Dr. Rushit Salihi, është specialist pediatër në spitalin “Splosna Bolnisnica Celje” në Slloveni. Ai është me origjinë shqiptare dhe ka lindur në një fshat të Tetovës, në Maqedoninë e Veriut, ku ka kryer dhe gjimnazin. Fill pas viteve 90-të ai është shpërngulur në Tiranë për të kryer studimet e larta. Prej vitit 1998 ai ka jetuar në Slloveni ku është masterizuar dhe ka marrë të gjjthe eksperiencën e deri tanishme.
Rushti Salihi dhe familja e tij (Burimi:Facebook)
CMG :Cili është tipari që ju karakterizon?
Dr. Rushit Salihi : Tipari kryesor është që unë jam kokëfortë dhe nëse dua diçka të cilën vetes ja vendos si qëllim, e arrij. I kisha vendosur vetes qëllimin për t’u bërë mjek dhe ja dola të jem një mjek i suksesshëm.
CMG : Si kanë qenë vitet e para në Tetovë?
Dr.Rushit Salihi : Kam pasur një fëmijëri gjithë dritë. Nuk kam qenë një fëmijë i përkëdhelur, por i udhëzuar nga prindërit. Ata më kanë prirë që unë t’i bëja gjërat më bukur dhe më mire, si dhe të ndjek ëndrrat, të cilat i kam pasur që fëmijë. Vitet e fëmijërisë kanë qenë urë për të qenë një njeri më i mirë.
CMG : Cilat kanë qenë vitet më të bukura tuajat?
Dr. Rushit Salihi : Vitet më të bukura kanë qenë gjatë kohës së studimeve në universitetet në Tiranë. I kujtoj me nostalgji ato momente. Ndërsa do doja që të sillja në vëmendje edhe vitet më të vështira dhe një nga këto vite ka qenë edhe 97-ta ku të gjithë u ndeshëm me një stres dhe jetesë të vështirë, por mësuam të jemi më të fortë.
CMG : Njerëzit që ju kanë qëndruar pranë gjithë kohës?
Rushit Salihi kujtime nga fëmijëria
Dr.Rushit Salihi : Këtu do përmend absolutisht prindërit e mi, të cilët më kanë qëndruar pranë dhe kanë bërë që unë të besoj në vete. Por edhe miq e familjarë, të cilët moralisht më kanë ngritur.
CMG : A ndiheni i realizuar?
Dr. Rushit Salihi : Po, mendoj se po. Obligimi im me veten ka qenë të bëhem mjek dhe jam bërë mjek. Kaq mendoj që mjafton për të qenë i realizuar, sepse çdo njeri ka synime të ndryshme.
CMG :Cila ka qenë puna juaj e pare, e cila ju ka diktuar rregullat e mjekësisë?
Dr. Rushit Salihi : Ka qenë në Lubjanë në vitet 2000. Për herë të parë preka një klinikë dhe kanë qene emocione shumë të veçanta. Kam nisur si mjek familjar dhe këtu kam marrë gjithë përvojën e parë si mjek në një shtet të huaj si Sllovenia, e cila është e bukur, por e ftohtë.
CMG : Çfarë do të thotë të jesh mjek pediatër?
Dr. Rushit Salihi : Unë jam i lumtur që mjekoj një fëmijë nga mosha 0-19 vjeç. Që nga nisja e specializimit unë kam punuar edhe në shumë spitale edhe shtëpi shëndeti nëpër Slloveni dhe kanë goxha përvojë. Sot ndihem i lumtur që ta jap këtë mision dhe ta ushtroj me gatishmëri.
CMG : Cila ka qenë sakrifica me e madhe që ju keni bërë për të qenë i lumtur?
Dr. Rushit Salihi : Nga kushtet apo situatat që gjendesha në vitet 90-të u desh të lija vendin amë dhe më pas edhe në një shtet tjetër. Kjo ishte një sakrificë për të qenë më i lumtur. Lashë atje prindërit për t’i siguruar vetes diçka më tepër.
Rushit Salihi familja(Burimi:Facebook)
Krijova një familje të ngushtë si bashkëshortja dhe fëmijët dhe kjo ishte një sakrificë që më bëri me të lumtur. Kam dy fëmijë të mbarë dhe të mirë. Të dy më kane bërë krenarë në kuptimin e plotë të fjalës.
CMG : Cilat janë momentet që ndjen të reflektosh?
Dr. Rushit Salihi : Mbi veten vijnë refleksionet më të mëdha. Dua të jem një prind më i mirë dhe një mjek më i mirë dhe në të ardhmen dua që ta ushtroj këtë punë me vendet shqipfolëse.
CMG : Çfarë cilësoni si sakrificën me të madhe tuajën?
Dr. Rushit Salihi : Të plotësoja ëndrrën time të fëmijërie për t’u bërë nj mjek dhe t’i shpërbej komunitetit, ndërsa dua që të vij në Shqipëri dhe të jem aty një mjek pediatër.
CMG :Me kujtohet kur...
Dr. Rushit Salihi : Më kujtohet kur... ika në Slloveni që mendoja se do ja dilja sa hap e mbyll sytë, por lufta vazhdon ende dhe sot. Durimi është kalitur ndër vite.
CMG : Çfarë është për ju një ditë e plotësuar?
Dr. Rushit Salihi : Të jem në mbështetje të pacientëve dhe shërbim të tyre është për mua lumturi.
CMG : Nëse ka diçka që prisni nga 2022?
Dr. Rushit Salihi : Pres nga vetja që të jem i përkushtuar në synimet e mia që një ditë sa më të afërt këtë përvojë ta sjell në vendlindjen time. Uroj që sa më shpejt gjithashtu të përfundojë virusi i shekullit Covid-19.
Intervistoi Megi Latifi