Veton Shabani jeton në qytetin e Shkupit dhe është student në Fakultetin e Europës Juglindore për shkenca kompjuterike. Atij i pëlqen jeta në këtë qytet dhe mendon që të ardhmen ta ndërtojë pikërisht këtu. Në një intervistë për CMG ai na tregon për jetën e tij si dhe synimet për të ardhmen.

CMG: Veton, për çfarë studioni dhe në cilin Universitet?

Veton Shabani gjatë studimeve (Facebook)

Veton Shabani gjatë studimeve (Facebook)

Veton Shabani: Unë studioj për shkenca kompjuterike në qytetin e Shkupit në Fakultetin e Europës Juglindore, që e ka qendrën në Shkup dhe Tetovë. Momentalisht jam në vitin e katërt dhe shpresoj që deri në fund të këtij viti do t’i përfundoj studimet. Pasi të mbaroj fakultetin shpresoj të gjej ndonjë punë në Shkup, mirëpo nëse është ndonjë kompani nga jashtë do të ishte më mirë për të fituar eksperienca. Më vonë pasi të kem pak eksperiencë, dëshiroj të vazhdoj edhe masterin.

CMG: Këtë degë ju e keni zgjedhur vetë, pra i kishit pasion shkencat kompjuterike?

Veton Shabani: Vëllai im insistonte që unë të vazhdoja të studioja në degën e ekonomisë sepse aty studionte edhe ai vetë, mirëpo unë mendoja se shkencat kompjuterike kanë perspektivë më të madhe. Gjithmonë më ka pëlqyer drejtimi matematikor dhe besoj se ky drejtim mua do të më japë më shumë sukses.

CMG: Keni pasur mbështetje nga familja juaj gjatë viteve të studimit?

Veton Shabani: Patjetër, prindërit e mi kanë qenë shumë mbështetës gjatë viteve të studimit dhe më kanë mbështetur edhe financiarisht, por dhe emocionalisht në të gjitha zgjedhjet e mia deri tani.


CMG: Pak më përpara ju u shprehët se do të bënit një pauzë deri në nisje të masterit. Do të punoni gjatë kësaj periudhe që ta paguani vetë masterin?

Veton Shabani: Unë doja të bëja një pauzë sepse nuk dua që ta ngarkoj babain tim financiarisht, gjithashtu të fitoj dhe një eksperiencë pune, sepse siç e dimë në drejtimin tim më shumë kërkohet eksperienca sesa dija. Kështu që mendoj se është veprimi më i mire, i cili do më hapë më shumë rrugë për të ardhmen.

CMG: Si është punësimi për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut dhe veçanërisht për komunitetin shqiptar që jeton këtu?

Veton Shabani: Nëse flasim për degën që unë studioj është shumë e kërkuar, mirëpo e shoh që shumica e kompanive kërkojnë të rinj me eksperiencë. Fillimi është pak më i vështirë, por kur të marrësh pak eksperiencë dhe ta fitosh dijen, unë besoj se nuk është fare problem për të gjetur punë. Me standardin e Maqedonisë së Veriut rrogat janë mesatare, të jetosh me një rrogë të mirë them se në Shkup mund të kesh një jetesë të mirë.

Veton Shabani në intervistë për CMG (Shkup)

Veton Shabani në intervistë për CMG (Shkup)

CMG: E vizitoni shpesh Tiranën apo dhe jugun e Shqipërisë, për pushimet verore?

Veton Shabani: Unë çdo dy vjet vij në Shqipëri, më pëlqen Dhërmiu dhe gjithë jugu i Shqipërisë për plazh. Gjithashtu kam qenë edhe në Tiranë, shkoj shpesh por mund të them që më shpesh shkoj në Prishtinë sepse është më afër qytetit të Shkupit dhe për rreth një orë mund të arrish në Prishtinë.

CMG: Keni menduar ndonjëherë të largoheni nga Shkupi në ndonjë vend europian për një të ardhme më të mirë?

Veton Shabani: Nuk do më pengonte të shkoj dhe të punoj jashtë, por e kemi biseduar dhe me familjen dhe nëse unë shkoj jashtë duhet ta filloj nga zero. Mua më pëlqen jeta sesi jetojnë njerëzit në shtetet më të zhvilluara, por dhe në Shkup do doja të jetoja.

CMG: Këtu në Shkup keni shoqëri vetëm me komunitetin shqiptar apo edhe të komuniteteve të tjera që jetojnë këtu?

Veton Shabani: Miqtë e mi janë edhe nga komuniteti boshnjak, mirëpo shumica e miqve janë shqiptarë, sepse jetoj në lagje shqiptare dhe studimet i kam kryer që nga shkolla fillore, e mesme si dhe fakultetin në gjuhën shqipe dhe mund të them se shumica e rrethinës janë shqiptarë. Kam shoqëri edhe prej komuniteteve të ndryshme, maqedonas, boshnjakë dhe turq.

CMG: Keni mësuar ta flisni gjuhën maqedonase sepse një brez më i vjetër e flasin shumë mirë?

Veton Shabani: Unë gjuhën maqedonase e flas shumë mire, meqë kam shoqëri, por dhe prindërit e mi kanë studiuar maqedonisht dhe më kanë mësuar dhe mua gjuhën maqedonase. Shpeshherë lajmet i shohim në gjuhën maqedonase, lexojmë ndonjë gazetë në maqedonisht. Pra unë nuk e kam problem fare që ta flas gjuhën maqedonase.

CMG: Ju pëlqen qyteti i Shkupit me ndryshimet e fundit?

Veton Shabani: Shkupi më pëlqen, më pëlqen edhe rinia në këtë qytet sepse japin energji pozitive. Në Shkup kur ka diell, çdoherë kafet janë të mbushura dhe gjithë njerëzit kanë perspektiva të mëdha. Unë besoj se është duke u afruar mentaliteti europian në Shkup.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit dhe një mesazh për të rinjtë?

Veton Shabani (Facebook)

Veton Shabani (Facebook)

Veton Shabani: Përshëndetje për të gjithë dëgjuesit. Do të thoja për të rinjtë që asnjëherë mos të dorëzohen për ëndrrat e tyre, pa marrë parasysh vështirësitë. Unë besoj se me dëshira dhe mund, arrihet gjithçka.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uropj shëndet dhe suksese.

Veton Shabani: Faleminderit dhe nga ju dhe ju uroj gjithë të mirat.

Intervistoi: Gazmend Agaj