si himni zyrtar i finales së lojës Counter Strike dhe aty ishte eksperienca ime e parë që pata realisht në tregun ndërkombëtar. Pasi dëgjoja këngën time ku luhej në stadium live ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe takova shumë nga bashkëpunëtorët e mi. Kjo ishte një eksperiencë vërtetë për t’u mbajtur mend.
CMG: Përveç kënaqësisë që merr nga kjo punë, ka dhe përfitime materiale?
Marin Hoxha: Me thënë të vërtetën është pak e vështirë, sidomos fillimi sepse vitet e para mund të punosh dhe mos të marrësh asnjë përfitim në terma monetare, por nëse je konsistent besoj se do shpërblehet. Për momentin mendoj se mund të jetë dhe më mirë dhe nëse fokusohesh akoma mundësitë janë të pafundme.
CMG: Marin ke studiuar në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit. Ke gjetur ndonjë lidhje midis kësaj dege dhe muzikës?
Marin Hoxha: Realisht në termin primar nuk ka asnjë lidhje, por mendoj se më ka ndihmuar shumë sepse dhe shkolla është një eksperiencë e bukur. Kam takuar shumë njerëz dhe kam mësuar gjëra të reja, duke më ndihmuar shumë në formimin tim si individ. Besoj se kjo më ndihmon indirekt në muzikë.
CMG: Të ka mbështetur familja në këtë drejtim?
Marin Hoxha në studion e Radio Ejani intervistë për CMG
Marin Hoxha: Fillimisht kanë qenë pak skeptikë dhe normalisht nuk ju ve faj sepse muzika gjithmonë është një zgjedhje jo shumë e sigurt. Duke parë nga eksperienca me personat e tjerë që njoh dhe është shumë karrierë e pasigurt, por me kalimin e kohës unë ju kam treguar atyre që kjo është gjëja që dua të bëj dhe më kanë mbështetur. Në këto momente ata janë fansat e mi numër një.
CMG: Si e shikon të ardhmen në fushën e muzikës dhe karrierës në përgjithësi ? Në Shqipëri apo dëshiron të bësh karrierë në botë?
Marin Hoxha: Unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe nuk kam bërë ndonjë plan, por kam qenë i hapur që mundësitë që do të më vijnë do t’i marr të gjitha. Edhe këtu në Shqipëri nuk kam ndonjë kufizim pasi jemi në një epokë dixhitale dhe interneti bën të mundur që të lidhesh me çdo person në çdo cep të botës dhe nuk ka kufizime fatmirësisht.
CMG: Sa këngë ke prodhuar gjatë karrierës muzikore?
Marin Hoxha: Deri tani unë kam krijuar rreth 130 materiale ose më tepër, të cilat janë të gjitha publike nëpër platforma online. Normalisht mu desh pak kohë, por rëndësi ka që kam një katalog me të cilin mund të prezantohem.
CMG: Sa kohë të duhet për të prodhuar një material muzikor?
Marin Hoxha: Normalisht varet nga rryma muzikore që krijon ose varet edhe se sa inspirim ke në atë moment. Ka materiale që mund t’i fillosh dhe mbarosh brenda ditës, ka materiale që duhet të punosh me javë ose muaj, por ka dhe materiale që nuk mbarohen kurrë sepse ndonjëherë nuk je i kënaqur dhe kërkon gjithmonë më të mirën.
CMG: I ke kushtet në studio për të prodhuar muzikë?
Marin Hoxha: Për momentin kam një studio në shtëpi dhe përgjithësisht duke qenë se punoj me këngëtarë të huaj më tepër, gjithmonë kam pasur luksin që vokalet i marr gati të regjistruara dhe bëj më tepër përpunimin në studio. Unë kam investuar dhe mendoj se është e rëndësishme të kesh një kompjuter të fuqishëm dhe mund të krijosh.
CMG: Sa kohë në ditë i kushton punës në studio?
Marin Hoxha
Marin Hoxha: Përpiqem që të paktën t’i kaloj në studio 5 orë produktive, por ka momente që kaloj më tepër. Mund të kaloj 8 ose 9 orë, por dhe 12 orë ose dhe ditë që nuk bëj pushim fare.
CMG: Së fundi një përshëndetje për fansat tuaj dhe dëgjuesit e Radio Ejani.
Marin Hoxha: Dua t’i përshëndes të gjithë mbështetësit e mi për mbështetjen që më kanë dhënë ndër vite, dhe jam shumë i emocionuar që t’ju tregoj atyre projektet e mia më të reja, të cilat do të vijnë në muajt në vazhdim, dhe shpresoj që t’i pëlqejnë.
Intervistoi: Gazmend Agaj