Ministrja e shëndetësisë Ogerta Manastirliu (A2)
Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në kuadër të fushatës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, nga Selenica e Vlorës, i’u ka bërë thirrje të gjitha grave të kryejnë ekzaminimet në kohë për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të gjirit.
“Është detyra jonë të kujdesemi për fëmijët, për familjen, për prindërit dhe të afërmit. Ashtu sikurse është përgjegjësia jonë që në radhë të parë të mos neglizhojmë kujdesin për veten. Pandemia ka pasur efektet e saj në jetët tona. Për fat të keq duke krijuar vonesa në kontrollet rutinë për shëndetin, sidomos te gratë. Ndaj në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë”, theksoi Manastirliu, e cila shtoi se mamografia tashmë është siguruar në çdo spital rajonal. “Programi ynë i diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit ka siguruar mamografitë në çdo spital rajonal nga veriu në jug dhe ky shërbim është falas”, u shpreh kreu i shëndetësisë.
Ministrja e Shëndetësisë u ka kërkuar mjekëve të familjes të bëjnë planifikime rigoroze për grupmoshat e përcaktuara për kryerjen e mamografisë, jo vetëm në muajin tetor.
Fushata ndërgjegjësuese (QSUT)
“Është e rëndësishme për të theksuar që tashmë e kemi plotësuar të gjithë rrjetin e spitaleve rajonale me mamografi. Ajo çfarë i kërkohet struktuarave të kujdesit shëndetësor, mjekëve të famijles, është planifikimi rigoroz për çdo grua për të kryer kontrollin periodik por gjithashtu edhe për të kryer ekzaminimin nëpërmjet mamografive”, tha Manastirliu.
14 njësi mamografie fikse dhe dy njësi të lëvizshme janë në dispozicion të grave afër vendbanimit, nga mëngjesi në mbrëmje, me orar të zgjatur, gjatë tetorit rozë, në këtë muaj ndërgjegjësimi për luftën kundër kancerit të gjirit.
Njësitë e lëvizshme të mamografisë gjatë muajit tetor do të jenë të shpërndara sipas kalendarit në këto zona: 4 –10 tetor në Gramsh dhe Selenicë; 11-15 tetor në Pogradec dhe Mallakastër; 18-22 tetor në Prrenjas dhe Krujë; 25-29 tetor në Librazhd dhe Has.
Në Shqipëri kanceri i gjirit ka tendencë në rritje. Ai prek afro 600 gra dhe vajza në vit, prej të cilave një e treta humb jetën. Kjo betejë për jetën bëhet edhe më e vështirë për të prekurat me mundësi ekonomike të pakta, pasi kostoja e kurimit është mjaft e lartë dhe atyre u është dashur të përballen me mangësi të shumta në spitalet shtetërore që nga barnat dhe deri tek aparaturat. Vitin e fundit autoritetet shëndetësore thonë se i kanë plotësuar nevojat për kurim, duke zgjeruar dhe hartën e kimioterapisë në disa spitale rajonale. Masë e rendësishme mbetet kapja në fazë të hershme dhe zyrtarët raportojnë se kanë shtuar mamografitë levizëse në të gjithë vendin. Kjo ka sjellë vdekshmëri në ulje, edhe pse rastet e prekjes nga kanceri i gjirit janë në rritje.
Muaji i sensibilizimit për kancerin e gjirit (ISHP)
Muaji Tetor në të gjithë botën është muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, për të rritur vëmendjen dhe mbështetjen për sensibilizimin, zbulimin e hershëm, trajtimin, si dhe kujdesin paliativ për këtë sëmundje. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm i grave në mbarë botën, si në vendet e zhvilluara dhe vendet në zhvillim. Kjo rritje në vitet e fundit është për shkak të rritjes së jetëgjatësisë, rritjes së urbanizimit dhe mënyrave jo të shëndetshme të jetesës .
Aktualisht nuk ka njohuri të mjaftueshme për shkaqet e kancerit të gjirit, por dihet se, zbulimi i hershëm i sëmundjes mbetet guri i themelit të kontrollit të kancerit të gjirit.
Eda Merepeza