Xhuljan Kafexhiu ka studiuar për shkenca politike në Universitetin Europian të Tiranës, si dhe në degën "Marrëdhënie me publikun" në Universitetin e Tiranës.
Xh.Kafexhiu në shkollën e integrimit europian (Facebook)
Dy zgjedhje të kombinuara, sipas tij për t’u orientuar në tregun e punës.
Sot Xhuljani punon në Bashkinë e Krujës, duke u kujdesur për të zhvilluar qytetin në proceset e vendimmarrjes.
CMG: Sa reflekton ti me veten?
Xhuljan Kafexhiu: Unë reflektoj shpesh me veten dhe mundohem që këtë reflektim ta bej të mundur shpesh në reflektimet e mia. Kur më duhet të dal para pasqyrës dhe të mendoj për veten gjithnjë më kujtohet një pedagog i imi, i cili më thoshte shpesh: "Nëse ne nuk i besojmë vetes sonë, kush do të na besojë neve"?
Këtë shprehje unë gjithmonë e mbaj me vete dhe përpiqem që ta bind veten se është normale që do kemi ulje dhe ngritje, por duhet t’i besojmë fort vetes sonë.
CMG: A mund të kthehemi në vitet më të bukura të fëmijërisë? Si kanë qenë ato vite?
Xhuljan Kafexhiu: Gjithnjë kur kujtoj fëmijërinë bëhem tepër nostalgjik dhe më kap ajo dëshirë për ta kthyer kohën pas.
Fëmijëria jonë nuk ka përkuar vetëm me tranzicionon e Shqipërisë, por të vetë botës. Ndonjëherë mendoj që është për të ardhur keq që këta fëmijë sot nuk kanë një të kaluar si e jona.
Ka qenë një periudhë e cila të impononte që të luaje dhe ta prekje tokën dhe terrenin. Të shpikje gjithçka që mund të luaje dhe të argëtoheshe.
Kalonim një kohë të mirë me kualitet. Është e vërtetë që ne nuk kishim hapësira sportive apo kënde lojërash, por kishim shokë dhe kjo është e rëndësishme. Sot duhet të bjerë një këmbanë alarmi sepse nuk ka fëmijëri të gëzuar dhe të lumtur.
CMG : Cilat janë gjërat që do të doje t’i ktheje nga koha që ka kaluar?
Xhuljan Kafexhiu: Koha! Një moment shumë i rëndësishëm për ne në kohën e kaluar kanë qenë harxhimi i kohës me njëri -tjetrin. Dikur ne ishim më të afërt dhe meqë jemi në prag festash ne i kalonim ato gjithmonë me njeri- tjetrin, ndërsa sot është pak më e vështirë. Nëse do kisha diçka që do të doja ta ktheja, do ishte ajo koha për t’i pasur njerëzit me afër dhe pranë njëri- tjetrit.
Njerëzit sot kanë angazhimet e tyre dhe janë tepër të zënë në kuptimin e plotë të fjalës dhe harrojnë se koha është thesar e se duhet harxhuar me njerëzit e duhur.
Xh. Kafexhiu (Facebook)
Unë do t’i ktheja ditët e gjimnazit sepse është e vërtetë që teknologjia nuk ka qenë në këto nivele që është sot, por ka pasur më tepër dashuri dhe afrimitet.
CMG: Cilat janë sfidat me të cilat jeni përballur në jetë?
Xhuljan Kafexhiu: Sfida që më ka rritur pa më pyetur ka qenë humbja e babit tim. Ajo ka qenë një nga sfidat më të mëdha që të binte shtëpia mbi shpatulla, mbi krahë. Realisht ajo më rriti para kohe dhe më burrëroi në kuptimin e plotë të fjalës. Nuk i dedikoja më kohë shoqërisë, por familjes.
CMG : Të jesh i ri në Shqipëri do të thotë që...
Xhuljan Kafexhiu: Kur dëgjoj këtë temë më vjen shumë keq sepse ka gjithnjë një trend për të ikur. Nuk është vetëm trendi ynë, por kudo në botë të rinjtë janë dhe duhet të jenë të pakënaqur nga jeta e tyre.
Ka të rinj në Francë, të cilët duan të ikin prej aty, ndërkohë që ne duam të shkojmë në Francë.
Të jesh i ri në Shqipëri mund të jetë sfiduese, por është periudha më e bukur që mund të kalojmë. Nuk duhet të harrojmë që jemi një shtet në zemër të Europës, pavarësisht sfidave të tjera. Ky fakt duhet të na gëzojë dhe shtyjë për të ecur përpara.
Ne kemi disa kushte që nuk i kanë pasur prindërit tanë, si për shembull të mësojmë gjuhë të huaja apo udhëtojmë lirisht për t’u përmirësuar.
CMG: Cilin e konsideron si moment kthese në jetën tënde?
