24 vjeçarja Algerta Tafani është diplomuar në gazetari bachelor në Universitetin " Aleksandër Xhuvani" Elbasan si dhe ka një master shkencor në profilin "Marrëdhënie publike” në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë "Universiteti i Tiranës". Prej 3 vitesh Algerta punon pranë Radio Televizionit Shqiptar si gazetare krijuese në Radio Tirana.

Algerta Tafani(Facebook)

Algerta Tafani(Facebook)

CMG: Pengesat në jetë, çfarë do të thonë për ty?

Algerta Tafani: Pengesat janë pjesë e jetës. Nuk ka qenë e lehtë dhe patjetër që më është dashur kohë të bind veten që janë pjesë e pandashme edhe sfidat. Duhet të them që prindërit janë ata të cilët pavarësisht çdo gjëje tjetër kanë qëndruar aty për të më thënë dhe treguar ciklet që jeta ka. Kanë qenë ata të parët të cilët e kanë shkelur rrugën që unë sot po shkel dhe po ndërtoj, ndaj këshillat e prindërve janë shumë të vyera.

CMG : A është e vështirë të njohësh veten?

Algerta Tafani : Për mua është shumë e rëndësishme që nga vetja ime të nxjerr në pah ato karakteristika, të cilat ndodhen vërtet tek unë.

Më pëlqejnë ose jo, përshtaten ose jo, është shumë e rëndësishme të dalim para pasqyrës dhe të tregojmë se kush jemi ne. Sigurisht që veten na pëlqen ta gjykojmë subjektivisht, por përpiqem që të jem korrekte në raport me veten dhe të tjerët. E di se ku qëndrojnë problemet e Algertes, anët pozitive dhe negative të saj. Ndonjëherë të qenit shumë i mirë me veten dhe të tjerët nuk mjafton, ndaj duhet të përmirësohemi herë pas here.

CMG: Cilat janë planet e së ardhmes tuaj?

Algerta Tafani: Unë kam tre vite që punoj në media dhe përpiqem që të mbaj vetëm kujtimet më të bukura. Kam njohur njerëz të bukur dhe më kanë ndërtuar gjithashtu kujtime të bukura. Kurrë s’e kam menduar këtë që jam duke jetuar tani.

Ndaj nuk më pëlqen që të bëj planifikime, sepse e di që do të ndodhë diçka që nuk e parashikoj. Jeta nuk parashikohet dhe si e tillë na duhet që të përshtatemi me ato që na sjell dhe të marrin prej tyre më të mirën.

CMG : Si ka qenë jeta juaj studentore?

Algerta Tafani dhe vellai i saj(Facebook)

Algerta Tafani dhe vellai i saj(Facebook)

Algerta Tafani : Shumë e veçantë. Jam rritur që në vogëli me idenë që të isha prezantuese. Luaja dhe ëndërroja gjithnjë. Familja ime ka dashur që unë të vijoja për infermieri, por fatmirësisht nuk më doli.

E jetova shumë periudhën e fakultetit mora shumë dije dhe kjo më ndihmoi për jetën me vazhdim. Pasi mbylla ciklin e studimeve bachelor dëshira ishte për më tepër dije dhe në master vijova për PR.

CMG :Çfarë kuptimi ka jeta për ju?

Algerta Tafani: Në momentin që humb një njeri të dashur kupton rëndësinë e jetës... Një kthesë e madhe në jetën time ka ardhur në ato momente kur humba dikë. Më bëri të kuptoja se jeta paska dhe humbje dhe ne duhet t’i pranojmë ato. Gjithnjë duhet të vazhdosh përpara sepse kjo është jeta veçse të qenit i motivuar më të mirat dhe të këqijat që jeta sjell me vete.

CMG : A ke menduar ndonjëherë të largohesh nga Shqipëria?

Algerta Tafani : Këtu me mban familja, ndaj nuk e kam marrë këtë sfidë me veten. E ardhmja është e gjatë mund të na vijë sërish ajo përballje dilemash, por për momentin nuk e kam menduar.

CMG : Për çfarë i flisni me tepër vetes?

Algerta Tafani :Reflektimet me veten janë shumë të mëdha. Kur flas diçka më tepër për të tjerët me të tjerët gjithnjë reflektoj nëse bëra mirë apo keq. Flas edhe për arritjet e mia, por jo shpesh sepse pres që të tjerët të më flasin për arritjet e mia dhe dua të mbetem modeste.

CMG : Kujtimet e një vendi ku jeni rritur, si janë ato?

Algerta Tafani : Unë jam rritur në Belsh, në një qytezë të vogël. Sot jetoj ne Tiranë, por nëse në një të ardhme do më kërkohej të jetoja në një vend, përgjithmonë do zgjidhja Belshin sepse është një vend që më fal shumë paqe.

CMG : Nëse jeta është frut, çfarë shije ka?

Algerta Tafani : Luleshtrydhe. Jeta është e ëmbël, por pasi e ke shijuar këtë frut, si jeta të mbetet një athtësi, që edhe jeta në të vërtetë e ka.

E ka në momente të vështira, e ka në momente refleksionesh. Kështu jeta do ishte luleshtrydhe.

CMG : A thua shpesh më fal?

Algerta Tafani : Po, them shpesh më fal. Nëse kam lënduar dikë pa dashje, unë kërkoj falje dhe nëse dikush prej tyre është duke e lexuar këtë rrëfim, e pres të më falë (qesh).

Algerta Tafani dhe familja e saj(Facebook)

Algerta Tafani dhe familja e saj(Facebook)

CMG : Çfarë do fusje në kutinë e Pandorës "Përjetësisht"?

Algerta Tafani : Do doja të vendosja në kuti humbjen. Kam shumë frikë të humbas njerëzit e mi më të dashur.

CMG :Cili është mesazhi që mund të ndryshojë diçka për dikë?

Algerta Tafani : Mos harroni që biseda me dikë sot, mund të jetë shumë e çmuar dhe nuk ju vjen më mundësia për ta zhvilluar atë.

Vlerësoni kohën cilësore dhe jo atë sasiore, për të kuptuar nektarin e jetës.

CMG : A mund ta përfundojmë bashkë fjalinë: "Më kujtohet kur"...

Algerta Tafani : Më kujtohet kur i kërkoja mamit të kisha një vëlla ose motër dhe ai erdhi. Kur kam shkuar për ta marrë në krahë atë ditë që ai lindi, nuk kam përjetuar ende një moment më të bukur në jetën time.

Një fëmijë i bukur ndoshta më i bukuri nga çdo fëmijë tjetër. Çdo përjetim i tij është edhe tek unë, me të njëjtën ndjenjë.

Intervistoi: Megi Latifi