Edison Balla ka lindur dhe është rritur në Bulqizë. Ai ka mbaruar studimet Bachelor për Drejtësi në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, më pas ka përfunduar edhe studimet Master Shkencor, E drejtë civile dhe tregtare në Universitetin “Luarasi”.
Edison Balla (facebook)
Aktualisht, Edisoni është pedagog në Departamentin e Drejtësisë pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës. Po ashtu i angazhuar edhe në një emision të përjavshëm si analist për çështjet juridike dhe problematikat sociale. Ai është prej kohësh pjesë aktive e Shoqërisë Civile. Themelues i Forumit “Të Rinjtë e Dibrës” dhe Bordit Rinor të Bulqizës.
Edisoni ka punuar në Bashkinë e Bulqizës, Dibër, si Përgjegjës i “Njësisë për Integrimin Evropian dhe Ndihmën e Huaj”, dhe pjesë e Zyrës së Medias pranë kësaj Bashkie. Ai ka punuar gjithashtu edhe në median e shkruar, në portale informative në vend. Është ideator dhe themelues i Rubrikës “Të Rinjtë e Vlerave”, që promovon të rinj të suksesshëm të medias, sportit, biznesit, dhe shoqërisë civile anembanë vendit. Edisoni është i pranishëm shpesh në gazeta e portale të rëndësishme në Shqipëri, ku spikat me analiza për çështjet rinore, juridike, por pa lënë asnjëherë jashtë vëmendjes realitetin e Bulqizës, ku ai prej kohësh lobon në media dhe në shumë panele ku ftohet, për të drejtat e minatorëve të Bulqizës.
Edison Balla në intervistë për CMG
Edisoni ka punuar me projekte të ndryshme, ku mund të përmendim punën e tij 2-vjeçare si Koordinator Lokal për Bashkinë e Bulqizës në projektin “Bashkitë për në Evropë”. Ky është një prej projekteve më të mëdha të mbështetura nga Bashkimi Evropian, që synon nxitjen e Bashkive drejt procesit të integrimit evropian.
Edisoni u bë më shumë i njohur për publikun shqiptar, gjatë kohës që merrte pjesë si i ftuar i përjavshëm në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” që transmetohet çdo ditë në Televizionin kombëtar News 24. Si jurist i ri në emision, Edisoni u çmua për mendimet dhe analizat e rasteve që bënte.
CMG: Edison, ju vetë për çfarë e njihni veten tuaj?
Edison Balla: Veten unë aktualisht e njoh për gjërat që bëj. Jam pedagog në Fakultetin Juridik në Universitetin "Aleksandër Moisiu". Jam tepër i dhënë dhe i orientuar në fushën e drejtësisë dhe kjo dëshirë me është rritur nga koha në kohë. Vij nga një vend minatorësh si Bulqiza dhe më është dashur shumë punë për të arritur që gjërat të jenë të drejta.
Edision Balla themelues i Bordit Rinor(Facebook)
Duke qenë se si eksperiencë unë kam pasur edhe shoqërinë civile dhe jam rritur me frymën e të drejtës, sidomos kur themelova edhe Bordin Rinor për të bërë punë me të mira edhe me të bukura në Bulqizë.
CMG: Lindur dhe rritur në Bulqizë, si kanë qenë vitet e fëmijërisë?
Edison Balla: Unë vij nga një vend si Bulqiza dhe është një vend i egër, por kur bëhet fjalë për fëmijërinë ajo sido të jetë mbetet e bukur. Kur kthehem në vite pas, ajo është e bukur. Kujtoj ditët kur luaja deri vonë jashtë bashkë me miqtë e mi dhe ishin të tjera vite dhe kohë tjetër. Ka qenë absolutisht e vështirë që të jetoja në një vend verior dhe të vështirë si Bulqiza, por ja dola.
Kam pasur një moment tepër delikat që kanë qenë vitet e adoleshencës kur unë dola nga dyert e gjimnazit dhe me duhej që të punoja në minierë për të siguruar të ardhurat për në shkollë. Vitet kalonin dhe unë çdo ditë punoja për të përfunduar arsimin e lartë.
CMG: A ju kanë rritur këto episode në jetë? Pra, vështirësitë a janë një formë e mirë për t’u rritur...
