Agi Haxhimurati është i riu nga Shqipëria, i cili ka një eksperiencë të gjatë në brandimin e kompanive të ndryshme brenda dhe jashtë vendit.

Së fundmi ai ka lidhur edhe një bashkëpunim me "Hotel van Bebber” në Gjermani, duke u kujdesur për brandimin dhe mirëmbajtjen. Eksperienca e tij shtrihet gati në të gjithë Europën.

Agi Haxhimurati (Facebook)

Agi Haxhimurati (Facebook)

CMG : Si ka nisur e gjithë eksperienca juaj në këtë profesion?

Agi Haxhimurati: Me pune amatore unë kam nisur shumë herët, që në shkollën fillore. Kam filluar si shpërndarës interneti nëpër shtëpi të ndryshme dhe gjithçka kishte kontekst e nivel amator. Në gjimnaz më pas fillova të merrem më seriozisht. Unë si natyrë i urrej punët që janë çdo ditë njësoj, preferoj që çdo ditë të jetë ndryshe dhe këtë zgjedhje e bëra sepse doja të zgjohesha çdo mëngjes dhe përballë të kisha sfida të reja. Më pas vendimi që mora ishte të studioja në Grafik Dizajn.

CMG : Fëmijëria juaj ka kaluar në Kosovë dhe rinia në Shqipëri, cilat janë dallimet kulturore që shfaqen?

Agi Haxhimurati: Ka një dallim mes tyre me pasoja të lëna nga lufta.

Unë jam një nga ata fëmijë që e jetova luftën në Kosovë.

Në Kosovë njerëzit e kanë shpirtin sipërmarrës dhe nuk i nënshtrohen diktatit apo atij që urdhëron, kanë më tepër liri në vendimmarrje.

Lëvizjet që ka bërë Kosova nëpër Europë solli tek ne një tjetër kulturë.

CMG: Si e ke përjetuar luftën?

Agi Haxhimurati: Në vend që unë të isha duke shijuar fëmijërinë dhe të shkoja në kopësht isha gjithnjë duke i ikur luftës dhe kanë qenë vite të dhimbshme. Kjo pjesë nuk është e këndshme! Ajo që më ka bërë të kuptoj me tepër jetën është pikërisht lufta.

Lufta më bëri të vlerësoj më tepër familjen dhe të mos ankohem.

Unë mendoj që kam rilindur nga ajo gjendje.

Unë sot mund të mos isha fare këtu ku jam, ndaj e vlerësoj jetën.

Agi Haxhimurati në intervistë për CMG

Agi Haxhimurati në intervistë për CMG

CMG: Si ishin pamjet e para kur ti nise shkollën pas luftës?

Agi Haxhimurati: Ishin pamje të rënda për një fëmijë. Shenjat e luftës ishin ende aty, plumbat kishin lënë shenja kudo. Doja apo nuk doja unë do të vazhdoja përpara. Kam pasur një mësuese të mire, e cila ka qenë si je nënë e dytë për mua.

CMG: Cila ka qenë puna juaj e parë?

Agi Haxhimurati: Unë kam pasur një biznes familjar dhe e kam nisur aty kulturën për punën. Babai im është një shqiptar me mentalitet gjerman! Ai është tepër korrekt në punë dhe punon shumë fort. Unë nuk kam pasur asnjëherë favore edhe pse kam qenë djali i pronarit.

E thashë që ai ka qenë me mentalitet të hekurt pune dhe kështu unë nuk mund të krijoja dembelizma.

Më ka kalitur ajo punë sepse në atë periudhë unë nuk e doja kaq shumë punën sa sot. Më pas eksperienca, e cila më la profesionin e jetës, ishte kjo që bëj sot Designer.

CMG: Çfarë do të thotë të jesh një Designer në epokën moderne?

Agi Haxhimurati: Është ndjenjë e mirë dhe krenari sepse nesër ti del në rrugë dhe sheh punën tënde dhe thua me zë të lartë që kjo është punë e mirë. Ndoshta një ditë s'do te jem më në këtë jetë, por do të jetë puna ime.

Është një profesion i vështirë sepse ndoshta nuk ka shumë lodhje fizike, por ka lodhje mendore dhe kaq mjafton që të ndihesh i konsumuar.

