Ergjënd Liçi punon si infermier prej 10 vitesh. Ai që në fëmijëri ka qenë i pasionuar edhe pas gazetarisë dhe radios në veçanti. Puna e përditëshme e tij si infermier në shërbim të njerëzve i ka dhënë gjithmonë kënaqësi, duke e dashuruar këtë profesion. Në një intervistë për CMG, ai tregon për rrugëtimin e tij profesinal si dhe pasionin që ka për muzikën dhe radion.
Ergjend Lici gjate punes si infermier (facebook)
CMG: Keni disa vite që ushtroni profesionin e infermierit. Si jeni ndjerë gjatë këtyre viteve në përkushtim të njerëzve?
Ergjënd Liçi: Unë kam 10 vite që e ushtroj me shumë pasion profesionin e infermierit dhe për mua është një profesion i cili është aq i mirë, por dhe aq i vështirë. Të kujdesesh për njeriun është diçka magjike për mua.
CMG: Këtë profesion e keni zgjedhur vetë dhe a ka qenë ky një pasion i juaji i hershëm?
Ergjënd Liçi: Patjetër që e kam pasion dhe këtë pasion e kam marrë që në fëmijëri duke ndjekur një emisionet mjekësore që transemtoheshin në Televizioni Shqiptar i cili është “Trupi dhe shëndeti”, i drejtuar nga mjeku dhe gazetari i mirënjohur Flamur Topi.
Ergjend Lici me koleget e tij (Facebook)
CMG: Ky emision bëri që ju të studionit në degën e infermierisë?
Ergjënd Liçi: Që në fëmijëri ndoshta po, sepse e kam ndjekur rregullisht këtë emision dhe vazhdoj e ndjek akoma.
CMG: Pasi përfunduat studimet dhe filluat të punonit si infermier, sa i lehtë apo i vështirë ju duk si profesion?
Ergjënd Liçi: Është i mirë dhe i vështirë njëkohësisht, sepse unë në këtë profesion që ushtroj kam jetën time dhe jetën e dikujt tjetër në dorën time. Pra nuk është aq i lehtë ta ushtrosh si profesion.
CMG: Ku punoni aktualisht?
Ergjënd Liçi: Jam në një institucion privat dhe aty ndjehem shumë komod sikur jam në shtëpinë time.
CMG: Përveç mjekësisë keni pasur të tjera pasione në jetë?
Ergjënd Liçi: Një pasion tjetër i imi është gazetaria ose radio në përgjithësi. Unë jam rritur me radion dhe që në moshën 4 vjeçare jam rritur me radio përrallën, me radiodramatizimet që transmetonte Radio Tirana, e cila është një thesar për të gjithë duke transmetuar kulturë. Unë ndjehem i lumtur që jam rritur me radion dhe vazhdoj të jem besnik i saj.
CMG: Vazhdon ta duash radion si në fillimet tuaja?
Ergjënd Liçi: Unë vazhdoj ta dëgjoj radion me të njëjtin pasion sepse taknologjia e sotme radion na e ka ofruar akoma më shumë. Radion e kemi me vete kudo ku shkojmë sepse tani kemi teknologjinë e internetit, e cila e ka zhvilluar akoma më shumë.
CMG: Ju ka mbetur peng që nuk jeni bërë gazetar, apo moderator në radio?
Ergjënd Liçi: Anglezi thotë një shprehje “kurrë mos thuaj kurrë”, dhe unë nuk e di, ndoshta mund ta ushtroj këtë profesion ndonjë ditë në të ardhmen.
CMG: Çfarë të bën Ergjënd që të qëndrosh në vendin tënd?
Ergjënd Liçi: Këtu unë jam në vendin tim. Populli thotë një shprehje, “guri i rëndë në vend të vet”. Të punosh për vendin tënd është mrekulli, por unë them dhe këtë gjë që të gjithë atë që kanë ikur, do të vijë një ditë që do të rikthehen prapë në vendin e tyre. Nuk mund të ndjehesh rehat në vend të huaj ashtu siç ndjehesh në vendin tënd.
CMG: Ju keni lindur në qytetin e Korçës. E vizitoni shpesh vendlindjen gjatë kohës së lirë?
Ergjënd Liçi: Unë Korçën e vizitoj sa herë që marr pushimet. Malli për vendlindjen është shumë i shtrenjtë. Unë përveç profesionit të infermierit kam dhe pasionet e mia ku një prej tyre është gazetaria dhe letërsia. Unë edhe shkruaj dhe kam bërë disa poezi ku njëra prej poezive që kam shkruar është për vendlindjen time, Korçën ku në varguan e fundit them që dhe në fund të botës të shkoj si vendlindja nuk gjej vend tjetër.
CMG: Një hobi tjetër i juaji është edhe muzika, sidomos muzika e pastër shqiptare ku ju ndiqni çdo festival të këngës së lehtë shqiptare.
Ergjënd Liçi: Unë që në moshë të vogël kam ndjekur të gjitha festivalet e këngës së lehtë në RTSH që gjithashtu transmetoheshin dhe në radio. Unë vazhdoj ta ndjek festivalin, gjithashtu kam qenë edhe prezent në sale, duke e ndjekur drejtpërdrejt dhe më ka dhënë një emocion të paimagjinueshëm. Unë e kam shumë pasion këngën dhe mendoj se është pak për të ardhur keq që në shekullin e ri erdhi dhe një ndryshim i ri, i cili dhe në pjesën e artit dhe muzikës nuk solli më atë origjinalitet që ishte, por tani po shohim vetëm imazh dhe jo profesionalizëm.
Ergjend Lici me kengetaren Irma Libohova (Facebook)
CMG: Si është një ditë e juaja e zakonshme në Tiranë?
Ergjënd Liçi: Dita e zakonshme është rutina e përditëshme nëse flasim për ditët nga e hëna në të premte. Sapo ngrihem në mëngjes bëhem gati për në punë, kur kthehem nga puna ulem dhe pi një kafe ndoshta me kolegë apo dhe ndonjë mik. Kur shkoj në shtëpi dëgjoj radion, radion e dëgjoj edhe në mëngjes dhe gjatë rrugës për në punë. Unë gjithmonë jam me radion sepse është qetësuese dhe të largon stresin.
CMG: Një dhunti tjetër e juaja është edhe poezia ku keni shkruar disa të tilla. I keni botuar këto poezi?
Ergjënd Liçi: Poezitë që kam shkruar janë thjesht në letër dhe nuk kam menduar akoma për t’i botuar. Ndërkohë që kam publikuar një ose dy nga poezitë e mia. Gjithashtu i kam konsultuar edhe me miqtë e mi gazetarë, shkrimtarë dhe artistë të cilët i kanë pëlqyer dhe më kanë vlerësuar.
Ergjend Lici ne interviste per CMG
CMG: Çfarë kënaqësie merrni nga puna juaj e përditëshme si infermier?
Ergjën Liçi: Është ajo vlera shpirtërore sepse të kujdesesh për një njeri, ti jep shpirtin tënd dhe ndjen një kënaqësi të paimagjinueshme, dhe për mua është e papërshkrueshme.
CMG: Së fundi një përshëndetje për miqtë tuaj dhe dëgjuesit e radios.
Ergjënd Liçi: Në radhë të parë të falenderoj ty për ftesën, dhe përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani. Një përshëndetje kam edhe për familjen time si dhe kolegët e mi të punës.
CMG: Faleminderit për intervistën dhe sukese në punë tuaj.
Ergjënd Liçi: Faleminderit për ftesën dhe ishte kënaqësi.
Intervistoi: Gazmend Agaj