Liljana Lilo është një amvisë shqiptare me origjinë nga Korça, e cila prej 20 vitesh ka emigruar në SHBA bashkë me familjen e saj. Me profesion sanitare, Liljana ka një pasion të spikatur për gatimin. Si e ka festuar ajo dhe familja Ditën e Verës, këtë festë të lashtë shqiptare ?
Liljana me familjen në Ditën e Verës (facebook)
CMG: Si e keni pritur datën 14 marsin, ndonëse larg Shqipërisë?
Liljana Lilo: Kjo është një traditë që ka mbetur që në kohët e para.
Ka qenë traditë e një kohe të kaluar që na mësoi dhe orientoi ta festojmë këtë datë. Gjithçka fillonte me përgatitjet e vezëve, duke i lyer dhe zbukuruar, për fëmijët më tepër. Ndezim një zjarr e ju vendosim në dorë veroret fëmijëve. Më pas gatuajmë gjithçka, që nga kulaçi, të cilin e bëjmë me lekë në mes.
CMG : Pse bëhet kulaçi me lekë?
Liljana Lilo : Është traditë që pasi gatuhet i vendoset një monedhë në mes. E pasi ndahet në copa në pjesë të ndryshme atij që i bie monedha do të pasurohet gjatë vitit dhe do të ketë fat.
CMG: Një ditë para festës, si është atmosfera në shtëpi?
Festa e Ditës së Verës (Burimi Lilljana Lilo)
Liljana Lilo: Është e bukur sepse ne ndezim një zjarr dhe aty kapërcejmë zjarrin me fëmijët. Është traditë e zonës sonë që ne e ruajmë edhe në Amerikë. Fëmijëve ju bëhet kjo që t'u largohen gjerat e këqija nga jeta e tyre dhe të kenë një vit më të mbarë, pa brenga. Kapërcimi mbi zjarr bëhet 3 herë.
CMG : Si e prisni Ditën e verës, me çfarë drekoni?
Liljana Lilo: Bëjmë gati byrekun me pulë dhe bukë me qiqra. Gjithashtu preferojmë fasulet me pastërma dhe kryesorja është mishi i qëngjit.
CMG : Si ka qenë kjo festë para se të zhvendoseshit në SHBA?
Liljana Lilo: Ka qenë tjetër emocion, dikur ne ngriheshim herët dhe pastronim gjithë shtëpinë. Më pas me një qese plastike shkonim në çdo shtëpi për të mbledhur vezë. Pasi ktheheshim në shtëpi uleshim në tokë dhe secili nga ne thyente me radhë vezën për të kuptuar se cili nga fëmijët ishte më vitali, më i forti. Tradita e thyerjes së vezëve është prezente edhe sot. Në datë 13 gjëja e parë që bënim ishte të ndizje zjarrin dhe më pas vendosnim verore në duar.
CMG : A ju gëzonte kjo ditë?
Zjarri i Dites se Veres (facebook)
Liljana Lilo: Po, ishte diçka shumë e bukur që na gëzonte. E kemi pritur me gaz këtë ditë. Më ka marrë malli për ato momente e kohë. Më merr malli për gatimet dhe ushqimet e fëmijërisë.
CMG: Cilat janë gatimet e fëmijërisë, të cilat i kujton me shumë nostalgji dhe që nuk gatuhen më sot?
Liljana Lilo: I kujtoj të gjitha gatimet e asaj kohe. Vërtet kushtonin pak, por shijonin më shumë. Varfëria ka qenë e lartë. Unë kujtoj që dikur merrnin makaronat i linin në ujë dhe kur shkriheshin me pak miell e vezë bëhej bukë. Sot ky gatim nuk bëhet më, por dikur ka qenë tepër i shijshëm. Rekomandoj që ta gatuajnë edhe në shtëpitë e tyre sot.
CMG: Çfarë ju ka lumturuar më tepër dikur dhe çfarë sot?
Liljana Lilo: Pangopësia e dikurshme ishte faktor që ne të kërkonim çdo gjë, ndërsa fëmijët sot kanë parë dhe nuk kërkojnë kaq shumë. Ne shijonin çdo gjë në çdo moment sepse nuk kishim luksin për t’i pasur gjërat në kohën e duhur. Dikur vezët e ditës së verës mblidheshin me vështirësi.
CMG: Si sillen fqinjët tuaj kur ju shohin që ndizni zjarr e kapërceni mbi të?
Liljana Lilo: Shohin me habi. Ndonjë qe kalon edhe ndalon e pyet se çfarë po ndodh. Ne ja shpjegojmë që është festë shqiptare.
CMG: Shqiptarët e Amerikës e festojnë?
Vajza e Liljanës, Anxhela gatuan për festë (Facebook)
Liljana Lilo : Po. Patjetër që po! Fëmijët mblidhen nëpër vende të shenjta si teqe, apo vende të tjera dhe aty shtrohen dreka për ditën e verës. Kjo festë ndihet edhe këtu pavarësisht se jetojmë në Amerikë.
Fëmijët ne përpiqemi t’i edukojmë që duhet ta festojnë këtë datë dhe i lejoj të më pyesin për çdo kuriozitet të tyrin. Ata duhet ta përcjellin këtë festë brez pas brezi
CMG : Cila është telefonata e parë që keni bërë sot?
Liljana Lilo: Kam telefonuar nënën time, e cila ndodhet në Shqipëri. Ajo na edukoi me respektin e kësaj dite. Për të më ka marrë shumë malli. Kam shumë dëshirë që të festoj në Shqipëri njëherë Ditën e verës.
CMG: Cila është bestytnia më e veçantë e kësaj dite?
Tavolina e Ditës së Verës (Facebook)
Liljana Lilo : Është që nëse në shtëpi hyn një fëmijë, që të jetë djalë i gjithi viti do të jetë i mbarë dhe unë përpiqem që këmba e parë që hyn në shtëpi të jetë një djalë.
Intervistoi :Megi Latifi