Pavarësisht valëve të reja të infektimit prej COVID-19 dhe faktorëve të pasigurt në rimëkëmbjen e ekonomisë globale, ndërmarrjet e huaja ende kanë besim te tregu kinez për shkak të masave të gjithanshme dhe të vendosura antiepidemike.
Në Shangai, ku mbi 60 mijë kompani të huaja kontribuuojnë për rreth një të tretën e të ardhurave tatimore, një të katërtën e PBB-së dhe dy të tretat e tregtisë ndërkufitare, perspektivat e mira të investimeve, niveli i lartë i hapjes dhe mjedisi i favorshëm i biznesit e kanë ndihmuar qytetin të mbetet destinacion tërheqës për investitorët e huaj.
Investimet e huaja në qytet arritën në 2.37 miliardë dollarë amerikanë në janarin e sivjetshëm, shifër kjo 26.6 % më e lartë në krahasim me atë të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Ndërkohë, 276 kompani plotësisht me pronësi të huaj u regjistruan në këtë qytet në janar, sipas të dhënave statistikore të Komisionit të Tregtisë të Shangait.
Në orën 7 të paradites, një kolonë autobusësh për punëtorët hyri në gigafabrikën e “Tesla”-s në Shangai.
Gigafabrika e “Tesla”-s në Shangai
“Megjithëse hasëm një sërë problemesh me transportimin ndërprovincial, blerjet e materialeve kundër pandemisë dhe stafin, prodhimi u kthye shpejt në normalitet me ndihmëmt e pushtetit vendoe”, tha Tao Lin, zv.president i “Tesla”-s.
Në shkurtin e këtij viti, fabrika e “Tesla”-s në Shangai eksportoi 33 315 automjete, 339 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke mbrojtur statusin e saj si një ndër qendrat kryesore të eksportit të këtij prodhuesi të makinave elektrike amerikane.
Vjet, fabrika dorëzoi mbi 160 mijë automjete në mbi 10 vende e rajone në Europë dhe Azi.
Duke bashkërenduar parandalimin dhe kontrollin e epidemisë me zhvillimin ekonomiko-shoqëror, Bashkia e Shangait po bën të gjitha përpjekjet për të vijuar funksionimin normal të qytetit, për të garantuar që fabrikat, përfshirë ato të huaja, të funksionojnë mbarë, në të mirë të zinxhirëve globalë të prodhimit.
Përballë shtimit të rasteve të reja të infektimit, afro 100 punonjës të një fabrike të kompanisë biofarmaceutike “Boheringer Ingelheim” në parkun e teknologjisë së lartë Zhangjiang të Shangait kanë banuar në fabrikë që nga 16 marsi për të siguruar mosndalimin e furnizimit me ilaçe kundër kancerit.
“Ilaçet tona kundër kancerit janë shumë të veçanta dhe prodhimi i tyre nuk mund të ndërpritet”, tha Wang Bin, kryemenaxheri i “Boehringer Ingelheim” në Kinë. “Që nga fillimi i valës së fundit të infektimeve, e gjithë kompania është mobilizuar për të garantuar furnizimin e vazhdueshëm të ilaçeve,” shtoi ai.
Punonjësit mjekësorë ndihmojnë një të moshuar të bënte test nukleik, 18 mars,Shangai
Në të njëjtën kohë, për të frenuar shpërthimin e fundit të COVID-19, Shangai ka marrë një sërë masash të shpejta, të rrepta dhe të shënjestruara, duke përfshirë menaxhimin e mbyllur të disa zonave.
“Zyra jonë në distriktin Jingan ka qenë e mbyllur për 48 orë, kohë gjatë së cilës reagimet e efektshme të autoriteteve vendore ndaj kërkesave të kompanive ishin mjaft mbresëlënëse”, tha Fabrice Megarbane, kryeekzekutivi i “L’Oreal”-it në Kinë.
“Ishte natë vonë, kur mbyllja përfundoi. Falë përgatitjeve të mira të pushtetit vendor, qindra taksi ishin duke pritur jashtë godinës sonë për të dërguar punonjësit tanë në shtëpi. Kjo ka tregon plotësisht kujdesin e qytetit për kompanitë e huaja dhe mjedisin e mirë të biznesit këtu,” tha ai në një intervistë për “Xinhua”-në.
Siç mësohet, “L’Oreal”-i realizoi mbi 10 % rritje në pjesën kontinentale të Kinës vitin e kaluar, një shpejtësi dy herë më e lartë se niveli mesatar i këtij sektori.
“Mendojmë se vështirësitë janë të përkohshme dhe kemi besim të plotë te Shangai”, u shpreh Cao Chilun, presidenti dhe menaxheri i “Amkor Assembly&Test” në Kinë, një kompani gjysmëpërçuesish.
“Në fundjavën e kaluar, fabrika jonë kaloi një menaxhim të mbyllur për 48 orë. Megjithatë, kemi realizuar prodhim 24 orë në ditë pa ndërprerje”, shtoi Cao.
Masat e parandalimit dhe të kontrollit të COVID-19 janë shtrënguar më tej në Shangai para valëve të reja të infektimit
Sipas tij, planet e tyre të prodhimit nuk janë ndikuar nga rritja e infektimeve në qytet. “Masat e shënjeshtruara të Shangait kanë minimizuar humbjet e kompanisë. Kompania jonë nuk do ta ndryshojë planin e investimeve në Kinë. Një fabrikë e re është në ndërtim e sipër, e cila pritet të hyjë në funksionim në vitin 2023, duke shtuar me 45 % kapacitetet e prodhimit të kompanisë sonë ”, tha z. Cao.
Që nga 1 marsi, 28 njësi administrative në nivel province në Kinë pësuan një valë të re infeksionesh COVID-19, duke regjistruar mbi 56 mijë raste të reja.(Foto:VCG)