Nëse jemi me fat, dimri i vitit 2025 mund të jetë normal. Si gjithmonë, sistemet e kujdesit shëndetësor do të jenë nën presion, nga përhapja e sëmundjeve të frymëmarrjes– shkruan The Economist.
Bota ka përjetuar pandemi edhe më parë. Në fund të shekullit XIX, rreth 1 milion njerëz mund të kenë vdekur nga gripi rus, për të cilin disa mendojnë se është shkaktuar nga një koronavirus. Gripi spanjoll që goditi në vitin 1918, vrau rreth 50 milionë veta në vetëm disa vjet.
Përhapja globale e Covid 19 (Yale Medicine)
COVID-19 është pjesë e kësaj liste. Kjo pandemi ndoshta ka vrarë 10 – 19 milionë njerëz, me një mesatare prej 16.3 milionë, sipas parashikimeve nga The Economist. COVID-19 nuk është aspak sëmundja më vdekjeprurëse me të cilën është përballur ndonjëherë njerëzimi. Shumë nga të infektuarit as nuk e dinë që e kanë. Por ajo është një sëmundje e re dhe është përhapur kudo. Kur u shfaq, e gjithë bota u alarmua.
Por në fund, të gjitha pandemitë veniten. Vjen një pikë kur një numër i mjaftueshëm njerëzish zhvillojnë imunitet, kështu që viruset nuk mund të gjejnë më trupa të rinj për t’u përhapur. E megjithatë, lija është e vetmja sëmundje njerëzore që është çrrënjosur plotësisht. Të tjerat, si gripi, fruthi dhe kolera, u bënë ngadalë endemike, por nuk u eliminuan dot tërësisht nga vaksinat dhe trajtimet mjekësore, theksohet në artikullin e “The Economist”.Në atë aspekt, COVID-19 është i njëjtë me to. Por ndryshe nga pandemitë e tjera, shkenca ka përparuar shumë dhe po e përshpejton procesin e sëmundjes drejt të qenët endemike. Pyetja tani është se sa shpejt do të bëhet endemike dhe si do të duket bota ndërkohë.
Çrrënjosjae COVID-19 është e pamundur
Shumica e qeverive e pranojnë se çrrënjosja e COVID-19 është e pamundur. Transmetueshmëria ekstreme e variantit Delta e ka bërë këtë qëllim edhe më të padobishëm. Masat bllokuese dhe karantinat e pafundme janë alternativa e vetme, por të gjitha shoqëritë i konsiderojnë ato krejt të patolerueshme. Zgjedhja e duhur është që çdo vend të mësojë si të jetojë me sëmundjen.
Kështu ka ndodhur me poliomielitin dhe fruthin, dy sëmundje të rënda që ishin endemike në shekullin XX, por që tani janë eliminuar nga pjesa më e madhe e planetit. Fushatat e vaksinimit qenë të suksesshme, sepse të dyja viruset dëmtonin rëndë dhe vrisnin fëmijët, të cilët lindnin me një sistem të dobët imunitar. COVID-19 nuk ka gjasa të ndjekë të njëjtën rrugë, jo vetëm ngaqë shkakton relativisht më pak dëm tek të rinjtë, por edhe sepse njerëzit e vaksinuar mund të infektohen dhe ta transmetojnë infeksionin, edhe pse simptomat zakonisht janë të lehta, nënvizon artikulli.
Covid 19 (Wikipedia)
Dëmi nga COVID-19 endemik
Dëmi nga COVID-19 endemik përfundimisht mund të jetë diku midis atij të gripit dhe koronaviruseve të tjerë të zakonshëm. Trevor Bedford, virolog në Qendrën Kërkimore të Kancerit Fred Hutchinson, në Seattle, ka llogaritur se varianti Delta riprodhohet dy herë më shpejt se H3N2, një nga llojet më të zakonshme të gripit. Ai gjithashtu vëren se, deri tani, SARS-CoV-2 ka evoluar rreth pesë herë më shpejt se virusi i gripit (edhe pse kjo normë do të ngadalësohet pasi sëmundja të bëhet endemike dhe më pak e përhapur).
Doktor Bedford beson se barra e SARS-CoV-2 do të jetë e ngjashme me atë të gripit në vitet e ardhshme. Të tjerë mendojnë se COVID-19 mund t’u ngjasojë koronaviruseve të tjerë të zakonshëm që qarkullojnë gjerësisht, por nuk do të mbingarkojë më sistemet e kujdesit shëndetësor ose shoqërinë.
