Rezarta Reçi është një gazetare e spikatur për formimin e saj dhe mënyrën se si e përcjell dijen nëpërmjet gazetarisë. Ajo ka një karrierë të gjatë si gazetare në Radio dhe ekranin e vogël. Prej më shumë se dy dekadash, Rezartën që miqësisht e thërrasin “Rezi”, e gjejmë pranë mikrofonit, duke ofruar histori të cilat i japin shoqërisë një tjetër dimension. Së fundmi ka qënë vetë jeta e artistes që ka bërë mijëra vetë të kuptojnë thelbin e ekzistencës. Në vitin 2021 ajo u diagnostikua me kancer, një luftë të cilën Rezi e ka cilësuar si të tillë, për hir të njerëzve të dashur.
Rezarta Reci (burimi facebook)
Betejën Rezi e fitoi duke u përballur dhe pikërisht në ato momente ku gjithçka të dukej asgjë, ajo ndërtoi një botë letrare. Publikoi librin e saj të pare “Kolonë zanore”. “Shfaqja e sëmundjes dhe dëshira për të mos iu dorëzuar trishtimit, ka qënë dhe mbetet forma ime më e këndshme të shkruarit të romanit tim të parë "Kolonë zanore", në errësirën e pasmesnatës, me celular në dorë, ku mendja ime luante a shkonte pas personazheve të krijuar a takuar rrugëve të jetës”, është shprehur gazetarja.
Historia vazhdon. Rezarta Reçi shumë shpejt do të nxjerrë në treg librin e saj të dytë.
CMG: Përballë të vërtetave dhe vetes sa refelktuese jeni?
Rezarta Reçi: Jam shumë reflektuese! Profesioni mendoj që më ka bërë të jem më tepër e madje të nxis dhe te përballësit këtë ndjenjë aq të nevojshme për ditët që jetojmë, kur nuk është e lehtë të mbetesh me këmbë në tokë.
CMG: Cilat janë reflektimet më të thella për jetën?
Rezarta Reçi : Jeta është dashuri dhe duhet jetuar cilësisht. Kam ardhur në jetë për fat si frut dashurie e me shumë dashuri vazhdoj ta jetoj sepse është motivi im i së përditëshmes: "Mbill dashuri, korr buzëqeshje! Në mundsh!"
CMG: Ju jeni produkt i një fëmijërie të...
Rezarta Reci (burimi facebook)2
Rezarta Reçi: Jam produkt i një fëmijërie të qetë, të paqtë, aktive, me gjyshe rrethuar, me kujdes mame për gjithshka të bukur tonën, me kujdes e nxitje babai që unë duhet të shkëlqeja në çdo fushë ashtu siç shkëlqeja në mësime. 10- tat nuk më janë ndarë gjer në përfundim të studimeve. Por kryedhjeta është që unë u bëra ajo që doja që 6 vjeç, në studion e Radio Shkodres. U bëra gazetare profesioniste radiotelevizive e kjo është arritja ime më e madhe.
CMG: Tre fjalë të shtrenjta që i përdor shpesh?
Rezarta Reçi: Të dua, të kam xhan, të çmoj!
CMG: Kush ju ka nxitur të keni më tepër besim në vete?
Rezarta Reçi: Rrugëtimi im profesional. Harta cilësore e personazheve të mi aq të mënçur, aq modestë, aq të ditur, aq kontribues, aq të paqtë. Çdo çast me to më ka pasuruar, më ka ridimensionuar, më ka pasuruar! Është një universitet më vete dhe sejcilit i jam mirënjohëse për ndikimin tek unë.
CMG: Marëdhënia që keni pasur me nënën tuaj, a është njesoj si ajo që ju reflektoni tek vajza juaj?
Rezarta Reçi: Janë të mira natyrisht, por të ndryeshme. Në sytë e mamit tim unë fillova të përfaqësoj vajzën zë ëmbël që e linte zgjuar deri në 12 -të natës duke komunikuar përmes fjales me gjithë dëgjuesit që nuk flinin. Kohë magjike!
