Anxhelina Mile ka përfunduar studimet për psikologji në Universitetin Europian të Tiranës dhe tani ndjek masterin. Pas një eksperience në organizata të ndryshme si punonjëse sociale, Angjelina tani është bashkuar pranë kompanisë “Beta Marketing”, si agjente. Një nga pasionet e saj është pastrimi, ndaj ajo synon që nëpërmjet kësaj të arrijë të ndërtojë edhe një biznes të sajin. Anxhelina Mile, pjesë e komunitetit egjiptian në Shqipëri është rritur në vështirësi ekonomike. por beson në ëndrrat e saj.

CMG : Anxhelina, si kanë qenë ngjyrat e fëmijërisë suaj?

Anxhelina Mile : Fëmijëria e çdo njeriu duhet të jetë e bukur dhe me ngjyra, por e imja nuk ka qenë plotësisht ashtu. Unë e kam jetuar dhe shijuar, por e kam kuptuar që nuk ka qenë ashtu. Kam jetuar me mamin dhe tre motrat, pa prezencën e babait dhe kjo ka qenë një sfidë për ne.

CMG : A ka qenë i vështirë orientimi juaj drejt jetës?

Anxhelina Mile : Për ne ka qenë e vështirë, sepse kemi pritur që babai ynë të hiqte dorë nga jeta që bënte për t'iu përkushtuar familjes, por nuk e bëri. Ju desh nënës sime që të merrte drejtimin e familjes dhe të kujdesej për ne disa herë më shumë.

CMG : Çfarë nuk duhet t’i mungojë një familje, Anxhelina?

Anxhelina Mile: Nuk duhet t’i mungojë stabiliteti. Familja nuk duhet të jetë vatër shqetësimesh, por një ambient ku fëmijët të rriten me dashuri dhe përkushtim. Unë këtë e kam mësuar nga familja ime. Lagjja fliste për problemet tona dhe kjo më shqetësonte tepër. Kemi pasur momente që na kanë nxjerrë menjëherë nga shtëpia, kur ishte babai i alkoolizuar. Ndaj jeta ime ka qenë një mësim për mënyrën se si unë e kam jetuar atë.

CMG: Çfarë është më tepër e vështirë barriera ekonomike apo emocionale?

Anxhelina Mile: Momentet që kam kaluar janë për të mësuar për gjithë jetën dhe e them me bindje se barriera emocionale ka qenë më e vështirë se ajo ekonomike. Pavarësisht se ne i kemi përjetuar të dyja vështirësitë, ajo që kam kaluar emocionalisht ka qenë më vështirë.

CMG : Kujt i je mirënjohëse në jetë? A ka shoqëria pjesën e vet të përgjegjësie tek ty?

Anxhelina Mile : Mirënjohëse unë i jam çdo njeriu që pati durimin dhe besimin tek unë, për të më ndihmuar në çdo moment. Që tek lagjja në fshatin tim, e cila ka qëndruar derëhapur për mua, e deri tek çdo njeri tjetër që ka qenë prezent. Mirënjohja është vlera më e lartë që ne kemi në shoqëri dhe unë e kam pjesë të vetes dhe natyrës sime.

CMG : Më pas ju zhvilluat studimet. Si ju pritën në universitet?

Anxhelina Mile: Unë studiova dhe pata një mbështetje shumë të madhe nga universiteti sepse pata vështirësi të mëdha ekonomike dhe në kushte të tilla përtej dëshirës për të studiuar, jam ndjerë e paragjykuar. Por çdo gjë shkoi mirë dhe unë nisa të studio. Mësimet shkuan tepër mire dhe sot e kam mbyllur ciklin. Më pas çdo gjë ndryshoi në jetën time. Me startimin e studimeve unë nisa të angazhohem më tepër ne shoqëri dhe të kem një besim më të larte në vete dhe në atë që unë mund të bëj.

CMG : A gjetët vështirësi për tregun e punësimit?

Anxhelina Mile: Tregu gjithnjë është i vështirë, por dhe alternativ. Unë kam një pasion të madh që është pastrimi dhe këtë e kam kthyer tashmë edhe në profesion. Pa lënë mënjanë studimet unë u fokusova edhe në këtë fushë. Pastrimi është një nga gjerat që unë bëj me shumë dëshirë. E kuptoj që e bëj pa përtesë dhe i dedikohem. E kam nisur duke pastruar shtëpi të miqve të mi dhe kështu e ktheva në profesion, ndërsa në të ardhmen dua të ndërtoj një biznes ku të bëj bashkë një grup zonjash, të cilat pastrojnë.

CMG : Kjo ide ju lindi nga nevoja për të punuar, apo nga pasioni?

Anxhelina Mile : Kjo ide lindi nga të dyja këto arsye bashkë. Unë jam e vetëpunësuar dhe e ndiej që njerëzit më besojnë. Dua të shoh veten time tek ndihmoj, siç mua më kanë ndihmuar. Gjithçka ka nisur nga punët që unë bëja part- time. Më pas si një e re që kërkon të nxjerrë pak më shumë të ardhura, nisa të nxjerr njoftime në gazeta për t’u punësuar.

CMG : Si është familja ideale për ty?

Anxhelina Mile: Babai im ka nderuar jetë tashmë. Por edhe pse të ndarë apo me shume problem, për mua ideale ka qenë përherë që të kërkojmë falje. Në një familje ideale kërkohet falje dhe ne e falëm babain tone, pavarësisht vështirësive që na ka krijuar qysh prej fëmijërisë.

CMG : Si është figura e gruas në sytë e tu?

Anxhelina Mile : E forte, si nëna ime. Ajo ka kaluar gjjthçka në vetveten e saj për të na mbrojtur ne. Ka qenë një grua e fortë dhe këtë mirësi, fortësi apo gjithçka tjetër na i përcolli edhe ne. Jemi produkt i saj. E njohin të gjithë për figurën e saj të fortë. Ajo rriti 4 vajza dhe vijon ende të punojë për ne.

CMG : Cili është mesazhi që ti ke për "Familjen"?

Anxhelina Mile : Pavarësisht çdo gjëje që një njeri kalon, ato janë shenja për t’u rritur dhe pjekur. Dhuna në familje nuk duhet të perceptohet, por nëse kemi mundësi të bëjmë diçka të bukur në jetë, është të falim. Në fund të çdo gjëje mos harrojmë ata që na sollën në jetë. Familja është rreze drite dhe falë saj ne vijmë në këtë botë.

Intervistoi Megi Latifi