E ka nisur punën duke pastruar kuzhinat e restoranteve dhe sot është mes 150 shefave më të mirë të kulinarisë në botë. Ky është Ravajol Hasani, shqiptarin i cili jeton në Qipro dhe po korr sukses atje me karrierën e tij. Ravajoli është larguar që katër vjeç nga Shqipëria, duke u zhvendosur me familjen në Greqi atje ku ka ngritur themelet e profesionit të tij pas studimeve në fushën e gastronomisë në Greqi dhe Francë. Në Qipro thotë se ka gjetur terren për të bërë realitet ëndrrën e tij dhe ndjehet i vlerësuar.
Shefi R. Hasani (Facebook)
“ Karriera ime nisi para shumë vitesh në moshë shumë të vogël. Jemi krijuar si familje në Greqi në kryeqytetin grek në Athinë. Që në moshë 16-17 vjeç si çdo fëmijë nisa punë duke pastruar restorantet dhe kuzhinat dhe avash- avash fillova hapat e para. Qipro më jep të gjitha materialet dhe një jetesë më të qetë. Është një vend ku vlerësohesh për profesionin që ushtron, për punën që bën dhe të jep gjithë mundësinë të zhvillohesh dhe të rritësh vlerat e tua. Të jep një stabilitet të mirë dhe një jetesë akoma më të mirë. Qipro ka harmoninë, zhvillimin si një vend evropian dhe të jep një mundësi më të mirë që të rrisësh, zhvillosh dhe të vlerësosh profesionin që ushtron dhe punën që bën”-shprehet Ravajol Hasani.
Viti që lamë pas ka qenë intensiv dhe me surpriza për shef Ravajolin. Performanca dhe arritjet e tij janë vlerësuar edhe me çmime të larta. Prej vitesh Ravajoli ka marrë çmime ndërkombëtare, por 2022 duket se është më i suksesshmi, pasi është renditur në top listën e gastronomisë botërore, si ambasador kulinarie dhe është vlerësuar si një nga 150 shefat më të mirë në botë.
R. Hasani gjatë punës (Facebook)
“ Vlerësimi si ambasador kuzhine ka filluar këtu dhe 4 vjet më parë. Kam fatin dhe mundësinë të vlerësohem çdo vit kështu dhe të mbaj titullin dhe të arrij gjëra më të larta. Ky vlerësim jepet nga 170 vende dhe vlerësohesh për performancën dhe për arritjen që bën. Sivjet kisha kënaqësinë përveçse ambasador për 2022-shin të vlerësohem dhe brenda 150 shefave më të mirë në botë, të bëhem platinium në vlerësimin që marr këtu dhe 3 vjet që e mbaj. Kjo më jep mua mundësinë të shpërblehem për gjithë këto vite punë, sakrificë. Shpërblejnë të gjithë njerëzit që punojnë me mua ditë për ditë në të gjitha restorantet dhe projektet e mia në këtë fushë. Kështu që jam i lumtur që dhe kësaj radhe për këtë vit arrita vlerësimet që mundohem çdo vit të marr. Ky vlerësim aktualisht plotëson një seri vlerësimesh mbi 10 ndërkombëtare dhe më jep mua mundësinë të arrij gjëra dhe të mundohem për gjëra më të mëdha dhe më të mira për vitet që do vijnë”- thotë Ravajoli.
E ndërsa zyrën dhe ekipin e tij e ka në Qipro projektet janë në vende të ndryshme të botës në Europë, Azi dhe Amerikë. Aktualisht ai ndodhet në Qipro dhe brenda muajit mars pritet të udhëtojë drejt New York-ut ku është angazhuar me krijimin dhe realizimin e menuve në restorante prestigjoze.
R. hasani duke mësuar të rinjtë (Facebook)
“ Projektet e ardhshme janë shumë më të mëdha dhe më të bukura. Sërish po punojmë për projektin e radhës që do të bëhet një mbrëmje e veçantë në Gjermani, një mbrëmje VIP dhe një gala mbrëmje. Këtu do të marr pjesë dhe kam fatin që të gatuaj unë për personazhe nga tërë vendet e botës, kështu që do të jetë shumë interesant. Më vonë do të vijë projekti i radhës ku është New York-u. Atje do të krijohen tre restorante shumë cilësore dhe shumë të mirë. Do të mundohem të realizoj dhe këtë ëndërr, të mundohem të zhvilloj një projekt më të veçantë dhe një projekt shumë interesant në New York dhe do të jetë dhe për mua një sfidë personale ku do të fokusohem për më të mirën dhe atje të mundohem të garoj në një treg shumë të vështirë. Besoj dhe jam i bindur që do t’ia dal sepse po e planifikojmë këtu një vit këtë projekt. Kështu që mund të them që është një nga projektet më të mëdha që do të mundem të realizoj”- thotë Ravajoli.
Shefi kuzhinës na tregon më shumë rreth rolit të tij në punën e përditshme.
Shefat e kuzhinës botërore, fitues të çmimit (Facebook)
“Puna ime aktuale ushtrohet nga shumë aspekte. Në radhë të parë mundohem të ndihmoj bizneset, restorantet, hotelet në çdo vend të botës, t’i suportoj. Mundohem të krijoj projekte ushqimore të veçanta përsëri në shumë vende dhe i kam realizuar. Mundohem të certifikoj brezin e ri të kuzhinierëve, të certifikoj restorantet dhe hotelet për performancën që bëjnë dhe për standardet që kanë, të rinjtë që kanë ëndërr të arrijnë këtë fushë. Është e ardhmja jonë. Më ka dhënë këtë mundësi dhe Franca për certifikimin e të rinjve dhe mundohem përveç kësaj të jap konsulencën time aty ku duhet, aty ku ka nevojë. Gjithashtu punoj me restorantet këtu ku jetoj dhe suportoj gjysmën e tregut. Më i rëndësishëm është gatimi im në vendet e ndryshme ku mund të më thërrasin të qëndroj në ambientin atje dhe të mundohem t’i jap nje cilësi më të veçantë.”
Për të rinjtë shqiptarë shef Ravajoli ka një mesazh ku i kujton se një ditë mundi dhe dashuria për punën do të shpërblehen.
R. Hasani shef kuzhine (Facebook)
“Një mesazh për të rinjtë që duan të merren me këtë fushë. Ajo që dua të them është që gjithmonë të fokusohen, të arrijnë ëndrrat, mos të dorëzohen, të kenë durim, pasion, të bëjnë sakrificë dhe jam i bindur që një ditë pas shumë vitesh do të shpërblehen. Kjo është e sigurt dhe gjithë kjo dashuri që do ta japin do ta marrin dyfish.”
E ardhmja duket e ndritur për Ravajolin, i cili nuk ka rreshtur së punuari çdo ditë për suksesin e tij.