Arbër Agalliu, i lindur në Berat në vitin 1988 është një gazetar shqiptar me shtetësi italiane.Kur ishte 10 vjeç ai bashkë me familjen u zhvendos në Itali, ku ende jeton midis qyteteve të Firences dhe Peruxhës.
Gazetar dhe videomaker i gazetës italo-shqiptare “AlbaniaNews”, në të cilën i dedikon hapësirë të gjerë komunitetit arbëresh, duke realizuar reportazhe në të gjithë Italinë, Arbri është dhe autori i programit "Toscana senza frontiere"(Toskana pa kufij) në televizionin rajonal ToscanaTV, në të cilin realizon video-intervista që tregojnë histori pozitive të integrimit të emigrantëve që banojnë në Itali. Ai bashkëpunon me gazeta të ndryshme italiane, veçanërisht me “Frontiere News”.
Arbër Agalliu(Instragram)
Në vitin 2019 Arbri është vlerësuar me çmimin "Moda Movie 2019" në Kozenca të Kalabrisë për reportazhet e shumta mbi komunitetin arbëresh në Itali.
Më 21 Mars 2021, gjatë nismës "Milano: Sfida Antirazista"(Milano: Sfidë kundër racizmit) e mbajtur me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Diskriminimit Racor (themeluar nga OKB më 1966) dhe e organizuar nga shoqata Life Onlus në bashkëpunim me Bashkinë e Milanos dhe UNAR (Zyra Kombëtare kundër Diskriminimit Racor), Arbër Agalliu u nderua me Çmimin e Bashkisë arbëreshe Shën Mërtiri. Arsyet gjenden në aktivizimin e vazhdueshëm në luftën kundër diskriminimit dhe në favor të përfshirjes së minoriteteve, duke filluar pikërisht nga pakicat gjuhësore shqiptare të jugut të Italisë.
Veprat dhe aktivitetet e tij kryesisht kanë të bëjnë me çështjet delikate të emigracionit, racizmit, integrimit dhe gjeneratave të dyta.
CMG : Arbër Agalliu si e sheh veten me sytë e të tjerëve?
Arbër Agalliu: Unë jam një djalë, tashmë i rritur dhe i pjekur, që jam gjithmonë në kërkim të vetes dhe të një pjekurie e cila vjen edhe me moshën. Ndonjëherë më duket sikur jam në kërkim të vetes sime në identitet, i cili për hir të së vërtetës gjendjet ndërmjet Adriatikut. Mes Shqipërisë dhe Italisë. Ky do të mbetet gjithmonë një mision i imi.
CMG :Cilat kanë qenë vitet më të bukura, por dhe sfiduese tuajat?
Arbër Agalliu : Kanë qenë vitet e fëmijërisë ato më të bukurat, por edhe më sfidueset për mua. Më është dashur të nisem për të jetuar drejt Italisë dhe nuk ka qenë aspak një vendim i lehtë për t’u marrë.
Të sapoardhurit gjithnjë kanë qenë të paragjykuar dhe në vështirësi. Ndaj ka qenë një rrugëtim drejt një mali, por që ja kemi dalë falë unitetit tonë familjar edhe atëherë kur gjithçka dukej si e pa arritshme. Mezi prisja që të vija në Shqipëri dikur. Në fakt edhe sot kur vij në Shqipëri kam të njëjtin emocion, sepse e dua shumë këtë vend.
Dikur bëja orë të tëra për të ardhur dhe për të takuar njerëzit e mi të zemrës dhe kjo më gëzonte tepër.
CMG : Si do e quaje jetën tënde?
