Ndërsa kompania Apple zbuloi pajisjet e saj më të fundit në ngjarjen ‘Peek Performance’, tani bota e teknologjisë po parashikon lancimin e linjës së saj të shumëpritur të iPhone 14. Edhe pse ende nuk dihet data e lancimit zyrtar, rrjedhjet e informatave rreth pajisjeve të reja nga Apple po priten me padurim nga të apasioniarit e teknologjisë. Pasardhësi i linjës së iPhone 13 pritet të shfaqë një mori inovacionesh. Qoftë dizajni apo efikasiteti i telefonit të avancuar, mësohet se do të ketë përmirësime të mëdha në linjën e ardhshme. Raporti i fundit i bazuar në deklaratat e analistit të njohur të Apple, Ming-Chi Kuo duket se sugjeron se modelet e iPhone 14 Pro do të kenë çipin më të fundit A16, ndërsa modelet e rregullta të iPhone 14 mund të vijnë me çipin ekzistues A15 Bionic. Në një postim në Twitter analisti thekson se iPhone 14 Pro 6.1 inç dhe iPhone 14 Pro Max 6.7 inç do të kenë një çip A16, ndërsa iPhone 14 6.1 inç dhe iPhone 14 Max 6.7 inç do të kenë çipin ekzistues A15 Bionic.
Samsung prezanton dizajnin e pazakontë të smartfonit në formë L
Me një ekran të palosshëm dhe në formën e gërmës L. Është ky dizajni i ri i patentuar nga Samsung për telefonet e ardhshem inteligjent të tij. Telefoni ka një ekran fleksibël që hapet anash, dhe kur është në “pozicion të mbyllur”, është i palosur drejt pjesës së pasme të pajisjes. Karakteristikat e ofruara për këtë pajisje të kujtojnë LG Wing, pasi ekrani dytësor i Wing ndonjëherë përdorej për të hapur aplikacione dytësore në një dritare më të vogël ose për të shfaqur informacione shtesë gjatë lojrave, shikimit të videove etj. Smartphone mund të përdoret drejt ose anash me një ekran ndihmës që hapet majtas ose lart. Meqenëse ekrani përkulet prapa, ai mund të përdoret pjesërisht për të gjetur fushën e shikimit për kamerat e pasme. Sipas skicave, janë tre kamera dhe një blic LED, por nuk ka detaje rreth tyre. Dihet se ka një bateri me dy pjesë dhe ekrani i palosshëm do të jetë prej xhami ultra të hollë UTG të Samsung, e njëjta shtresë mbrojtëse e përdorur për telefonat Galaxy Z Fold 3 dhe Z Flip 3 të Samsung. Një nga sfidat e këtij dizajni do të ishte inkorporimi i një menteshë të varur në pjesën e brendshme të pajisjes për të përkulur ekranin rreth tij. Megjithatë, duhet pasur parasysh se shpesh kompanitë i patentojnë pajisje të cilat nuk i prodhojnë më vonë ndaj dhe fati i kësaj pajisjeje mbetet për t’u parë.
Volkswagen dhe Ford Motor bashkëpunim për automjetet elektrike
Kompania e njohur e makinave Volkswagen njoftoi se do të zgjerojë bashkëpunimin e saj për automjetet elektrike me Ford Motor, i cili planifikon të prodhojë një tjetër model elektrik për tregun evropian. Për këtë qëllim përfaqësues të dy palëve kanë nënshkruar edhe një marrveshje që përfshin e-mobilitetin, automjetet komerciale dhe drejtimin autonom.Duke përdorur platformën e Volkswagen për gjashtë vjet duke filluar nga viti 2023, Ford pret të dyfishojë prodhimin e tij në 1,2 milionë njësi. “Rentabiliteti dhe shpejtësia tani janë vendimtare për arritjen përfundimtare të përparimit të e-mobilitetit në Evropë. Jemi duke i trajtuar të dyja së bashku me Ford”, tha Thomas Schmall, drejtues biznesi i komponentëve të Volksëagen. Duke komentuar gjithashtu marrëveshjen, Stuart Roëley, shefi i Ford-it për Evropën tha se “aleanca strategjike me Volksëagen është një element i rëndësishëm i angazhimit të Ford-it për të ofruar një gamë tërësisht elektrike automjetesh që janë unike për Ford-in dhe të dizejnuara për të përmbushur nevojat e mobilitetit të një Evrope moderne që po udhëheq luftën kundër ndryshimeve klimatike”. Në vitin 2019, dy prodhuesit globalë të automjeteve njoftuan fillimisht një bashkëpunim të gjerë për automjetet elektrike dhe autonome.
Tatuazhet elektronik, zëvendësues të telefonëve inteligjente
Bill Gates, themeluesi i Microsoft, vlerëson se me zhvillimin e teknologjisë telefonët inteligjentë do të zëvendësohen me tatuazhet elektronike. Tatuazhet elektronike janë prodhim i kompanisë bioteknologjike Chaotic Moon. Me to mblidhen dhe analizohen të dhënat që merren nga organizmi i njeriut. Këto të dhëna do të mund të përdoren për qëllime të ndryshme, ndër të cilat për arsye shëndetësore dhe sportive. Në këtë mënyrë do të mundësohet një parandalim dhe kontroll më i mirë i sëmundjeve, duke rritur kështu edhe më shumë përgatitjen fizike. Tatuazhet elektronike janë akoma në zhvillim, dhe duket se do të kenë formën e një sensori të vogël në lëkurë. Për Gatesin tatuazhet e rëndomta nuk janë të mjaftueshme, pasi konsideron se duhet të jenë më të avancuara. Ideja e tij është të kenë mundësi, që me to të zëvendësojnë plotësisht telefonat e mençur.
Exoprimal, loja e re e prezantuar nga Capcom
Një lojë me avatarë që do të jenë veshur me kostume metalike dhe që luftojnë një mori dinosaurësh. Është kjo idea e lojës më të re Exoprimal, prezantuar nga Capcom. Loja u bë e ditur gjatë prezantimit të Sony State of Play dhe ngjarjet janë vendosuar përpara në kohë, pikërisht në vitin 2043, sipas një trailer, ku pas hapjes së një porte shihen “shpërthimet e dinosaurëve” prej aty. Sipas një postimi në blogun e PlayStation, loja është e fokusuar rreth bashkëpunimit me shumë lojtarë. Avatarët në lojë duhet të luftojnë me dinosaurët. Sidoqoftë, Exoprimal nuk do të jetë një lojë ekskluzive për PlayStation. Në njoftimin për shtyp u tha se Exoprimal do të jetë i disponueshëm në PS4, PS5, Xbox Series X/S, Xbox One dhe në kompjuter përmes Steam kur të lansohet në vitin 2023.