Sa hap e mbyll sytë, një laptop del nga linja e montimit e Kompanisë së Teknologjisë Elektronike LCFC, baza më e madhe për prodhimin dhe studim-zhvillimin e kompjuterave e gjigantit teknologjik kinez “Lenovo”.

Linja e prodhimit të LCFC-it(VCG)

Linja e prodhimit të LCFC-it(VCG)

Linja e prodhimit të LCFC-it(VCG)

Në këtë fabrikë në qytetin Hefei të provincës Anhui të Kinës Lindore, procesi dikur i ndërlikuar që përfshin porositjen, dizenjimin, prodhimin e testimin, tani mund të kryhet me disa të shtypura në tastierë.

Me një sistem të nivelit botëror të internetit industrial, kjo fabrikë ka prodhuar gati 39 milionë kompjutera dhe servera vjet. Por, ky është vetëm një shembull i prirjes së digjitalimit të prodhimit kinez.


Shpejtohet digjitalizimi

Programimi i prodhimit është një hap i ndërlikuar ku duhet të merren parasysh faktorë të ndryshëm si personeli, pajisjet dhe materialet.

Për të prodhuar një laptop që përmban mijëra përbërës, punëtorët duhet të përpunojnë mbi 300 materiale, gjë që ka kërkesë të lartë për përpikëri. Ndërkohë, kur pamja dhe konfigurimi i laptopëve përcaktohen sipas kërkesave të klientëve, ndërlikueshmëria e punës shtohet disa herë.

Linja e prodhimit të LCFC-it(VCG)

Linja e prodhimit të LCFC-it(VCG)

LCFC ka bërë investime të shumta në transformimin digjital të zinxhirit të furnizimit në vitet e kaluara. Për shembull, kompania ka ndërtuar një platformë efektive të zinxhirit të furnizimit për rreth 70 ofrues të pjesëve të laptopëve që gjenden afër. Tani, shumica e pjesëve për prodhimin e kompjuterave mund t’i dërgohen kompanisë brenda katër orësh.

Në platformën e internetit me bazë teknologjinë cloud, punonjësit e LCFC-it mund të mësojnë në kohë reale statusin e porosive, si dhe ecurinë e prodhimit të ofruesve të përbërësve, e cila u mundëson të bashkërendojnë më mirë furnizimin me prodhimin.

Gjithashtu, ky sistem, që bazohet mbi algoritmet e inteligjencës artificiale dhe teknologjinë e të dhënave të mëdha, ka pakësuar kohën e programimit të prodhimit deri në një minutë e gjysmë, nga gjashtë orë që ka qenë kur bëhej me dorë.

Një ndër tetë laptopë që shiten në botë, vjen nga fabrikat e LCFC-it dhe produktet e kësaj kompanie gjenden në 126 vende e rajone të botës.

Linja e montimit e Changhong Meiling-ut(VCG)

Linja e montimit e Changhong Meiling-ut(VCG)

Ashtu si LCFC, edhe kompania e prodhimit të pajisjeve elektroshtëpiake “Changhong Meiling” po përshpejton digjitalizimin industrial për të ngritur efektivitetin.

Një seri sensorësh të lidhur me rrjetin 5G është instaluar në fabrikën e kësaj kompanie për të monitoruar performancën dhe gjendjen e pajisjeve. Elemente të tilla si porositë, materialet, përqindja e kualifikimit etj., paraqiten në ekran për të ndihmuar menaxherët të marrin vendim.

Informacionet që mblidhen nëpërmjet sensorëve kanë përmirësuar funksionimin dhe kanë ngritur 25% efektivitetin e prodhimit. Ndërsa, në mbarë Kinën, digjitalizimi ka shtuar të paktën me pesë pikë përqindjeje të ardhurat e 85% të ndërmarrjeve kineze, thuhet në një libër të bardhë të publikuar në tetor mbi zhvillimin e internetit industrial të Kinës.


Transformimi i gjelbër

Meqë shkarkimi i automjeteve është një ndër burimet kryesore të ndotjes së mjedisit, gjithnjë e më shumë konsumatorë po zgjedhin makina me energji të re, gjë që krijon një mundësi të mirë për prodhuesit e tyre.

Të dhënat statistikore tregojnë se tregu i makinave me energji të re në Kinë ka përjetuar rritje të vrullshme. Në tetorin e sivjetshëm, shitja e këtyre makinave u rrit 134.9 %, duke arritur në 383 mijë njësi. Deri në fund të majit të këtij viti, numri i makinave me energji të re në Kinë arriti në 5.8 milionë, 50% e totalit botëror.

Makina elektrike e JAC-it

Makina elektrike e JAC-it

JAC është një kompani kineze automjetesh që ka një histori të gjatë. Që nga viti 2007, ajo filloi të investonte në studimin dhe prodhimin e makinave me energji të re. Deri tani mbi 200 mijë automjete të saj janë shitur jashtë vendit.

Shtimi i popullaritetit të makinave “të gjelbra” ka tërhequr jo vetëm prodhuesit tradicionalë të automjeteve, por edhe ka nxitur pjesëtarë të rinj, si “Baidu”, “Huawei” dhe “Xiaomi”, të marrin pjesë në konkurrim.

Por ndryshimi po ndodh jo vetëm në prodhimin e automjeteve. Shumë prodhues të tjerë kinezë po kërkojnë rrugë të reja nëpërmjet uljes së lëshimit të dioksidit të karbonit.

Për Grupin “Conch” të Anhui-t, një kompani udhëheqëse në fushën e çimentos në Kinë, “kapja e karbonit” është bërë një mënyrë efektive për të shndërruar mbeturinat në pasuri.

Uzina e Conch-it

Uzina e Conch-it

Pajisje e kapjes së karbonit të Conchit

Pajisje e kapjes së karbonit të Conchit

Kompania investoi rreth 9.7 milionë dollarë amerikanë për blerjen e aparateve të “kapjes së karbonit” në një fabrikë të saj në Baimashan afër lumit Jance.

Projekti pilot për “kapjen” dhe rezervimin e karbonit mund të ndajë dhe pastrojë 50 mijë tonë dioksid karboni që shkarkohet çdo vit gjatë prodhimit të çimentos, që pas trajtimit, u shitet sektorëve të përpunimit të ushqimit dhe prodhimit industrial.

Në të njëjtën kohë, kjo kompani po merr masa të tjera për të ulur lëshimet, si ngritja e nivelit teknologjik, përdorimi më shumë i energjisë së pastër, prodhimi i energjisë elektrike me nxehtësinë e furrave të prodhimit të çimentos etj.(Zhang Yan/Artan)