Jo çdo gjë që hamë ka të njëjtën peshë për mjedisin. Një studim i botuar në “American Journal of Clinical Nutrition” sugjeron se disa ushqime kanë një ndikim kaq të lartë saqë, nëse do të ishim në gjendje t'i eliminonim nga dieta jonë, t'i zëvendësonim me ushqime ekuivalente, por më pak me ndikim, përfitimet për Tokën do të ishin të mëdha.
Studimi është një analizë krahasuese e ndikimit të një game të gjerë ushqimesh, e krahasuar me zakonet e të ngrënit të amerikanëve. Duke e trajtuar në këtë prizëm gjeografikisht rezultatet e marra janë të lidhura drejtpërdrejt me dietën amerikane dhe për këtë arsye jo domosdoshmërisht të zbatueshme siç janë në kontekste të tjera. Eksperimenti i mendimit, megjithatë, është interesant. Pyetja e shtruar nga ekipi hulumtues është: Nëse do t'ju thoshin të hiqni dorë nga ushqimi më me ndikim ndër ato që konsumoni rregullisht, çfarë përfitimesh do të kishte planeti?
Në rastin e Shteteve të Bashkuara, ushqimi më me ndikim ndër ato që konsumohen rregullisht është mishi i viçit. Rreth 20% e amerikanëve hanë të paktën një porcion në ditë. Dhe janë konsumatorët e rregullt ata që japin të dhënat më interesante.
Grupi i udhëhequr nga Donald Rose i Universitetit Tulane, në Neë Orleans, llogariti se çfarë do të ndodhte nëse këta 20% të amerikanëve zëvendësonin konsumin e tyre të përditshëm të mishit të viçit me mish me më pak ndikim mjedisor, si gjeli i detit.
Rezultatet? Emetimet e shkaktuara nga dieta e tyre, ose më mirë nga zinxhiri i prodhimit që sjell mishin nga fermat në pjatën e tyre, do të binin me 48% dhe konsumi i ujit me 30%. Në terma absolutë, kjo do të thotë se emetimet e të gjithë Shteteve të Bashkuara do të bien me 9.6% dhe përdorimi i ujit me 5.9%, nëse vetëm 20% e popullsisë do të ndryshonte një pjatë të vetme të dietës së tyre.
Studimi propozon gjithashtu rezultatet në lidhje me ushqimet në dukje më pak me ndikim. Për shembull, zëvendësimi i karkalecave me merluc do të reduktonte emetimet me 34%, ndërsa, kur bëhet fjalë për ujin, zëvendësimi më i përshtatshëm do të ishte ai i asparagut me bizele, i cili do të reduktonte konsumin e ujit me 48%.
Natyrisht, është pothuajse e pamundur që miliona njerëz të ndryshojnë dietën e tyre brenda natës, dhe për më tepër dëmin ekonomik, por studimi thekson se edhe të ashtuquajturat "gjeste të vogla", të cilat shpesh nënvlerësohen ose, më keq, nëpërkëmben, mund të kenë një ndikim të madh.
Në shumicën e rasteve, fermat organike ndotin po aq sa ato konvencionale, ndonjëherë edhe më shumë. A ka ndonjë mënyrë për të shpëtuar mjedisin?
Konsumimi i mishit, përveçse është moralisht i dyshimtë për shumë njerëz, është përgjegjës për 12% të emetimeve globale të gazeve serrë. Për këtë arsye, prej disa kohësh janë kërkuar zgjidhje alternative për mbarështimin e kafshëve për therje, nga ato më novatoret, si zëvendësimi i mishit të kafshëve me mish të prodhuar artificialisht, deri te ato më tradicionale të bujqësisë jointensive, i quajtur në mënyrë jo të duhur organike, ku respektohet ritmi fiziologjik i rritjes së kafshëve, të cilat ushqehen me ushqim të patrajtuar.
Një studim i publikuar në “Nature Communications” heton ndikimin e prodhimit të mishit në klimë, duke theksuar se fermat jointensive ndotin po aq sa ato tradicionale.
