Iden Petraj është aktiviste e njohur në fushën mjedisore. Qysh e vogël ka përdorur biçikletën dhe mendon se pa të nuk mund të jetojë. Kanë qenë të shumta aktivitetet që ka bërë për të nxjerrë në pak rëndësinë e biçikletës. Së fundmi ajo ka krijuar edhe projektin “Dhuro një biçikletë”, me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.
Iden Petraj (Facebook)
CMG: Iden "Dhuro një Biçikletë" e ke cilësuar si diçka madhore që lidhet me jetën. Çfarë është jeta për ju?
Iden Petraj: Jeta për mua është punë. Punë e palodhshme për të arritur qëllimet dhe mbushje objektivash. Në jetë nuk ka fat sepse gjërat arrihen me vështirësi. Fati në jetë është një moment i përshtatur me kohën dhe me vendin.
CMG : Keni udhëtuar në rrugëtimin tuaj me sfida?
Iden Petraj: Për mua çdo ditë është një sfidë. Që në momentin që zgjohem dhe duhet t’i jap forca vetes për të marrë prej ditës më të mirën.
Kam kaluar momente delikate që preferoj të mbeten të miat dhe tashmë që kanë kaluar thjesht i shoh si arritje.
Dita bëhet e lodhshme kur ka tepër sfida por duhet t’i dalësh para dhe ta zotërosh, ndryshe nuk ja del.
CMG: Nuk kemi vetëm momente delikate në jetë kemi edhe të paharrueshme dhe të bukura, apo jo?
Iden Petraj : Unë jam tepër e lumtur dhe ndihem e mbushur me energji të mirë. Po bej punën që unë dua, bëj gjërat që dua.
Logo e veprimtarisë (Facebook)
Kohën e kam të shenjtë dhe ia dedikoj vetes dhe profesionit sepse është diçka që më mbush. Mundohem që çdo gjë ta kem në kontroll dhe këto vitet e fundit ndihem vërtet mire, sepse po kontribuoj për gjërat që unë kam aspiruar përherë.
CMG: Nisma "Dhuro një Biçikletë" i drejtohet fëmijëve. E nisim nga ju. Si ka qenë fëmijëria juaj?
Iden Petraj : Unë kam qenë një vajzë që shihja gjithnjë dokumentare dhe ndiqja mesazhe e shprehje, të cilat sot janë në funksion.
I kujtoja çdo ditë dhe krijova një lloj mendimi që çdo gjë që unë bëja çdo ditë pyesja veten kush është mësimi që po marr sot.
Çfarë bëra gabim, çfarë duhet të bëj më mire, kanë qenë pyetjet që kanë mbizotëruar në fëmijërine time.
CMG :Çfarë do t’i sugjeroje një të riu?
Iden Petraj : Ti gjykonte dhe shihte hapat që hedh. Të jetë i përgjegjshëm për veprimin dhe ta mirëmendojë. Kam një pendesë në jetë sepse kam ëndërruar shumë dhe nuk i kam arritur gjërat në kohën e duhur. Duhet të isha më tepër racionale, sepse këto hapa që unë po ndjek tani nëse nuk do isha aq ëndërrimtare do t’i kisha kaluar.
CMG : Si e përmbledh me dy fjalë fëmijërinë?
Iden Petraj : Mezi prisja të dilja nga shkolla për të luajtur!
CMG : Nisma "Dhuro një Biçikletë", si lindi kjo ide për fëmijët?
Iden Petraj : Mendova thellë kur e ideova dhe qëllimi primar ishte që çdo fëmijë të gëzojë dhe në fakt festat e fundvitit po vijnë dhe tani është momenti që çdo fëmijë të jetë i lumtur. Këtë muaj festiv duhet ta presim ndryshe. “Dhuro një Biçikletë” konsiston në dhurimin e biçikletës nga fëmijët që nuk e përdorin më. Kështu për ato biçikleta që nuk përdoren mund t’i hyjnë dikujt në punë.
Nje diskutim mbi rëndësinë e biçikletës dhe pse Tiranës i duhet aq shumë një komunitet masiv ciklistësh
Po përpiqem që t’i rikujtoj se sa e rëndësishme është të përdorim biçikletat. Me anë të disa personave të duhur do t’i rikuperojmë problemet që mund të kenë nevojë. Ne nuk do dhurojmë vetëm biçikletat, por dhe gjëra te tjera gjatë kësaj kohe.
Është një ide e cila vjen si zinxhir. Dikush që ka biçikletë ja jep dikujt që e rikuperon dhe një fëmijë që bëhet i lumtur. Kaq mjafton për të qenë një projekt i veçantë.
CMG: Rëndësia e përdorimit të biçikletës cila është?
Iden Petraj : Ka pesë vite që në Tiranë përdoret edhe më tepër biçikleta si një mjet jo vetëm kënaqësie, por dhe udhëtimi dhe mua më vjen mirë për këtë gjë. Kjo tingëllon si një stërvitje e ditës. Në kohët ku jetojmë jemi në një periudhë emergjence të ngrohjes globale dhe është i vetmi mjet transporti, që lëshon zero karbon ndaj dhe është e pakrahasueshme rëndësia e saj me asgjë tjetër.
CMG : Si e imagjinon Tiranën pas 10 vitesh?
Iden Petraj : Me shume biçikleta dhe me tepër inovative sepse sa vjen dhe Tirana merr pamjen e një qyteti rinor. Njerëzit duhet të kujdesen për natyrën. Duhet të përdorim produkte vegane. Duhet të mos përdorim qesen dhe të përdorim biçikletat. Ky vend sa vjen dhe i ka në fokus këto të fundit. Çdo njeri do jetë më i përgjegjshëm dhe nuk do të blejë me tepër nga sa përdor. Fokusi kryesor besoj do të jetë transporti.
CMG : A ka ditë perfekte për ju?
Iden Petraj : Po janë ato ditët ku takoj njerëz pozitive që ndaj të njëjtat ide për të ardhmen. Janë ato ditët kur ka përgjigje të mira dhe pozitive për projekte që dua t'u jap jetë.
CMG : Pse duhet të "Dhurojmë një Biçikletë"
Iden Petraj : Ju lutem dhuroni një biçikletë, nëse nuk i përdorni. Këtë gjë mund ta dorëzoni në njësinë tuaj administrative. Është e rëndësishme t’i kthejmë buzëqeshjen një fëmije.
Intervistoi:Megi Latifi