Unazat e pemëve (Foto, Pieknetapety)
Duke ekzaminuar unazat e rritjes së pemëve, studiuesit rindërtojnë trendin ndër vite të niveleve të ndotësve në një vend. Pemët mund të tregojnë historinë e ndotjes së një zone të caktuar të planetit dhe kjo nuk është asgjë e re. Një konfirmim në kohë vjen nga një studim i kryer nga një ekip ndërkombëtar studiuesish i koordinuar nga Fabrice Lambert, klimatolog i Universitetit Katolik të Kilit, rezultatet e të cilit u ekspozuan në konferencën e Unionit Gjeofizik Amerikan, të cilat ende nuk janë publikuar në një revistë shkencore.
Në fakt, disa studime të mëparshme kishin theksuar se si ishte e mundur të rindërtohej ndryshimi me kalimin e kohës në përqendrimin e metaleve të rënda të absorbuara nga pemët, por Lambert dhe kolegët e tij bënë një hap më tej përpara.
Ata lidhën bollëkun e metaleve të rënda të matura në pemë, në dekadat e fundit, për matjet e cilësisë së ajrit të regjistruara nga stacionet e monitorimeve. Në veçanti, për përqendrimin e grimcave në ajër: grimca të mëdha disa të mijta të milimetrit të cilat, kur thithen, mund të depozitohen në mushkëri dhe të përkeqësojnë gjendjen e njerëzve që, për shembull, vuajnë nga sëmundje të mushkërive. Puna u krye duke marrë mostra nga bimët e pranishme në “Quinta Normal”, një park publik 35 hektarësh në qendër të Santiago të Kilit.
Trungje të vjetër në pyll (Foto, Camminareinnatura)
Parku ka pemë shumëvjeçare. Lambert analizoi përbërjen kimike të drurit, i fokusuar tek unazat individuale të rritjes, duke rindërtuar kështu trendin e ndotjes, të filluar që nga vitet 1930.
Në veçanti, ai rindërtoi trendin me kalimin e kohës të përqendrimeve të metaleve si bakri, kadmiumi dhe plumbi, substanca që vijnë nga një numër i madh aktivitetesh antropogjene, nga emetimet e karburanteve fosile deri te përdorimi i frenave të përdorura të automjeteve.
Nëpërmjet ajrit ose rrënjëve, materiali arrin në kërcellin e bimës. "Kërkimi ynë bëri të mundur krijimin e një marrëdhënieje midis asaj që tregojnë pemët dhe asaj që matet në të vërtetë në ajër", -deklaroi Lambert.
Duke ekzaminuar pemët, studiuesit gjetën cilësi të keqe në vazhdimësi të ajrit përpara viteve 1990, përpara se qeveria kiliane të prezantonte masa për të reduktuar ndotjen, gjë që përputhet saktësisht me të dhënat eksperimentale.
Nga studimi doli që ka pasur një rënie të mprehtë të ndotjes në vitin 1973, vit në të cilin Augusto Pinochet, gjenerali i ushtrisë, mori kontrollin e Kilit me një grusht shteti ushtarak. "Kjo pasqyron qetësinë në aktivitetin ekonomik në fillimin e regjimit të ri", -thotë Lambert.
Tani kërkimi është zhvendosur në qytete të tjera për të rindërtuar historinë e cilësisë së ajrit të tyre. Për vendet ku pemët e një moshe të caktuar nuk janë të disponueshme, zgjidhja mund të jetë kërkimi në kopshte botanike.
Provat e ndotjes rreth 300 mijë vjet më parë (Foto, Focus)
Njeriu e ka ndotur ambientin që 300 mijë vjet më parë
Në shpellën e Qesemit në Izrael, një ekip arkeologësh zbuloi se edhe rreth 300.000 vjet më parë paraardhësit tanë duhej të përballeshin me ndotjen. Analizat e bëra te dhëmbët e njeriut të gjetura në vend, tregojnë se banorët e shpellës thithnin tymrat e pashëndetshme që dilnin nga vatra e gatimit të ushqimit.
Vendi i shpellës së Qesemit u gjet në vitin 2000 rreth dhjetë kilometra në lindje të Tel Avivit. Nga këtu dolën provat se njeriu mësoi të kontrollonte dhe përdorte zjarrin në jetën e tij të përditshme rreth 300.000 vjet më parë.
Në vitin 2014, u shfaqën shenjat e para të qarta të pranisë së një oxhaku që daton në atë kohë, me përmasa pak më shumë se gjysmë metër katror. Përveç mbetjeve të copave të kockave të përziera me hi, pranë vatrës u gjetën edhe vegla stralli të përdorura për prerjen e mishit.
Ndërsa, në vitin 2010, arkeologët zbuluan tetë dhëmbë që datojnë midis 400.000 dhe 200.000 vjet më parë, veçanërisht të rëndësishëm, pasi ata mund të klasifikohen ndër mbetjet më të vjetra të hominideve, një paraardhës edhe i familjes së gorillave, të gjetura në Azinë Jugperëndimore.
Një ekip ndërkombëtar studiuesish ka publikuar tani rezultatet e studimeve të kryera mbi ato gjetje në “Quaternary International”, ku thuhet se kalcifikimi i pllakës dentare ka ruajtur në fakt mbetjet e materialit organik për mijëvjeçarë, të cilat ofrojnë një pasqyrë të zakoneve parahistorike.
Ndotje në pyll(Foto:VCG)
Analizat kimike dhe optike treguan në pllakën e kalcifikuar prani të fragmenteve të qymyrit, blozës, kokrrave të polenit të pishës dhe sporeve mykotike nga tre lloje të ndryshme. Koordinatorja e hulumtimit Karen Hardy, nga Universiteti Autonom i Barcelonës, thotë se këto rezultate sigurojnë dëshmi të ekspozimit ndaj irrituesve të mundshëm të frymëmarrjes.
“Barbekjuja e parë në botë për ambiente të mbyllura pati gjithashtu pasoja shëndetësore”, -thotë bashkautori Ran Barkai, nga Universiteti i Tel Avivit. Sipas tij, njerëzit që jetonin në Qesem jo vetëm që gëzonin të mirat e zjarrit, për shembull për të pjekur mish, por duhej të gjenin edhe një mënyrë për ta kontrolluar atë. Ai e cilësoi si një nga rastet e para të ndotjes nga njeriu në planet.
Debati se kush ishin banorët e shpellës po vazhdon prej disa kohësh. Mbetjet tregojnë lidhje si me Homo Sapiens-in lindor po ashtu edhe me Homo Neandertalin, dy specie që teorikisht u shfaqën shumë më vonë. Për këtë arsye, shkencëtarët janë të prirë t'i konsiderojnë banorët e Qesemit si të një prejardhjeje të re hominidësh, të paktën derisa të dalin të dhëna më të sakta.
Përgatiti: Irma Paloli