Arion Bekuli është një i ri shqiptar, i cili jeton prej më shumë se 15 viteve në Itali. Që në moshë të vogël ëndrra e tij ka qenë të merret me muzikë dhe në shtetin fqinj ia ka arritur këtij qëllimi. Së fundi ai ka publikuar dhe një këngë, të cilën ia ka kushtuar të gjithë shqiptarëve që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Në një intervistë për CMG, Arioni tregon për arritjet e tij në fushën e artit si dhe vështirësitë gjatë rrugëtimit të tij.

CMG: Sa vite keni që jetoni në Itali dhe me çfarë merreni aty?

Arion Bekuli: Unë jetoj prej 15 vitesh në Itali dhe punoj si çdo emigrant normalisht. Unë kam ardhur në Itali në një moshë shumë të vogël dhe me shumë ëndrra të tjera, por prapë duke falenderuar Zotin jemi mirë me punë këtu. Jam i kënaqur që edhe këtu kam arritur të integrohem dhe të kem shumë miq, të cilët tashmë janë një mbështetje e madhe për mua.

CMG: E vizitoni shpesh Shqipërinë dhe do kishit dëshirë të ktheheshit një ditë në vendin tuaj?

Arion Bekuli: E vizitoj shpesh Shqipërinë sa herë që mundem dhe për mua është destinacioni i parë në çdo udhëtim timin. Si çdo njeri do kisha shumë dëshirë të kthehem dhe të jetoj në vendin tim, sepse si i thonë guri i rëndë ka peshë dhe vlen në vendin dhe tokën e vet.

CMG: Ju merreni dhe me art, muzikë në Itali ku së fundi keni publikuar dhe një këngë. Na flisni pak për eksperiencën tuaj artistike në Itali?

Arion Bekuli: Absolutisht që unë merrem me muzikë sepse është ëndrra e fëmijërisë. Unë jam marrë prej shumë vitesh me muzikë ku dhe në Shqipëri kam pasur disa krijime muzikore të miat, madje erdhëm me qëllimin e madh për ta vazhduar dhe këtu, pavarësisht se çdo gjë shkoi ndryshe. Mirëpo mbas shumë kohësh arrita të bëja diçka dhe kohët e fundit kam publikuar një videoklip që është një produksion i studios time “M-ea Music Pro”. Kjo këngë është e freskët akoma ku unë kam realizuar vetë tekstin dhe muzikën. Këtë këngë ia kam kushtuar të gjithë shqiptarëve, miqëve dhe shokëve të mi, të cilët marrin pjesë nëpër evente të ndryshme duke mbushur sallat me vallet tona tradicionale dhe kënaqen të gjithë bashkë.

CMG: Ka qenë e vështirë për ju për të bërë art në një vend të huaj?

Arion Bekuli: Ka qenë jo pak e lehtë për të gjetur gjurmët e duhura, për të arritur të gjesh njerëzit e duhur sepse prej mbi 15 vitesh jam nisur nga Shqipëria me atë ëndërr për ta vazhduar muzikën dhe më tej. Ndoshta mendonim se përtej kufijëve ishte akoma më e lehtë, siç mund ta mendojë çdokush kur nuk e ka provuar jashtë vendit, por ja ka vlerë dhe jam tepër i kënaqur që pas kaq vitesh arrita të realizoj ëndrrën time këtu në Itali, normalisht me ndihmën e njerëzve më të mirë që më kanë qëndruar pranë në këtë rrugëtim. Unë kam shumë njerëz që i kam njohur rastësisht dhe më kanë ndihmuar shumë, dhe unë gjej rastin t’i falenderoj nga zemra.

CMG: Ju pëlqen të udhëtoni dhe ku keni udhëtuar?

Arion Bekuli: Më pëlqen shumë të udhëtoj, por duke qenë jashtë Shqipërisë preferoj të udhëtoj më shumë në vendin tim. Dëshira ime është që t’i dal në fund çdo qyteti të Shqipërisë, ta vizitoj, ta njoh dhe të prek vetë nga afër çdo traditë. Jo se nuk kam udhëtuar dhe në vende të tjera, por dua që të vizitoj komplet Shqipërinë sepse kemi një vend të mrekullueshëm dhe që unë kam shumë mall për vendin tim. Udhëtimi është një pasion tjetër i imi dhe shpeshherë bëj udhëtime interesante në qytete të ndryshme të Italisë, por edhe në vende të tjera.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe miqtë tuaj.

Arion Bekuli: Dëshiroj të përshëndes të gjithë dëgjuesit e Radio Ejani, duke ju falenderuar dhe juve që më krijuat mundësinë të tregoj eksperiencat e mia jetësore dhe profesionale.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe suksese.

Arion Bekuli: Faleminderit juve dhe gjithë të mirat.

Intervistoi: Gazmend Agaj