Çfarë do të ndodhë në afatin e mesëm
Në periudhën afatmesme, edhe vendet me nivele të larta vaksinimi, do të kenë vështirësi. Në Britani, e cila hoqi masat bllokuese më herët se shumica e vendeve të tjera europiane, në shtator, pacientët me COVID-19 zunë 25-35% të shtretërve të kujdesit intensiv. Por në Britani, si në pjesën tjetër të Europës, 80-90% e atyre që janë shtruar në spital me COVID-19, janë të pavaksinuar, thekson “The Economist”.
Hendeku midis të vaksinuarve dhe të pavaksinuarve është edhe më i madh për sa u përket vdekjeve. COVID-19 tani është shkaku kryesor i vdekjeve tek britanikët e pavaksinuar. Globalisht, këto valë infeksioni do të zbehen nga imuniteti kolektiv. Me kalimin e kohës, rritjet e infeksioneve do të bëhen gjithnjë e më të rralla. Dhe bota do të përparojë drejt endemicitetit. Fakti se si do të përparojë endemia dhe shpejtësia me të cilën vendet do ta arrijnë atë, varet nga tre gjëra: sa për qind e një popullsie është imune ndaj virusit dhe cilësia dhe qëndrueshmëria e atij imuniteti; si mund të trajtohet sëmundja; dhe si do të evoluojë virusi.
Vaksinimi ndaj Covid 19 (ECPC)
Vaksinimi
Vaksinat i kanë ofruar rreth një së tretës së njerëzimit një rrugë të shkurtër drejt fazës endemike të sëmundjes, duke anashkaluar pjesë të rrugës që do të kishin qenë shumë më vdekjeprurëse. Rreth 3.8 miliardë njerëz kanë marrë të paktën një dozë vaksine, dhe 2.8 miliardë janë vaksinuar plotësisht. Po të shtojmë edhe personat që e kanë kaluar infeksionin, duket se mbi gjysma e popullsisë së botës duhet të ketë një shkallë imuniteti ndaj COVID-19.
Vaksinat ulin shumë rrezikun e simptomave të rënda dhe vdekjes. Ato kanë shpëtuar me qindra mijë jetë dhe kanë ndihmuar shumë sisteme të kujdesit shëndetësor që të funksionojnë.
Për çdo gjë ka një sezon
Përfundimisht, pasi imuniteti të jetë përhapur mjaftueshëm, rastet e COVID-19 do të bien në një model sezonal të ngjashëm me sëmundjet e tjera endemike të frymëmarrjes, që kanë qarkulluar për një kohë shumë më të gjatë.
Ka shumë gjasa që COVID do të bëhet një sëmundje me të cilën njerëzimi mund të jetojë dhe kjo nuk do të ndodhë vetëm falë vaksinave, por edhe trajtimeve mjekësore që po përparojnë me shpejtësi.
Remdesivir, një ilaç antiviral, mund të ulë shtrimet në spital me 87% në pacientët me rrezik të lartë, nëse jepet në fazën e parë të COVID-19. Por ai duhet të administrohet në një mjedis spitalor. Terapitë me antitrupa, janë shumë efektive, por zakonisht jepen në të njëjtën mënyrë.
Ilaçe të tjera dhe më të lira antivirale orale, janë duke u zhvilluar. Çdo dimër, qarkullimi i gripit do ta bëjë më të vështirë situatën. Dozat përforcuese vjetore dhe vaksinat e gripit do të ndihmojnë për t’i mbajtur njerëzit e rrezikuar jashtë spitalit, theksohet në artikullin e “The Economist”.
Testimi i koronavirusit (European Vaccination Portal)
Mutacionet
Pavarësisht se çfarë mutacionesh do të pësojë SARS-COV-2 në të ardhmen, COVID-19 endemik nuk do të ekzistojë në një vakum.
Edhe kur të fillojë procesi i endemicitetit, bota do të ketë ende një rrugë të gjatë përpara. Ne nuk po përdorim të gjitha mjetet e disponueshme për të arritur në mënyrë sa më të shpejtë dhe të sigurt në fazën endemike. Këto mjete përfshijnë vaksinimin, maskat dhe ajrosjen. Do të vijë koha kur COVID-19 të bëhet endemik. Por ai do të krijojë shumë sfida në muajt dhe vitet në vazhdim. Rruga drejt normalitetit të ri mund të jetë shumë e trazuar, përfundon artikulli i “The Economist” kushtuar fundit të pandemisë së koronavirusit.
Eda Merepeza