Arbër Agalliu: Skenar i bukur! Kemi pasur një skenar familjar në Shqipëri dhe ka qenë përrallor. Më pas u larguam në Itali dhe gjithçka dukej ëndërr. Kur ikëm shumë gjëra mbetën në mes për prindërit. Ndaj edhe është skenar, sepse vështirësitë e hasura janë pjesë e asaj bukurie që sot më ka bere të jem ky që jam. Të mos harroj rrugëtimin që kam sot ka qenë një nga qëllimet e mia. Vështirësitë ekonomike na kanë bërë me të fortë e kryelartë. 1998 është viti i sfidave dhe ndryshimeve në jetën time.
CMG : Çfarë konsideroni si fatin me të madh në jetën tuaj?
Arbër Agalliu: Fati më i madh është që jam rritur brenda një familjeje të ngrohtë dhe kemi qëndruar përherë afër njeri-tjetrit Fitorja më e madhe janë ata për mua. Kam luftuar përherë që të jem mirë nëpërmjet tyre dhe me ta. Pa lënë mënjanë mbështetjen që kam pasur nga komuniteti këtu, i cili më ka besuar që zëri i tyre të jem unë.
CMG: Nëse disa momente në jetë kujtohen me tepër mall, a janë jetuar siç duhet?
Arbër Agalliu(Instragram)
Arbër Agalliu : Këtu do flas për prindërit e mi. Mendoj që ata nuk kanë pasur mundësinë dhe fatin që shumë gjëra në jetë t’i jetojnë siç duhet kjo për shkakun tonë. Ishin dhe janë të gatshëm për të hequr dorë nga jeta e tyre për të na siguruar neve diçka më të mirë. Ky ishte problem i reflektuar në një gjeneratë të tërë.
Sot nuk jam më në kohë për t’i kthyer momentet dhe çdo gjë tjetër. Është një çmim që s’e paguaj dot sepse koha ka ikur, por ata kanë fituar gëzimin tonë që e shohin të reflektuar çdo ditë.
CMG: Cili është gabimi që bëjmë ne njerëzit?
Arbër Agalliu :Harrojmë që koha kalon dhe ikën. Harrojmë dhe presim për të nesërmen, ndërkohë që duhet të jetojmë të sotmen me intensitet pa pritur dhe nxituar për t’u rritur.
CMG :Çfarë cilësoni si arritje më të mëdha?
Arbër Agalliu: Arritjet e mia të para kanë qenë kur arrita që të marr pasaportën italiane. Pas shumë përpjekjeve unë dhe familja ime u pajisëm me diçka që për ne ishte shumë e rëndësishme. Bashkëpunimi me Toscana TV ka qenë një lëvizje e imja, e cila më ka përmbushur profesionalisht dhe më ka bërë të kuptoj se çfarë do të thotë të bësh një lëvizje të duhur në momentin e duhur. Pra ajo ka qenë një arritje që më ka përlotur dhe bëre të besoj që do ja dal.
Ka pasur njerëz, të cilët nuk kanë besuar tek unë, por këto janë kaluar me mospërfillje. Është një paragjykim kryesisht ndaj sistemit që mbizotëron sepse e shohin faktin e të qenit shqiptar si një paragjykim i cili thjesht po zgjatet në kohë, sepse tashmë njerëzit janë të barabartë kudo. Mjafton të kenë besim.
CMG: Cili ka qenë njeriu që ju ka dhënë dorën sa herë keni pasur nevojë?
Arbër Agalliu: Përpos familjes, e cila absolutisht ka qenë aty për mua në çdo hap. Ka qenë tjetër kush në jetën time që tani nuk është më por dua ta përmend që për kohën e dikurshme në të cilën ne ishim bashkë më ka qëndruar pranë dhe më ka mbështetur. Kjo ishte gjithçka që unë asokohe kisha nevojë. Ndaj jam shumë falënderues në çdo moment që has këtë pyetje ndaj atij personi.
CMG: Çfarë do të thotë për ju profesion?
Arbër Agalliu: Dedikim, pasion dhe shndërrim ëndrrash në të përditshme. Të hulumtosh atë që kërkon dhe realizimi në një farë forme të asaj që secili nga ne ka brenda vetes. Profesion është ajo gjë që ti e bën nuk ndjen lodhje, por kënaqësi sepse ke bërë diçka që ke dashur.
