Qerime Daci është ka përfunduar studimet për psikologji dhe është psikologe në profesion. Gazetare në Radio Eklipsi ajo ju vjen në ndihmë qytetarëve me temat e diskutimit në studio, gjithashtu në fushën e psikologjisë.
Qerime është autore e 3 tre librave “Dua të njoh”, “Eja të më njohësh dhe ti” dhe “Edhe loti dhemb”. Ajo është gjithashtu autore e revistave psikologjike “Personaliteti” dhe “Depresioni”
CMG: Qerime, për ata që nuk ju njohin, si përfaqësoheni?
Qerime Daci: Unë jam një vajzë e thjeshtë që ka përfunduar studimet për psikologji. Deri tani kam realizuar disa nga ëndrrat për të publikuar librat dhe revistat, që i kam pasur si synim.
CMG: Cili ka qenë vizioni juaj për jetën?
Qerime Daci: Vizionet e mia kanë qenë përherë të qarta dhe kam bërë çfarë kam dashur të bëj. Kam pasur përherë një shpirt guxues për të provuar një herë te vetme atë gjë që unë e kam cilësuar si të dashur për mua. Nëse do zgjidhja një vizion më kryesor ka qenë përherë shkrimi i librave. Unë kam pasur dëshirën që gjurmët e mendimeve të mia të jenë me rreshta librash.
CMG: A do doje ta ktheje kohën pas?
Qerime Daci: Po. Do të doja shumë të ktheja vitet e fëmijërisë, momente të paqta me dashuri të sinqertë dhe hapa të vegjël drejt ngritjes.
Në vendin ku unë jam rritur gjithçka ka qenë ndryshe nga sa tani.
Jemi rritur me çdo gjë të thjeshte me prindërit që na edukonin për sjelljen tonë sa më e mire dhe me ditë të cilat ishin të mbushura me lojëra të thjeshta. Do t’i cilësoja si vite të bardha.
CMG: Cili ka qenë njeriu që ju ka mbështetur me tepër në jetën tuaj?
Qerime Daci: Unë kam pasur një dorë shumë të ngrohtë që më ka qëndruar pranë përherë dhe që më ka mbështetur në momentet më të gëzuara, por edhe ato me te trishta. Manifestojmë bashkë arritjet dhe gjykojmë bashkë sfidat. Një motër është gjithmonë një dorë e ngrohtë, e cila të qëndron pranë në çdo moment kështu që unë në këtë pjesë e ndiej vetëm me fat dhe të mbrojtur.
CMG: Për çfarë do i dilje botës kundër?
Qerime Daci: Për veten. Unë i kam dalë botës kundër për drejtimin tim.
Kujtoj momentin kur më është dashur që në përfundim të ciklit të studimeve në gjimnaz u drejtova në universitetit e pavarësisht komenteve të njerëzve dhe fjalëve të tyre unë ju dola kundër dhe ju thashë "Jeta ime, dëshira ime".
Asgjë nuk ndryshova për botën. Mendimet i kisha të qarta, dëshirat i kisha të qarta dhe vendimin e mora shpejt.
CMG: Libri yt i parë për çfarë flet dhe si ndihesh që tanimë ke botuar 3?
Qerime Daci: Sot në sirtar kam 3 libra që i kam shkruar unë dhe ndihem mirë. Kam shumë për të shkruar apo kam shumë për të dhënë në këtë fushë. Megjithatë,"Dua të njoh" ka qenë një dëshirë e imja dedikuar njerëzve që duan të njohin veten në raport me ndjenjat, por edhe në raport me dikë tjetër.
CMG: Kush e ka lexuar i pari librin tuaj?
Qerime Daci: Motra ime! Ajo ka qenë e para që e ka mbajtur në dorë librin dhe e ka lexuar dhe mesazhi i saj me siguri që unë ja kisha dale, më bëri të besoj që unë mundem të vazhdoj të punoj dhe vërtet t'ia dal.
CMG: Ju drejtorni një emision në kategorinë psikologji. Për çfarë kanë më tepër nevojë njerëzit?
Qerime Daci: Njerëzit më shumë nevojë kanë për mesazhe pozitive.
Janë treguar të gatshëm të më ndjekin dhe të më referojnë edhe tema.
Jam përpjekur që edhe të zgjidh çështje të ndryshme dhe kjo si një vajzë në këtë profesion mua më jep kënaqësi. Por ajo që vërtet me ka bere përshtypje është fakti që njerëzit duan mesazhe pozitive.
CMG: Çfarë duhet të bëjnë ndryshe të rinjtë?
Qerime Daci: Ata duhet të shihen në pasqyrën e jetës. Të ndërtojnë baza mbi ato çka kanë lexuar në libra dhe jo në rrjete sociale dhe mbi të gjitha ata duhet të guxojnë!
Intervistoi Megi Latifi