Ky funksion i ri i thirrjeve audio e video në Google Chat, si pjesë e aplikacionit Gmail për Android dhe iOS, u njoftua për herë të parë në shtator dhe nga 6 dhjetori filloi t’u shpërndahet përdoruesve që kanë Google Workspace, G Suite ose një llogari personale të Google. Më parë ishte e mundur kryerja e një telefonate nga aplikacioni Gmail, por tashmë ky proces ka përfshirë edhe dërgimin e një ftese për një telefonatë video-konferencë të Google Meet.

Ndërkohë, në të ardhmen, parashikohet të ketë ikona të thjeshta telefoni dhe video në këndin e sipërm djathtas të çdo bisede që mund të përdoren direct për të nisur një bashkëbisedim sipas mënyrës së përzgjedhur.

Edhe pse është një shtesë e thjeshtë, ajo do t’i lejojë Google të bëjë gjithashtu Gmail një vend të centralizuar për të gjitha shërbimet e komunikimit.

Në njoftimin e Google thuhet se përdoruesi do të ridrejtohet në aplikacionin Gmail edhe nëse nis një telefonatë nga aplikacioni Google Chat.

2022, Google mund të shfaqë pajisjen e shumëpërfolur prej vitesh

Kompania Google planifikon të prezantojë orën e saj inteligjente në vitin 2022. Konfirmimi vjen nga burime të brendshme pranë Google, cituar nga The Verge.

Ora me emrin e koduar “Rohan”, do të përdorë platformën Wear OS dhe është parashikuar të ketë një dizajn jashtëzakonisht tërheqës; një ekran të rrumbullakët, por pa korniza fizike.

Kur bëhet fjalë për performancën, Rohan duhet të ketë mbështetjen e zakonshme për matjen e rrahjeve të zemrës dhe një bateri që do të kërkonte rimbushje çdo ditë.

Prezantuesi, për faqen The Verge, vuri në dukje se ora inteligjente e Google duhet të kushtojë më shumë se Fitbit dhe do të shërbejë si konkurrencë për Apple Watch.

Ora inteligjente, e cila zyrtarisht mund të quhet Pixel Watch, do të shërbejë edhe për t’u treguar përdoruesve se çfarë ofron Wear OS.

Engineered Arts prezanton një robot të ri humanoid

Ameca është roboti më i ri prodhuar nga kompania britanike Engineered Arts, sipas së cilës bëhet fjalë për një robot që është “shumë” i ngjashëm me një njeri dhe është i aftë të demonstrojë një sërë shprehjesh pothuajse realiste të fytyrës njerëzore.

Engineered Arts thotë se Ameca është “platforma e përsosur e robotëve humanoidë për ndërveprimin njeri-robot”.

Pamjet e publikuara në YouTube tregojnë robotin në “veprim” dhe dëshmon se pretendimet e kompanisë nuk janë të ekzagjeruara. Ameca zgjohet, shikon duart e tij me kureshtje dhe më pas duket i habitur kur vëren se po filmohet.

Roboti gri është i ngjashme me personazhet e filmit “The, Robot” dhe mund të tregojë një sërë emocionesh njerëzore të shoqëruara me lëvizje realiste të syve.

Ky Robot është tashmë i disponueshëm për blerje dhe qira. Aktualisht Ameca është një model i palëvizshëm, por zhvilluesit po planifikojnë ta përmirësojnë, duke premtuar se “Ameca një ditë do të ecë”.

“Cyberquad”, katërçikleta e re për fëmijë nga Tesla

Gjiganti Tesla ka prezantuar katërçikletën ‘Tesla Cyberquad” e prodhuar vetëm për fëmijë, duke arritur ta shesë atë në një rekord kohor.

Mini-automjeti përmban goma me ajër të kompresuar, një kornizë çeliku të salduar, pezullim të rregullueshëm dhe frenim të diskut të pasmë.

‘’Tesla Cyberquad’’ është i pajisur me një bateri 36 Volt, e cila lejon një shpejtësi maksimale prej 16 km/h e cila mund të kufizohet në 8 duke shtypur një buton.

Gama e baterisë, nga ana tjetër, është 25 km.

Dizajni riprodhon besnikërisht atë të projektit origjinal Cyberquad, prej të cilit ruan gjithashtu teksturën e fenerëve.

‘’Cyberquad for Kids” kushton 1 900 dollarë dhe tek blerësit nuk dërgohet plotësisht i montuar. Udhëzimet e montimit të Tesla tregojnë rreth njëzet pjesë të ndryshme që duhet të montohen pasi kutia të merret në shtëpi.

Fortnite sjell “Flipped” në kapitullin e tretë

Epic ka konfirmuar detaje për Fortnnite Chapter 3. Tashmë zyrtarisht studioja e zhvillimit ka publikuar “trajlerin” që tregon se çfarë mund të prisni në kapitullin e tretë, që, sikurse në sezonin e parë të tij mban emrin “Flipped”.

Ishulli i ri është atraksioni kryesor i këtij kapitulli, ku nga Chapter 2 Final, sillet ridizenjim i plotë i peizazhit që deri më tani përfshinte kushtet kaotike të motit.

Mekanizmi i rrëshqitjes dhe kalërimi do të ndihmojne të lëvizni më shpejt sesa më parë. Kampet ndihmojnë ekipin tuaj të “shërojnë” personazhet. Gjithashtu mund të fitoni pikë shtesë jashtë “battle royal”.

Në lojë janë shtuar gjithashtu personazhe të reja në mesin e të cilëve është Spider-Man.

Rifreskimi i lojës, pritet t’i mbajë lojtarët gjatë para ekraneve.