CMG:Kur e keni kuptuar vlerën e parasë?
Arbër Agalliu: Shumë herët që në momentin që babai im më afroi të punoj me të pas shkolle. Kam kuptuar aty përgjegjësinë e të qenit i rritur dhe vlerën e lekut. Kur kemi arritur në Itali dhe shumë gjëra nuk mund t’i kërkoja aty kisha kuptuar vlerën e lekut . Të mos kesh mundësi është një koshiencë për vlerën e parasë.
CMG :Nëse një ditë do ndryshoje një realitet, cili do ishte?
Arbër Agalliu: Gjendjen e prindërve të mi dhe të çdo komuniteti në botë. Do të doja që vuajtjet mos t’ dhe i përjetonin të kishin një jetë më të qetë, me të ëmbël dhe të rehatshme.
Sidomos në vitet e fundit që i jam futur një beteje do të doja që prindërit të shikonin çdo ditë të gëzueshme. Mjafton se çfarë sakrifice ka bërë një prind tani është momenti i tyre të kenë një jetë të lumtur.
CMG: Për çfarë do reflektonit pikërisht tani?
Arbër Agalliu(Instragram)
Arbër Agalliu: Do reflektoja për të marrë disa vendime kyç në jetën time që më frikësojnë. Janë vendime që lidhen me praninë time në Shqipëri. Ndërkohë do me pëlqente te ndërmerrja këtu hapa në aspektin profesional, që të më afronte me vendin tim.
Arbër " Cila është mënyra më e mirë që mos jetosh siç ka jetuar prindi yt "? Kjo është pyetja që i bej shpesh vetes. Besoj se do jetë një peshë që do kem mbi supe ende për shumë kohë.
CMG: I thoni shpesh vetes: “Të lumtë!”?
Arbër Agalliu: Jo, nuk i them. Jam shumë me këmbë në tokë dhe absolutisht unë ndiej kënaqësi për arritjet, por deri këtu.
Do më pëlqente t’i thoja “Bravo!”, më shpesh, por ndikon mënyra se si jam rritur duke nisur çdo gjë nga zero. Sot jam tepër modest.
CMG: Ju flisni shpesh për Falkunarën, si është zbuluar ky vend?
Arbër Agalliu: Në Falkunare unë kam një copë të zemrës dhe sa herë që kam mundësi të shkoj ta vizitoj, shkoj me kënaqësi sepse është një realitet i vogël arbëresh. Gjithë Kalabria është e bukur dhe jam me fat që unë i përjetoj këto vende. Madje unë i ftoj të gjithë që të jenë më pranë këtyre vendeve si kurrë më pare, sepse jemi të lirë.
Arbëria është pjesë e jona kështu që duhet të ndërmarrim hapa për ta parë derisa të jetë gjallë!
Shpesh dëgjoj njerëz që zgjedhin të pushojnë në vende luksoze, por është më bukur nëse do zbuloni një pjesë të Arbërisë e Italisë.
Falkunara është një qytezë vërtet e veçantë, sepse është e vetmja që gjendjet në brigjet e detit Tiren, sepse shumica tjetër gjenden në brigjet e detit Jon ose në brendësi të territorit kalabrez. Arbëreshët kanë dashur gjithnjë të ruanin detin dhe anën tjetër të tij nga erdhën.
Sa herë shkoj në Falkunarë shkoj me kënaqësi, por kam pasur fatin të ndihem si në shtëpi. Mikpritja është e spikatur, që pasqyron identitetin tonë kombëtar.
Do doja që të shtohen aktivitetet e Arbërisë, sepse Arbëria nuk është vetëm " Moj e bukura more", por ka traditë të gjallë.
Intervistoi: Megi Latifi