Vitet e para kanë qenë shumë të vështira sepse mentaliteti i njerëzve nuk e pranonte fare si profesion, por me rritjen ekonomike u vu re që ne jemi të dobishëm siç një fëmijë i vogël sapo rritet. Stili është gjithçka për një kompani!

Brandi është si e njohim ne të tjerët dhe duhet të punojmë për një identitet me të gjjtha fushatat dhe detajet apo marketingu i cili shet.

CMG: Cila logo ka qenë e para e juaja?

Agi Haxhimurati: Profesionale e paguar ka qenë në Kosovë për një shoqatë atje dhe ka qenë ogur i mirë. Çmimi ka qenë shumë minimal, por ishte një shtytje për të vazhduar të fitoja para vetëm me një laptop.

Agi Haxhimurati me zyre ne Gjermani (Facebook)

Agi Haxhimurati me zyre ne Gjermani (Facebook)

Ky profesion ka një rëndësi të madhe dhe duhet mbrojtur. Ngjyrat e para që kam përdorue kanë qenë ato të tokës.

CMG: Çfarë duhet të kemi parasysh në vitet e fundit për të krijuar një brand?

Agi Haxhimurati: Gjithçka nis nga emri! Është e rëndësishme që të zgjedhim emrin e duhur.

Për këtë ne kemi një pyetësor ku klienti duhet të përgjigjet, për të kuptuar se çfarë do. Pasi ne e marrim pyetësorin e përkthejmë atë vizualisht. Kjo është diçka teknike, por nëse klienti ka emrin, kemi logon, kujdesemi që logot mos të bien ndesh me njëra- tjetrën.

Personalisht jam fans i historisë dhe nxitem nga ky faktor.

CMG: Cili ka qenë projekti juaj i parë me faktor apo element historik?

Agi Haxhimurati: Ka qenë Bunk’Art. Unë aty isha dhe jam drejtor kreativ. Emrin e kam ideuar unë apo dhe çdo detaj tjetër. Duhej një emër i thjeshtë dhe i veçantë. Ajo që unë u sugjeroj klientët është mos te ndjekin trend, por të krijojnë trend.

Ne nuk bëjmë logo të bukura, por të qëndrueshme dhe me substancë brenda. Janë logo që duhet të qëndrojnë me shekuj.

CMG: A ngjajmë në kultura të tjera me stilet që ndjekim?

Agi Haxhimurati: Nëse flasim për Turqinë, ata ndjekin një stil oriental, që pavarësisht sa afër mund të jemi ne nuk ngjajmë në këtë pjesë, nuk jemi fansa të orientalizmit. Kina gjithashtu ka elemente të bukur orientale, por ndryshe nga Turqia. Turqia ka në fokus luksin dhe e kundërta ndodh në Zvicër, sepse kërkojnë diçka të thjeshtë, por të fortë për të treguar fuqi. Italia gjithashtu ndryshon në stil, ata duan shumë ngjyrat. Në Angli janë të fokusuar tek historia dhe jo bukuria. Gjermania i ka të kombinuara bashkë këto elementë.

Dallojnë francezët sepse kanë më tepër klas dhe kjo është një rezyme e punës sonë.

CMG: "Hotel van Bebber" në Gjermani, ndër më të vjetrit dhe historikë si krijoi bashkëpunim me ju?

Agi Haxhimurati: Ky është një projekt shumë i afërt i yni dhe unë jam shumë krenar për punën që jam duke bërë me këtë hotel prestigjioz.

Ai është një hotel që prej 1783 dhe ka nisur thjesht si një bujtinë. Një nga personat më të rëndësishëm që ka qëndruar aty ka qenë Napoleon Bonaparti e shumë personazhe të tjera politike të rëndësishme të historisë.

Hotel van Bebber në Gjermani (Facebook)

Hotel van Bebber në Gjermani (Facebook)

CMG: Si ndiheni që ua kanë besuar juve këtë a hotel?

Agi Haxhimurati: Shumë i lumtur dhe kokulur. E kam një mësim për jetën që në jetë çfarëdo që të arrish duhet të jesh gjakftohtë, sepse jeta është e gjatë dhe suksese te tjera na presin.

"Gëzohu për çdo sukses, por mos e tepro! "

Kthehu në normalitet! Kjo do ishte këshilla ime, sepse nuk duhet të sillemi kurrë sikur diçka që po bëjmë tani do të jetë projekti ynë i fundit.

Intervistoi :Megi Latifi