Eronida Mataj është diplomuar për shkenca politike në Universitetin e Tiranës dhe pasioni i saj ka qenë gjithmonë të njihte historinë e popujve të ndryshëm si dhe të udhëtonte dhe eksploronte vende të reja. Eronida prej disa vitesh është liçensuar si udhërrëfyese turistike dhe punon me grupe turistësh të huaj që vizitojnë Shqipërinë. Një një intervistë për CMG ajo na tregon për angazhimin e saj si aktiviste në organizatat vendore dhe ndërkombëtare, si dhe për punën e saj si udhërrëfyese turistike.

CMG: Eronida, për çfarë keni studiuar dhe si kanë ndikuar studimet në vijueshmërinë e karrierës suaj profesionale?

Eronida Mataj: Unë jam diplomuar në shkenca politike në vitin 2008 në Fakultetin e Shkencave Sociale të Universitetit të Tiranës, gjenarata e fundit e studimeve 4 vjeçare. Dega që kam zgjedhur, pasioni për politikën dhe historinë e popujve të ndryshmë më ka bërë që të jem gjatë gjithë kohës në udhëtim dhe në kërkim të traditave dhe historive. Kështu që kam filluar me eksplorimin e Ballkanit, dhe puna e parë ka qenë në një organizatë gazetarie ballkanike ku kam qenë e bazuar kryesisht në kryeqytete si Beograd, Prishtinë dhe kryeqytetin e Bosnje Hercegovinës. Kam ndjekur tema të ndryshme, dhe aty kam kuptuar pasionin tim të vërtetë, që lidhet me eksplorimin e historisë dhe me zbulimin e sa më shumë vendeve të reja.

CMG: Dega për të cilën ju keni studiuar ju ka ndihmuar gjatë udhëtimeve dhe eksplorimit të këtyre vendeve?

Eronida Mataj: Patjetër dhe ka qenë një bonus shumë i madh sepse të jep një qasje dhe një perspektivë tjetër për kultura të popujve të ndryshëm. Ti je më e përgatitur në qasjen e vendeve të ndryshme dhe patjetër të kultivon edhe kureshtjen, por dhe dëshirën për të zbuluar më shumë dhe për t’u përshtatur në një moshë të re, sepse kur del nga fakulteti ti je në moshën 22 apo 23 vjeçare dhe shkëputja nga qyteti yt apo familja nuk është aq e lehtë, por kur ke më shumë kureshtje dhe pasion që nxiten nga studimet dhe historinë e vendeve të ndryshme, të ndihmon shumë që të përshtatesh më lehtë në një vend të huaj.

CMG: Si ka ndikuar familja në zgjidhjen e degës së studimeve si dhe në pavarësinë tuaj në këtë fushë?

Eronida Mataj: Kur unë kam dhënë provimin për të hyrë në universitet kam pasur tre zgjedhje dhe që të treja i kam fituar, kanë qenë shkencat e mjekësisë, shkencat ekonomike dhe shkenca politike në Fakultetin e Shkencave Sociale. Pasi mora rezultatet patjetër që kam biseduar me familjen sesi do të shkonte e gjithë kjo gjë. Prindërit e mi kanë qenë shumë përkrahës të dy degëve të tjera që unë nuk i zgjodha, pra fakultetit ekonomik dhe atij të shkencave mjekësore sepse nuk e kuptonin dhe nuk arrinin ta pranonin se çfarë do të bëja unë me shkenca politike, i cili nuk është një profesion për ata, dhe vazhdon të jetë kështu në shoqërinë shqiptare. Kur ti thua se jam diplomuar për shkenca politike si specialiste e shkencës politike, njerëzit janë gjithmonë skeptikë. Unë me punën time dhe me vite të tëra që kam elaboruar në këtë sektor, ju kam treguar se ka shumë pozicione pune që shkencat politike të japin mundësi dhe të kualifikojnë më lart për ta fituar atë vend pune. Të jesh specialist politikash të ndihmon dhe në jetë, jo vetëm në punë.

Unë kam pasur fatin të punoj në gazetari, në organizata të huaja, të punoj si PR në kompani private dhe në mënyrë të veçantë në marrëdhëniet me publikun. Gjithashtu kam pasur fatin të elaboroj siç e përmendëm më lart turizmin, udhërrëfimin turistik ku pa njohjen e historisë dhe politikës që unë e kam të kultivuar gjatë katër viteve të studimeve për historinë e popujve, jo vetëm afër vendit tim, por edhe në vendet më të largëta siç janë Europa dhe Amerika.

