Valbona Begolli që nga viti 2013 ka një përvojë të konsoliduar si trajnere dhe eksperte në seancat e trajnimit për shërbimin e pastrimit në akomodime të strukturuara si hotele, ndërtesa dhe spitale. Zhvillimi i këtyre moduleve dhe sesioneve ka ndikuar pozitivisht te pjesëmarrësit si një shembull konkret suksesi dhe lidershipi.

Valbona Begolli (Facebook)

Valbona Begolli (Facebook)

Ajo ka zhvilluar dhe është përfshirë në ofrimin e trajnimeve teorike dhe praktike për pastrim për një sërë hotelesh në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Shkodër, një projekt i mbështetur nga SwissContact.

Ndërsa vitin e kaluar Valbona ka realizuar disa trajnime në qytetin e Korçës për projektin me “Giz Proseed në Shtëpinë” dhe i fundit ishte në Gjirokastër dhe Sarandë, projekt i mbështetur sërish nga “Giz ProSeed” me temë "Mirëmbajtja e Shtëpisë dhe Etika e Punës".

Valbona Begolli është themeluese e Dhomës Ekonomike të Grave, e cila vjen si një nismë e grave sipërmarrëse dhe profesioniste me përvojë dekadash në fushat e tyre, për të mbrojtur interesat ekonomike dhe sociale të grave sipërmarrëse, profesioniste dhe të vetëpunësuara në të gjitha fushat

CMG: Valbona, ju si grua sa e arritur ndiheni?

Valbona Begolli: Kjo është pyetja më e vështirë që i bëhet çdo njeriu. Aq herë sa mua më pyesin për veten e ndiej që është e vështirë por di të them që e njoh veten si një grua e guximshme dhe tepër kurajoze. Tani që e mendoj, ne sa vjen dhe e kuptojmë më tepër veten.

CMG: A është fëmijëria juaj themel për këtë që përfaqësoni sot?

Valbona Begolli intervistë për CMG (CMG)

Valbona Begolli intervistë për CMG (CMG)

Valbona Begolli: Fëmijëria është absolutisht ajo që unë jam sot dhe këtë e them me bindje. Por për profesionin që unë kam ndjekur jo plotësisht, pasi unë kam dashur që të jem juriste në profesion, por nuk e ndoqa atë ëndërr. Fëmijëria ime kreative ka ndikuar edhe në klimën që i kam ofruar biznesit tashmë. Një bashkëjetesë e bukur që krijohej mes meje dhe natyrës gjë që sot mungon tek fëmijët e mi. Do të doja shumë që ata të jetonin me kafshët me natyrën sikundër unë.

CMG: Çfarë ka ndryshuar dhe çfarë nuk ka ndryshuar tek ju, përtej faktit që vitet fluturojnë?

Valbona Begolli: Sfida me veten nuk ka përfunduar kurrë.

Në fakt dikur flisja shumë pak dhe dëgjoja më shumë. Kam qenë tepër e ndrojtur, ndërsa sot flas më shumë. Kujtoj fillimet e mia në biznes që ishin me shumë pak dalje në botën e medias, sepse unë nuk preferoja.

Mendoj që deri në një farë moshe njerëzit mund të grumbullojnë dije e më pas të fillojnë t’i aplikojnë apo t’i ndajnë me të tjerët.

CMG: E keni ndarë jetën mes Shqipërisë dhe Greqisë. Cila është pika e takimet mes dy vendeve, kur bëhet fjalë për biznes?

Valbona Begolli: Kam jetuar gati 20 vite atje dhe është vendi im i dytë që absolutisht më ka diktuar shumë për jetën, punën apo marrëdhëniet në tërësinë e tyre.

Dhoma Ekonomike e Gruas (Facebook)

Dhoma Ekonomike e Gruas (Facebook)

Shteti grek, ndonëse shumë afër nesh dukshëm, ka një tjetër traditë kur bëhet fjalë për të mbrojtur zakonet dhe disa nga principet e tyre.

Unë jam kjo që jam sot falë një kulture qe e mora aty. U rrita duke synuar të jem e qartë për objektivat që unë vendos.

CMG: Cilat janë objektivat që ja keni vendosur vetes?

Valbona Begolli: Vetes gjithmonë jam përpjekur t’i vendos objektiva.

Kam dashur gjithnjë të bëj gjëra plus në jetën time dhe fokusi nuk është vetëm studimi. Njeriu duhet të fokusohet që të bëjë disa kualifikime më tepër. Mendoj që një fëmijë duhet të zhvillohet shumë dhe të jetë i aftë për shumë gjëra njëkohësisht.

CMG: Çfarë sfidash keni ju si grua në biznes?

Valbona Begolli: E vërteta është që ne jemi vend patriarkal dhe gjithmonë gratë kanë pasur qëllimin që burrat t’i mbajnë apo kujdesen për to. Gradualisht kjo gjë ka ndryshuar dhe gratë kanë filluar që të marrin vendime. Unë nuk e kam gjykuar kurrë veten që jam grua në sipërmarrje. Sipërmarrja nuk ka gjini...

CMG: Së fundi keni themeluar edhe Dhomën Ekonomike të Gruas në Shqipëri. Si lindi kjo ide?

Valbona Begolli: Doja të theksoja network-un, sepse duke pasur një qëllim të përbashkët kemi më shumë mundësi që të ndryshojmë diçka.

Për të qenë pjesë e tavolinave të rëndësishme ku vendoset për biznesin.

Dhoma Ekonomike e Gruas (Facebook)

Dhoma Ekonomike e Gruas (Facebook)

Gjithçka zhvillohet duke u bërë bashkë edhe me rajonin sepse mund të krijojmë ekspertizë më të gjerë.

CMG: A është e ardhmja e gruas në Shqipëri?

Valbona Begolli: Po! Ka shumë punë, por mendoj që jemi drejt asaj rruge.

CMG: Jeta është punë apo fat?

Valbona Begolli: Para shumë kohësh mendoja që është luftë, por tani kam ndryshuar. "Jeta është ndërtuar për t’u shijuar ". Duke qenë që jam një menaxhere e mirë mendoj që koha është fitorja jonë më e madhe.

CMG: Cilët njerëz ju kanë qëndruar më pranë?

Valbona Begolli : Unë kam dy kolona të rëndësishme në jetë, vëllain tim që është pjesë e biznesit tim dhe bashkëshortin, i cili ka qenë një suport i madh për mua.

CMG: Mësimi që keni nxjerre nga jeta?

Valbona Begolli: Duhet të ëndërrojmë. Suksesi nuk është vetëm të kesh biznes, por të jesh i shëndetshëm, të kesh një familje të bukur dhe jetë të qetë. Me njerëzit duhet të jemi udhëtarë dhe jo kundërshtarë, sepse ne jemi të gjithë unik në llojin tonë

Intervistoi Megi Latifi