Kur bota është prekur thellësisht prej variantit më ngjitës të koronavirusit të ri "Omicron", kërkesat për kuti testimi janë në rritje të ndjeshme.

Si një ndër prodhueset kryesore, Kina po përshpejton prodhimin për të plotësuar kërkesat, duke mbështetur përpjekjet globale antipandemike, edhe gjatë Festës së Pranverës (Vitit të Ri Kinez).

Song Xiaoyu zgjodhi të mos kthehej në vendlindjen e saj rreth 1000 kilometra larg, Jingzhou i provincës Hubei të Kinës Qendrore, për ribashkimin familjar, zakoni më i rëndësishëm tradicional gjatë Festës së Pranverës. Në vend të kësaj, ajo prodhoi kuti testimi në një fabrikë në qytetin Guangzhou të Kinës Jugore.

Song punon për ‘’Wondfo Biotech‘’, një kompani që merret me prodhimin e kutive të testimit të COVID-19, shumica e të cilave eksportohen në vendet europiane dhe aziatike.

“E konsideroj më shumë se një punë, si një përgjegjësi. Garantimi i cilësisë së këtyre kutive ka domethënie të madhe në luftën antipandemike. Edhe shumë kolegë të mi në departamentet e tjera kanë dhënë ndihmë për shtimin e prodhimit gjatë pushimeve të festës”, tha Song Xiaoyu.

Sipas saj, kompania i dha subvencione e dhurata për festën dhe do t’i japë leje pas kësaj periudhe.

Të dhënat statistikore tregojnë se vëllimi i eksportit të kutive të testimit të COVID-19 i kaloi 1.6 miliard dollarët amerikanë dhjetorin e kaluar, një rritje 144% në krahasim me nëntorin.

Që nga janari, shumë klientë të huaj zgjodhën të bënin porosi për të pasur produkte të mjaftueshme në magazina, duke pasur parasysh presionin ndaj logjistikës për shkak të Festës së Pranverës, kur punëtorët e shumë fabrikave kthehen në vendlindje për të kaluar festën më të rëndësishme të gjithë vitit.

Por sivjet, shumë kompani nuk e ndërprenë prodhimin dhe, në saje të zinxhirit të plotë të furnizimit në Kinë, ato ishin në gjendje të mbanin kapacitetin e vet prodhues.

Për shembull, "Wondfo Biotech" ka mbi 400 furnizues të lëndëve të para dhe është përgatitur për të gjetur kandidatë të rinj për të garantuar lëndët e para kryesore. Të gjitha këto i mundësojnë të përmbushë kërkesat e rritura.

Kompania tjetër, "Guangdong Hybribio Biotech", ka ngritur nivelin e automatizimit, ka përmirësuar pajisjet dhe ka shtuar linjat e reja të prodhimit.

Ndërkohë, "BGI Genomics", një ndër kompanitë më të mëdha kineze për studimin dhe prodhimin e produkteve gjenetike, bëri investime të drejtpërdrejta në Etiopi për të ndërtuar një fabrikë të kutive të testimit. Sipas planifikimit, fabrika, pas përurimit, mund të prodhojë 10 milionë njësi në vit, gjë që jo vetëm do ta ndihmojë Etiopinë të zotërojë produkte me çmim më të arsyeshëm, por edhe mund të kontribuuojë në luftën e Afrikës kundër pandemisë. Siç mësohet, shumica e vendeve të punës atje janë të zëna nga banorë vendorë, një pjesë e mirë e të cilëve janë edhe në ekipin menaxhues.(Foto:VCG)