Xhuljan Kafexhiu: Të jesh në momentin e kthesës, por varet se si është ajo. Momentet e mia kanë përkuar shumë afër me njëra- tjetrën. Ka qenë dega ime e studimeve, e cila hodhi poshtë dilemën time se ku do ta gjeja veten.
Ky është momenti kur ti zgjedh pavarësisht influencave të ndryshme. Pastaj humbja e babait gjithashtu ishte një kthesë, sepse më dha mua një tjetër drejtim në jetë.
CMG: Çfarë nuk duhet t’i mungojë një të riu në të përditshmen e tij ?
Xh. Kafexhiu (Facebook)
Xhuljan Kafexhiu: Nuk duhet t’i mungojë aktiviteti. Një njeri pa aktivitet është si një liqen pa ujë. Kjo moshë është mosha që ka më tepër mundësi dhe kohë, ndaj duhet shfrytëzuar.
Kalimi i kohës me miq dhe shokë. Kjo i ndihmon shumë të rinjtë.
Unë jam një nga ata të rinj që nuk humbas asnjë aktivitet që më ofrohet apo del para dhe mesazhi im për të rinjtë është mos të humbasin kohën kot.
CMG: Cila ka qenë puna juaj e parë?
Xhuljan Kafexhiu: Puna e parë që unë kam bërë ka qenë profesioni i kamerierit. Nuk e nisa këtë punë sepse kisha nevoje për para, por doja të njihja veten dhe punën. Edhe sot që flas me miq të mitë, ata e ndiejnë si paragjykim atë lloj profesioni, por kamerieri mëson çdo njeri se si të sillet dhe të kuptojë marrëdhëniet njerëzore.
CMG : Çfarë ju duhet për të arritur motivimin?
Xhuljan Kafexhiu: Motivimi vjen duke arritur më tepër. E vetmja gjë që mund të motivojë të tjerët sipas meje është "Ndiq zërin e brendshëm!" dhe mos u ndiko nga askush tjetër.
Mos i besoni jurisë imagjinare që na rrethon, por duhet të ndjekim ëndrrat tona. Ky është motiv.
CMG: Shkolla e Integrimit Europian ku ti more pjesë, çfarë rëndësie ka?
Xhuljan Kafexhiu: Është një shkollë e rëndësishme sepse edhe pse zgjat pak, bën bashkë disa nga organizatat me të rëndësishme europiane.
I duhet çdo të riu, i cili kërkon të mësojë me tepër. Disa aktorë bëhen bashkë e sjellin për çdo student trajnuesit me të mirë në Shqipëri dhe Europë.
Aty mëson për integrimin, jo vetëm si koncept, por arrin të dallosh arritjet. Kupton gjithë procesin e rëndësishëm se si një vend integrohet dhe nuk duket më si një ëndërr, por është fare pranë.
Aty mësova të rejat e fundit dhe mora tepër dije. Përveç një certifikate të vlefshme të jep dije dhe ajo funksionon vetëm 1 here ne vit, kur hapen thirrjet dhe mendoj që kushdo që e dëgjon thirrjen të aplikojnë. Pas kësaj shkolle ata dalin nxënës më të mirë.
CMG: Cila është historia më motivuese që të ka shërbyer?
Xhuljan Kafexhiu (Facebook)
Xhuljan Kafexhiu: Një nga këto histori më ka ardhur në një moment delikat të jetës. Kam qenë në një trajnim tepër të rëndësishëm që më ka shërbyer dhe ka qenë një djalosh i ri indian, i cili jepte trajnim. Anili ishte shembulli ynë. Ai ishte rritur në një qytet të vogël indian me plot sfida dhe problematika e horizont të jashtëzakonshëm për t’u forcuar si individ.
Nga India ai aplikoi në Holandë për shkollim edhe pse nuk kishte asnjë orientim apo mbështetje. Pasi aplikoi në shkollë ai ishte përzgjedhur sepse i kishte plotësuar testet. Ai i kishte dërguar një email universitetit për ta tërhequr, por e refuzuan ndërsa më pas u ngrit një peticion ku kanë qenë vetë studentet që u kujdesën që ai të vinte dhe të shkollohej. Ky ishte rasti më i mirë i një shembulli që duhet të ndjekim. Anili ka qenë më pas studenti më i mirë dhe sot një nga pedagogët më të mirë.
Ne nuk duhet kurrsesi të humbasim besimin. E bukura vjen pasi kemi ëndërruar e punuar fort.
CMG: E përfundojmë bashkë fjalinë "Më kujtohet kur"...
Xhuljan Kafexhiu: Më kujtohet momenti që kritikoja gjithmonë bashkinë për mungesat në qytet dhe mezi prisja takimet për t’i thënë këto. Pas disa viteve historia e solli që të punoj në institucionin që shpesh e kritikoja
Sot punoj për kritikat që i kam dhënë atij institucioni dhe vijoj të punoj për qytetin.
Intervistoi: Megi Latifi