CMG: Ndalemi pak te puna juaj si udhërrëfyese e grupeve turistike që vizitojnë Shqipërinë. Si ka qenë ky angazhim i ri i juaji dhe çfarë kanë më shumë interes të huajt të shohin në vendin tonë?

Eronida Mataj: Unë e kam nisur shumë rastësisht udhërrëfimin turistik, dhe ka qenë më shumë nga pasioni sepse punoja në një institut italian këtu në Tiranë, dhe kërkohej një shoqëruese për një grup italian dhe më thanë që ta bëja këtë punë ngaqë e dinin që unë e kam pasion, por dhe gjuhën e dija. Këtë punë unë e nisa me një tur të thjeshtë tradicional të Shqipërisë dhe vazhdoi për disa kohë derisa unë mora liçencën, pra u kualifikova si një udhërrëfyese kombëtare turistike. Vazhdoi që të ishte më shumë territori i Shqipërisë, duke prekur nga pjesa e veriut, alpet tona të bukura Valbonën dhe Thethin për të zbritur pastaj në Shqipërinë qëndrore, ku janë qytetet kryesore si Berati dhe patjetër kryeqyteti, Tirana, që është porta pritëse e gjithë turistëve të huaj si dhe në Shqipërinë e jugut, siç është qyteti i Vlorës dhe pjesa e bukur e bregdetit. Kjo ka qenë për disa kohë, por pastaj është ajo që thamë ku ti kërkon akoma më shumë dhe fillon të kërkosh për programe të reja, grupe të reja si dhe për ta shtrirë më shumë diapazionin e territorit.

Më vonë fillova të dal në Ballkan, duke qenë se kisha njohuri dhe kam qenë e apasionuar ku u gjenda shumë mirë edhe në turet ballkanike ku përfshihen të gjitha vendet tona fqinje, Mali i Zi, Kroacia, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, pjesa e Greqisë që jam shumë e lumtur që e kam eksploruar falë kësaj pune. Pastaj arrita edhe më larg në Serbi dhe dola edhe pak në Europë sepse disa grupe duhet t’i shoqërosh deri në Venecia, Itali. Kështu që u shtri akoma më shumë gjeografikisht puna ime si udhërrëfyese.

CMG: Besoj se udhëtimi është edhe një pasion i juaji përveçse një punë?

Eronida Mataj: Kjo është shumë e vërtetë dhe unë gjithmonë e them, sidomos kur flas me të rinj që duan të bëjnë të njëjtën gjë, pra të bëhen udhërrëfyes turistik dhe gjithmonë ju them që ta pyesin veten nëse e duan udhëtimin sepse është çelësi kryesor për të hyrë në këtë profesion. Fokusi im dhe pasioni është udhëtimi dhe eksplorimi. Nuk e kam pasion ose prioritet se çfarë do të vesh apo si do të dukem, por çfarë do shikoj atje. Është shumë i rëndësishm pasioni në këtë profesion ku unë po lëvroj. Nëse nuk e doni udhëtimin është e vështirë të përshtatesh afatgjatë.

CMG: Më e rëndësishme për ju është pasioni për këtë punë apo edhe të ardhurat që mund të përfitosh nga kjo punë ?

Eronida Mataj: Në fillim vërtetë e kisha pasion udhëtimin, por që e kisha rregulluar këtë gjë duke udhëtuar privatisht ose me grupe miqsh. Ajo që më futi mua në këtë punë patjetër ishte pjesa financiare që është shumë e rëndësishme. Në momente të caktuara të jetës time ka dominuar pasioni ku unë ndoshta kam qenë më e re dhe kam kërkuar ta mbush veten time nga ky aspekt, por patjetër që të ardhurat në një fazë kur ti rritesh dhe investon në vetvete, zënë një rol primar. Unë kam qenë shumë me fat sepse hyra nga ngacmimi që pata për paketën financiare që është shumë e kënaqshme të paktën për tregun tonë, mirëpo gjeta edhe pasionin brenda dhe prandaj po vazhdojnë të ecin përkrah të dyja afatgjatë. Kështu që unë ndjehem shumë mirë me këtë punë.

CMG: Unë të falenderoj për këtë intervistë. Ju uroj suksese dhe të udhëtosh sa më shumë.

Eronida Mataj: Shumë faleminderit juve, e shijova çdo moment dhe më pëlqen patjetër udhëtimi, më pëlqen autostrada dhe shpresoj që të gjithë së bashku të udhëtojmë sa më shumë.

Intervistoi: Gazmend Agaj