Edison Balla: Po, unë vijoj të them që është një sfidë me veten dhe se njerëzit të cilën kanë kaluar nëpër vështirësi e kanë më të thjeshtë për të sunduar në jetë.
Jam ai rasti që mendoj se vështirësitë të nxjerrin në jetë burra të mëdhenj. Kur mendoj që kam punuar në një terren tepër të vështirë siç është miniera, më bën të reflektoj për gjërat që bëj.
Sakrifica duhet t'ia vlejë në çdo fushë dhe ne duhet të bëjmë përpara!
Edison Balla ne univeristetin Aleksandër Moisiu (Facebook)
CMG: Bordi rinor në Bulqizë, çfarë ndryshimesh solli në këtë qytet?
Edison Balla: Unë edhe kur studioja në Durrës zemrën e kisha në Bulqizë. Gjithmonë kam dashur të punoj për ata. Bashkia dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim bashkëpunuan për ta ngritur si strukturë.
Sot Bulqiza është ndër të vetmet ku të rinjtë kanë ambiente për të zhvilluar aktictiteve dhe gjëra pozitive. Mendoj se krijimi i kësaj qendre solli ndryshime në Bulqizë gjithnjë për mirë.
CMG: Si është një ditë e zakonshme në Bulqizë?
Edison Balla: Nuk është aq bardh e zi sa e shohim në media. Atje ka jetë dhe një numër të madh banoresh. Ka shumë të rinj dhe gjimnaze, por ka jetë edhe pse vijon largimi masiv.
Bordi për të rinjtë ndaj dhe u krijua për t’i mbajtur pranë të rinjtë.
Kanë edhe këta të fundit problemet e tyre për t’u integruar, por jemi drejt një rruge për ta përmirësuar
CMG: Cilat janë 3 arsyet që duhet të vizitojmë Bulqizën?
Edison Balla: Ka një terren malor thuajse perfekt. Ka gjithashtu liqen në zonën e sipërme të saj. Padyshim terreni malor me pamjen na ofron tepër. Bujaria dhe mikpritja nuk mungojnë. Zhvillimi i agroturizmit është në fokus dhe ja vlen padyshim që në këto momente të vizitohet Bulqiza.
CMG : E ardhmja juaj... E mendoni veten në sërish në Bulqizë?
Edison Balla: Kam plane, sepse Bulqiza është edhe plan A dhe B për mua. Për momentin nuk do të doja të ikja nga këtu ku jam, sepse po rritem profesionalisht, ndërsa sa i përket angazhimit në forma nga më të mirat unë po e bëj. Siç është edhe media, nëpërmjet së cilës unë nuk do ndaloj se nxjerri në pah problemet dhe arritjet e këtij vendi.
CMG: Ju dje ishit student i një auditori ku sot jeni pedagog. Si ndiheni për këtë përmbysje?
Edison Balla: Po, është ndjesi shumë e bukur.
Nuk mjafton vetëm që në një profesion të jesh profesionist, por është e rëndësishme të jesh dhe të kesh pasion dhe unë e kam këtë pasion brenda vetes. E dua vërtet dhe jap më të mirën në këtë profesion. E kam provuar gjjthnje që të jap nga dija ime dhe më përmbush kjo ndjesi.
CMG: Kujt ja referon arritjet?
Edison Balla: Dëshirës për të mos hequr kurrë dorë nga ajo gjë që po bën, pavarësisht vështirësive dhe absolutisht që edhe disiplinës në punë!
Duhet t’i shkojmë në fund rrugës me çdo kusht. Do doja të prekja pak dhe vullnetarizmin se sa e rëndësishme është që disa gjëra t’i arrijmë dhe në këtë formë duke qenë vullnetare të diçkaje.
CMG: Cilat janë mësimet me të mira në jetë?
Edison Balla: Ajo që kam mësuar është se të jesh pjesë e sistemit sot është tepër e vështirë dhe unë punoj çdo ditë për këtë pjesë. Të vish nga një vend i vogël nuk është e thjeshtë. Të duhet të kalosh barrierën dhe si kalohet barriera?
Ajo kalohet duke krijuar rrethin tënd dhe duke pasur parasysh që në çdo moment kemi një mundësi të artë
Intervistoi :Megi Latifi