Kurse Ivës, vajzës time të vetme i drejtohej pyetja jo e mirë:A do bëhesh e mire, si mami?" Unë shtypja buzët me kujdes, por pyetja kishte fluturuar ndërkohë. Dhe Iva u bë shoqja e babit që më donin e më mbështesnin në heshtje e fort, por larg zhurmës e lavdisë. Tani marrëdhëniet janë ndryshe, Katalehas tani i ngjan magjike " fama ime".
CMG: Kujt i qesheni çdo mëngjes?
Rezarta Reçi : Ditës që fillon, mëngjesit që hyn me një rreze drite dhe dashurie, lajmeve të mira e të bukura.
Rezarta Reci (burimi facebook)3
CMG: Çfarë ju kuriozon më tepër nga bota, përgjigjet e së cilës nuk i merrni dot?
Rezarta Reçi: Kam arritur në konkluzione se gjithshka rrëshqet në ujëra fati të paracaktuara. Jeto, ndiq, jeto, prano, jeto”. Ti nuk je mbret i botës, askush nuk është, kryej atë rolin tënd modest, zhvendosu e shko në heshtje. Janë shumë si ty! Mos harro!
CMG: Cilat jane parimet e tua me të cilat askush nuk bën dot kompromis?
Rezarta Reçi: Të jem cilësore e me integritet. Nuk e mësova dot urrejtjen, ligësinë, gjithmonë udhëhiqem nga këshilla e tim eti " Mos i bëni kujt atë që nuk do donit t'ua bënin ju!"
CMG: Ju dhe profesioni… ju ka dhënë apo i keni dhënë më shumë ?
Rezarta Reçi: Reciprokisht tani. Ndërsa komunikoj në "Zërat e mesnatës" nga ora 23.00 - 1.00 dhe njerëzit rrinë zgjuar dhe e bëjnë për mua, e ndjej se kemi investuar reciprokisht dhe kjo nuk ka çmim.
CMG: Marrëdhënia që keni me librin, a është aq e ngushtë sa e shpirtit me trupin?
Rezarta Reçi: Shumë! Nuk e përfytyroj dol botën pa librin. Kur dilja nga klasa e parë fillore në Shkodër kthesa ime e parë ishte te librare Miriami në librarinë qëndrore të qytetit, afër Kafes së madhe. Lexoja një libër për fëmijë dhe ikja për në shtëpi. Biblioteka ime modeste kishte pak libra të sistemuar me kujdes sëbashku me dëshirën ëndërr që të zotëroja një shkop magjik që të më ndryshonte librat. Tani kemi një bibliotekë të madhe familjare e unë vazhdimisht lexoj, me përzgjedhje normalisht, por është një pasuri e paçmuar, që vlen për mua dhe rrethuesit e mi.
CMG: Mund të na rrëfesh një histori që ju ka tronditur, kur e keni dëgjuar?
Rezarta Reçi: Janë shumë. Në rubrikën "Një fletë nga ditari im" më vjen një letër nga Patosi për ta lexuar në konkurs. Ia kalonte rrëfimeve të Shekspirit. U trondita dhe realisht nuk e besova. Në emisionin e radhës në Radio iu drejtova letërshkrueses dhe e ftova të më vinte të ma rrëfente ngjarjen ,se më dukej e pabesueshme. Realisht erdhi e ma tregoi për mikrofonin e Radio Tiranës. Po aq tronditëse e ndjej dhe tani pas dy dekadash.
Rezarta Reci (burimi facebook)4
CMG: Vakti me i shijshëm është Vakti me…?
Rezarta Reçi: Miqtë.
CMG: Qyteti ku do të jetoje përjetësisht…?
Rezarta Reçi: Qyteti i Tiranës.
CMG: Mbrëmjet e vona janë ato për të cilat ia vlen të…?
Rezarta Reçi: Ta ndrrosh gjumin me pagjumësinë aktive e domethënëse.
CMG: Aroma që më sjell kujtime eshtë aroma e…?
