Mirsad Basha (burimi facebook)2
Mirsad Basha është aktivist nga qyteti i Shkodrës. Që prej 7 vitesh ai drejton Organizatën “Eko Mendje”, e cila i dedikohet problematikave me natyrën dhe ndikimin që njeriu ka si edhe ndihmat sociale për familjet në nevojë. Organizata “Eko Mendje” numëron rreth 900 aktivitete.
Grupi Eko Mendje (burimi facebook)
CMG: Kush ndikon tek reflektimet tuaja?
Mirsad Basha: Imazhi që unë po përpiqem të ndërtoj për veten dhe për të tjerët nxitet nga një busullë, që është vajza ime. Unë po përpiqem çdo ditë që të përmbush misionet e mia e kur e gjej veten, duke reflektuar ajo që më ka orientuar është dëshira për të bërë krenare vajzën time.
CMG: A është përditshmeria juaj e plotë?
Mirsad Basha: Po! Unë nuk e ndaj dot jetën personale nga atë profesionale, sepse të dyja janë të lidhura fort. Nëse unë ndryshoj ambient përpiqem që edhe në atë ambient të lidh kontakte, që në një të ardhme të jem aktiv në atë zonë.
CMG: A ka një emër rrugëtimi juaj profesional?
Mirsad Basha: Mendoj që ka një pikënisje që është forca dhe ëndrra e një grupimi të rinjsh, të cilët u përpoqën për të bërë një shoqëri më të mirë. Në këtë vendin tonë të vogël sa jemi duhet të bëjmë gjëra të vogla e me dashuri të madhe.
CMG: A ka pasur një moment që keni pasur frikë?
Mirsad Basha: Jo ka pasur momente kur më është dashur të ndaloj, kthej disa hapa pas dhe shtyj disa hapa para njëkohësisht. Kur jam gjendur përballë një familje, nevoja e të cilës nuk ishte vetëm t’i ndërtoje një shtëpi, por kishte të tjera nevoja. Si kjo familje janë dhe shumë të tjera. Në këtë moment unë kam pasur një kthesë dhe frikë në kuptimin që a do ja dal t’i ndihmoj, por pikërisht kjo ndalesë bëri që unë të mendoj e të reflektoj për gjërat.
Grupi Eko Mendje (burimi facebook)
CMG: Si e keni përjetuar gjithë ndryshimin që solli situata nga "Covid -19"?
Mirsad Basha:Në fakt në ndryshim apo jo, ne kemi vijuar të punojmë. Madje edhe gjatë periudhës së Covid-19 ne arritëm që të jemi më të fortë për t’i shërbyer qytetarëve në Shkodër. Ajo që vlen për t’u vlerësuar është fakti që ata na besonim ne dhe kemi qenë aty ku ka qenë nevoja.
Ka qenë një periudhë e vështirë, por për ne e lehtë për të punuar dhe ardhur në ndihmë kujtdo.
CMG:Kush ju motivon më tepër në jetë?
Mirsad Basha: E njejta dashuri e mbështetje për mua ka qenë e do vijojë të jetë nga të njëjtët njerëz. Nuk po përmend emra sepse janë shumë, por mund të them që ata janë aty për mua gjithnjë dhe unë jam aty për ata.
CMG: A ka lënë gjurmë fëmijëria tek ju?
Mirsad Basha: Ka qenë një fëmijëri e mbushur me kujtime të bukura, të cilat patjetër kanë lënë gjurmë tek unë. Vetë mënyra se si jam rritur me një dashuri të madhe për natyrën, ndërtoja në shtëpi kopshte e refuzoja çdo kërkesë të shokëve për të dalë jashtë e për të luajtur, por shihja dokumentare për natyrën. E gjithë kjo formë e të rriturit ka ndikuar më pas për mua për t’u bërë ky që jam sot. E unë sërish e shoh veten si një Piter Pan, që fantazon e bën gjithçka?
CMG: Çfarë ju frikëson në jetë?
Mirsad Basha: Jo nuk kam frikë. Jam njeri që kam siguri dhe nuk frikësohem nga asgjë. Nëse një njeri ka pozitivitet brenda vetes, ai mundet!
CMG: A jeni ju njeriu i ëndrrave tuaja?
Mirsad Basha : Mendoj që po. Unë kam realizuar ëndrrat e fëmijërisë e çdo mëngjes që zgjohem them "Sa me fat jam, që kam këtë jetë! ".
CMG : Cila është telefonata juaj e parë në mëngjes?
Mirsad Basha: Jo telefonata, por kontakti i parë çdo mëngjes është klubi “Eko Mendje” në të cilin ndajmë shumë gjera mes nesh. Dikush qesh, dikush ka parë një ëndërr e dikush dërgon një video për të qeshur.
Kështu nis mëngjesi.
Mirsad Basha (burimi facebook)
CMG : A i keni përmbushur të gjitha ambiciet tuaja?
Mirsad Basha : Ambicia ime më e madhe ka qenë dhe është t'ia bëj jetën më të bukur një familje dhe këtë e kam përmbushur e vijoj të punoj për të. Ambicia tjetër është t’i bëj njerëzit të ndihen mirë.
CMG :Çfarë ka ndryshuar tek ju ndër vite?
Mirsad Basha: Njeriu nuk ndryshon pas disa vitesh. thjesht bëhet më i fortë. Unë vijoj të kem të njëjtën dashuri për të bërë çdo gjë. Bota që ne duhet ta jetojmë çdo ditë duhet të jetë tepër e bukur.
CMG :Cili është vendi që do jetoje përgjithmonë?
Mirsad Basha : Vendi i dashurisë, Shkodra.
CMG :Kur u krijua "Eko Mendje"?
Mirsad Basha: Para 7 viteve unë kuptova që rinia shkodrane duhet të bashkohet e duhet të merret me punë sociale e të sjellë ndryshimin.
Deri në atë moment unë vetë kisha punuar dhe kisha pasur mundësi që të bëhesha pjesë e organizatave të ndryshme. Pastaj vendosa ta krijoj vetë një të tillë. Ne kemi edhe një lokal të këndshëm me të njëjtin emër ku zhvillojme takimet e mbyllim mbrëmjet. Si grup jemi nismëtarë të shoqërisë dhe numërojmë mbi 900 aktivitete si grup e do të vazhdojmë t’i shtojmë.
Intervistoi:Megi Latifi