Arsyet për këtë arritje të konsiderueshme janë të lidhura në mënyrë indirekte me rritjen e mirëqenies së kafshëve. Reduktimet e emetimeve nga fermat organike, të marra falë mospërdorimit të plehrave në prodhimin e ushqimit, në fakt kompensohen nga rritja e çlirimit të metanit për shkak të rritjes më të ngadalë të kafshëve dhe nevojës për të shtuar mbarështimin e tyre për të marrë të njëjtën sasi mishi, pasi kafshët e ushqyera në këtë mënyrë prodhojnë më pak mish.
Sipas studiuesve, zgjidhja e vetme për të frenuar emetimet nga prodhimi i mishit është shtimi i kostos mjedisore në çmimin e mishit. Për shembull, një taksë për mishin, llogaritin ekspertët, do të rriste me 40% çmimin e viçit të kultivuar tradicionalisht. Mishi organik, nga ana tjetër, do t'i kushtonte konsumatorit 25% më shumë, por vetëm sepse çmimi i tij tashmë është më i lartë.
Po ashtu do të rriteshin edhe çmimet e produkteve të qumështit. Në këtë mënyrë, mbase, duke prekur çelësat ekonomikë dhe jo moralë, konsumi i mishit do të ulej dhe kafshët dhe mjedisi do të merrnin frymë të lehtësuar.
“Duhet të reduktojmë në mënyrë drastike konsumin e mishit dhe produkteve të qumështit”, -ishte një thirrje e bërë ndaj çdo qytetari të botës nga Aimable Uëizeye, drejtuese e politikave blegtorale të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO).
Në një studim të fundit, një ekip ndërkombëtar studiuesish i koordinuar nga FAO theksoi se si emetimet e azotit që i atribuohen fermave janë më të larta se ato që mund të mbajë planeti. Rreth 65 milionë tonë në vit, sipas vlerësimeve, që është shumë përtej kufirit prej 62 milionë tonësh/vit, i konsideruar nga ekspertët si maksimumi që mund të përthithet spontanisht nga Toka.
Është e vërtetë që emetimet nga fermat duhet t'i shtohen atyre të prodhuara nga plehrat e përdorura në bujqësi, por është e qartë se sasitë e përfshira janë ende shumë. “Zgjidhjet e miratuara nga sektori i bujqësisë i shërbejnë vetëm zbutjes së një situate shumë të rëndë dhe shtrohet pyetja se ku do të ishim nëse ato nuk do të zbatoheshin. E vetmja zgjidhje është që një pjesë e botës të angazhohet për të konsumuar më pak mish dhe më pak produkte të qumështit, duke ulur kështu ndikimin e bujqësisë”, shpjegojnë studiuesit.
FAO ka nisur tashmë diskutimet me shumë vende të botës, me synimin për t’i kujtuar politikës se nuk ka vetëm CO2 për të luftuar, për të cilin gjithsesi nuk po bëhet mjaftueshëm, por ka edhe shkarkime të azotit, për të cilat po bëhet edhe më pak.
Shkaku kryesor i problemit, i vlerësuar në rreth 68%, gjendet në përdorimin masiv të plehrave të përdorura për kulturat e nevojshme për të ushqyer kafshët, ndërsa pjesa tjetër i atribuohet pothuajse tërësisht zinxhirit të asgjësimit të plehut organik.
Industritë e vërteta të mishit, të cilat megjithatë nuk kanë aftësinë për të asgjësuar siç duhet plehun, shpesh e braktisin në landfille të frikshme dhe gjigante. Në renditjen e fermave më ndotëse janë ato të gjedhëve, pastaj derrave. Nga pikëpamja e ndotësve, nga ana tjetër, më e qëndrueshme duket rritja e shpendëve, e cila sipas të gjitha studimeve emeton më pak azot për kg mish të prodhuar.
Përgatiti: Irma Paloli