Rezarta Reçi: E pastiçerisë “Dingu” në Tiranë që më zhyt në atmosferën magjike të duarve krijuese të mamit tim special.
CMG: Rrugica që më ka rritur është...?
Rezarta Reçi: Një pallat me oborr e shumë lojëra, biçikleta, koncerte, shoqëri, zënka te vogla, festa te mëdha, atje në qendër të Shkodres.
CMG: Unë jam kjo që jam, sepse...?
Rezarta Reçi: Ndofta edhe sepse kam luftuar pa sforco të jem kështu.
Sytë e mi sot shohin vetëm të sotmen...
CMG: E kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Kush ka rëndësi për ju?
Rezarta Reçi: Në këtë stad zinxhiri përbashkues vlen!
CMG: Cila është përpjekja më e zakonshme e juaja, për të cilën nuk keni frikë të dështoni?
Rezarta Reçi: Të jap dashuri edhe në formë këshillash që do mbeten si do që të vijë momenti.
CMG: Beson në Zot ?
Rezarta Reçi: Besoj në diçka të mbinatyrëshme, që kombinon fatet e dëshirat tona.
CMG: Kur zbuluat të fshehtat e sëmundjes suaj, ku ishit dhe kujt i telefonuat për ta ndarë?
Rezarta Reçi: Vetëm vetes. Një lajm që do doja ta kisha mbajtur për vete përgjithmonë. Stoike në këtë mendim!
CMG: A keni përshtypjen se jeta merr më shumë kuptim kur përpiqesh të kalosh një sfidë të tillë, si kanceri?
Rezarta Reçi: Ndaj koncepte të ndryshme, ngjaj me luftëtare të buzëqeshjes, por nuk kam lindur luftëtare. Po realizoj një luftë për hir të respektit e dashurisë së të tjerëve ndaj meje. Nuk dua t'i zhgënjej më shumë se çfarë kam bërë deri tani.
CMG: Cilat janë mendimet me të shpeshta rreth shëndetit sot për sot?
Rezarta Reçi: Nuk dua të jetoj si e sëmurë! Dua jetë aktive me çdo kusht! Ndryshe, mbyll defteret dhe shko, mos u zvarrit të kapësh çastin që nuk të takon.
Romani (Kolone Zanore) Nga Rezarta Reci (burimi facebook)
CMG: Kur vendosët të shkruani ?
Rezarta Reçi: Shfaqja e semundjes dhe dëshira për të mos iu dorëzuar trishtimit. Ka qënë dhe mbetet forma ime më e këndshme të shkruarit e romanit tim të parë "Kolonë zanore" në errësirën e pasmesnatës, me celular në forë, ku mendja ime luante a shkonte pas personazheve të krijuar a takuar rrugëve të jetës.
CMG: Cilat janë dilemat e shkrimtarit?
Rezarta Reçi: Doja të isha shpirt i lirë e pa pengesa, vazhdoj ta konsideroj kështu këtë sfidë të të shkruarit. Të vërtetë e të domosdoshme për shoqërinë shqiptare në evoluim shumëplanësh.
CMG: Çfarë të bën të ndjesh kënaqësi kur mendon për librin që ke sjellë në jetë?
Rezarta Reçi: "Kolona zanore" për fat u prit mirë, u pëlqye, pati fatin e vet të mirë, komente dashamirëse e të sinqerta dhe shitje e plotë e librave të botuar. E ky për mua, është lajm i mirë, madje shumë i mirë.
CMG: Do të ketë një libër pasues?
Rezarta Reçi: " Zhbërja" është romani im i dytë që në prill përgatitet të shkojë drejt lexuesit. Nuk do ju zhgënjej!
CMG: Motivo duke këshilluar...
Rezarta Reçi: Duaj veten, duaj tjetrin, duaj çastin e pakthyeshëm! Duaj, mos urre!
CMG: Shpreh dëshirë, duke menduar më zë ?
Rezarta Reçi: Lutem për ditë të qeta e të mos shohim keq.
Intervistoi: Megi Latifi