Dëmet e plastikës për speciet ujore.
Një grup studiuesish ka zhvilluar një model kompjuterik për të gjurmuar shtigjet dhe fatin e mbeturinave plastike nga burimet tokësore në detin Mesdhe. Rezultatet tregojnë se ato mund të gjenden në të gjithë detin, nga plazhet në sipërfaqe dhe poshtë në fundin e detit. Është vlerësuar se në Mesdhe lundrojnë rreth 3760 tonë plastikë.
Prodhimi global i plastikës është rritur në mënyrë të pamëshirshme nga vitet 1950 deri më sot, me rreth 368 milionë tonë të prodhuar që nga viti 2019. Nga kjo sasi e madhe, një përqindje e lartë përfundon në dete dhe oqeane, pas përdorimit të tyre. Vlerësimet sugjerojnë se aktualisht ka më shumë se 250.000 tonë mbeturina plastike në oqeanet në të gjithë botën.
Në një skenar të tillë, deti Mesdhe nuk mund të përjashtohet nga problemi. Në të vërtetë, studimi i botuar në “Frontiers in Marine Science” tregon se ky det konsiderohet një "pikë e nxehtë" për ndotjen plastike, domethënë një nga vendet në botë më të ndotura nga mbeturinat mikro dhe makroplastike.
Kjo ka të ngjarë të jetë për shkak të brigjeve të dendura të populluara, peshkimit, transportit detar, turizmit dhe rrjedhjes së kufizuar të ujërave sipërfaqësore në Atlantik. Në të njëjtën kohë, Mesdheu është i pasur me biodiversitet, gjë që e bën atë një zonë me interes për ruajtjen e ekosistemeve detare. Ndotja plastike ndikon në të gjitha nivelet e biodiversitetit dhe tani dihet se mikroplastikat kanë hyrë edhe në zinxhirin ushqimor të njeriut nëpërmjet konsumimit të prodhimeve të detit.
Modeli i ri i zhvilluar nga studiuesit nga Qendra greke për Kërkime Detare ka përcaktuar shtigjet dhe fatin përfundimtar të mbeturinave plastike në detin Mesdhe. Simulimi mori në konsideratë periudhën nga viti 2010 deri në 2017-n, duke gjurmuar lëvizjen e plastikës nga burimet tokësore, të tilla si lumenjtë dhe qytetet bregdetare, drejt detit, duke marrë parasysh proceset e rëndësishme të shpërndarjes së vetë plastikës në ujë, si p.sh. fundosja, era dhe rrymat.
Zogjtë të rrezikuar nga plastika në brigjet e deteve
Modeli mori parasysh akumulimet e mundshme të mikro dhe makroplastikës në shtresën sipërfaqësore të detit, si në shtratin e tij, ashtu edhe në plazhe. Ai zbuloi se ngarkesa totale vjetore e plastikës që hyn në Mesdhe është rreth 17.600 tonë, shumica e të cilave përfundon në fund të detit, ndërsa 3760 tonë notojnë në sipërfaqe.
Autori kryesor i studimit, Kostas Tsiaras shpjegon se modeli grek ka treguar një aftësi të arsyeshme për të riprodhuar shpërndarjet e vëzhguara të plastikës në mjedisin detar dhe për këtë arsye mund të përdoret për të vlerësuar gjendjen aktuale të ndotjes plastike në Mesdhe dhe ndikimin e veprimeve të ardhshme të pastrimit dhe planet e menaxhimit.
Krahasuar me makroplastikat, mikroplastikat janë më pak të pranishme në sipërfaqen e detit për shkak të fundosjes së tyre më të shpejtë, por edhe për shkak të agresionit të organizmave detarë, të tilla si algat, të cilat shkaktojnë rënien e tyre dhe grumbullimin thellë në shtratin e detit.
"Makroplastikat, nga ana tjetër, të tilla si qeset plastike dhe polistireni, mund të notojnë edhe për periudha shumë të gjata kohore dhe të udhëtojnë në distanca shumë të mëdha nga pika hyrëse në det", -shpjegoi Tsiaras. Gjurmë të mikroplastikës janë gjetur në ujërat e zeza të trajtuara, kryesisht pranë metropoleve dhe zonave të dendura të populluara përgjatë brigjeve franceze, spanjolle dhe italiane.
Mikroplastikat me përmasa të mëdha janë gjetur në zonat me përqendrim të lartë të ujërave të zeza të patrajtuara, siç janë brigjet e Greqisë dhe Turqisë. Makroplastikat, nga ana tjetër, janë të bollshme në zona me prurje të rëndësishme lumore siç janë brigjet shqiptare, algjeriane dhe turke dhe pranë metropoleve dhe brigjeve shumë të populluara të Spanjës, Francës dhe Italisë.
Mbetje plastike që lundrojnë në det
Tashmë dihet prej vitesh se mbeturinat që përfundojnë në lumenj, dete dhe oqeane përfaqësojnë një rrezik të madh për faunën ujore. Objektet plastike dhe mikroplastikat famëkeqe janë përgjegjëse për një masakër të vërtetë të heshtur. Plastika është një nga materialet më të përdorura dhe të kudondodhura në planet dhe se do të duhen vite për t'u zëvendësuar me diçka më të qëndrueshme.
Lidhur me shfaqjet e saj më të rrezikshme dhe mundësinë e ndërhyrjes, katër studiues nga Organizata australiane e Kërkimit Shkencor dhe Industrial të Komonuelthit, CSIRO, krahasuan rezultatet e 76 studimeve të ndryshme mbi këtë temë për të hartuar një renditje të objekteve më të rrezikshme plastike në qarkullim.
Në studimin e nisur prej vitit 2016, ata identifikuan disa kategori të objekteve plastike të konsideruara më të rrezikshme për faunën detare: mbetjet që lidhen me peshkimin, për shembull rrjeta ose grepa, çanta, sende prej gome dhe plastike. Studiuesit krahasuan të dhënat me studimet e bëra mbi vdekshmërinë e faunës, që rezulton në rreth 1328 kafshë detare të ngordhura, që i përkasin 80 specieve të ndryshme, duke u përpjekur të kuptojnë se cilat objekte shkaktojnë numrin më të madh të viktimave.
Qeset plastike janë shkaku numër një i ngordhjes së specieve detare. Nëse gëlltiten aksidentalisht nga një kafshë, ato mund të shkaktojnë bllokime të zorrëve dhe janë tepër vdekjeprurëse, si për shëmbull për breshkat e detit. Mbeturinat e lidhura me peshkimin, nga ana tjetër, janë fatale për kafshët më të mëdha, si luanët e detit, të cilët duken pothuajse imunë nga qeset plastike. Ndërsa, sendet prej gome janë një fatkeqësi veçanërisht për zogjtë.
Ndotja e detit Mesdhe nga plastika
Në studim, autorët gjithashtu pyesin veten se cila është zgjidhja. Përgjigjja e tyre është se mënyra më e mirë për t'u marrë me emergjencën plastike është të fillohet nga këto tre kategori të objekteve të rrezikshme dhe të zvogëlohet prodhimi dhe shpërndarja e tyre në mjedis sa më shpejt që të jetë e mundur.
Studiuesit ngrenë alarmin për nevojën për ndryshime radikale, të cilat kërkojnë kohë, por edhe investime, si dhe stimuj për sektorin privat që të lëvizë në drejtimin e duhur. Sipas tyre, duhet të ndryshojë mentaliteti, teknologjia dhe qeverisja.
Përgatiti: Irma Paloli