Stimulatori hekurudhor

Stimulatori hekurudhor

Nisen nga Pekini, kalojnë nga Shangai dhe më në fund, mbërrijnë në Dubai. Vizitorët e vendeve të ndryshme rrinë në radhë për të shijuar një “drejtim provë” të trenave me shpejtësisë së lartë të Kinës për një udhëtim virtual si në ëndërr.

Stimulatori hekurudhor, me një model të lokomotivës dhe të kabinës të trenit “Fuxing”, që pasqyron risitë teknologjike të vendit, është një ndër pikat më tërheqëse të pavijonit të Kinës në formën e fenerit në Ekspozitën Botërore të Dubait 2020, që u hap më 1 tetor.

Në pavijonin e Kinës, me temën “Ndërtimi i një komuniteti me fate të përbashkëta të njerëzimit - Risi dhe mundësi”, spikatin arritjet më të fundit të vendit në fusha si eksplorimi kozmik, teknologjia e informacionit dhe inteligjenca artificiale, duke ofruar një vizion për një të ardhme më të mirë të njeriut.

Në mëngjesin e 1 tetorit, para hapjes së pavijonit të Kinës, Youssef Allam, një djalë i vogël egjiptian, kishte pritur prej kohësh me familjen e tij para kësaj ndërtese me ngjyrë të kuqe dhe të artë. “Ky është pavijoni i parë që dua të vizitoj”, tha 9-vjeçari që banon në Dubai. “Kam parë disa videoklipe në ‘Youtube’ dhe mësova se këtu ka shumë objekte teknologjike”, i tha ai “Xinhua”-së.

Pavijoni i Kinës

Pavijoni i Kinës

I ati Hussein Allam u shpreh se Kina është një vend i rëndësishëm që ka kontribuuar shumë për botën në fushën ekonomike dhe teknologjike. Prandaj, pavijoni i Kinës është një destinacion i domosdoshëm.

“Më ra në sy së pari arkitektura e pavijonit të Kinës, sepse duket shumë e bukur”, tha 14-vjeçarja Andora Dyerramberg nga Norvegjia që jeton tani në ShBA.

Sipas saj, eksponatet e pavijonit vërtetojnë se Kina është një vend shumë inovativ. “Eksplorimi hapësinor është i mrekullueshëm. Ndërsa, drejtimi i trenit të shpejtë është mjaft interesant”, tha ajo.

Me një sipërfaqe prej 4636 metrash katrorë, dizenjimi i pavijonit të Kinës është frymëzuar nga feneri tradicional kinez, që simbolizon shpresën, dritën dhe bashkimin.

Kurse, në kontrast me pamjen e jashtme tradicionale, pjesa e brendshme e tij tregon një Kinë në zhvillim të shpejtë nëpërmjet paraqitjes së risive dhe teknologjisë.

Ekspozitë rreth sistemit Beidou

Ekspozitë rreth sistemit Beidou

Zona e eksplorimit hapësinor i njeh vizitorët me disa arritje të Kinës në këtë drejtim, si sonda “Chang’e-5” që ka marrë mostra nga Hëna, dhe “Chang’e-4”, që ende po kryen detyrën në anën e prapme të Hënës.

Një sallë me ekran rrethor që simulon një pamje nga hapësira kozmike tërheq shumë vizitorë për një vëzhgim të gjatë. Është një ekspozitë rreth sistemit të navigimit satelitor “Beidou”.

I zhvilluar me teknologjinë e vetë Kinës, ky sistem jo vetëm i shërben popullit kinez, por edhe përdoret në fusha si hartografia, bujqësia e saktë dhe portet e zgjuara në Azinë Juglindore, Azinë Jugore, Azinë Perëndimore, Europën Lindore e Afrikë.

Roboti "Youyou"

Roboti "Youyou"

Një robot në formën e pandës është ndër “yjet” e pavijonit. “Youyou” mund të bëjë vetëprezantim, të ushtrojë taichi dhe të përdorë furçë për kaligrafi dhe për të vizatuar, duke tërhequr shumë vizitorë të bëjnë foto me të. Ai është krijuar nga kompania “UBTECH Robotics” me seli në Shenzhen, që merret me inteligjencën artificiale dhe robotët humanoidë (që imitojnë njerëzit). Sipas Michael Tam, drejtor i markës i kompanisë, robotët inteligjentë për zbulim termal të UBTECH-ut kanë ofruar shërbime antiepidemike në 15 vende të botës.

Makina “ekstravagante” nga “SAIC Motor”

Makina “ekstravagante” nga “SAIC Motor”

Një makinë “ekstravagante” nga “SAIC Motor” me seli në Shangai është edhe shumë mbresëlënëse. Makina konceptuale “Kun” integron ndërveprimin biointeligjent, energjinë fotosintetike, ndenjëset pa forcë rëndese, ndërveprimin e imazhit holografik dhe teknologji të përparuar vetëdrejtimi.

“Teknologjia është pika më tërheqëse e këtij pavijoni. Kina ka njohur shumë arritje në këtë drejtim”, tha Waty Luc, që udhëtoi nga Franca bashkë me gruan e vajzën për të vizituar Ekspozitën Botërore në Dubai.

Pas shtyrjes prej një viti për shkak të COVID-19, kjo ekspozitë ka qenë një ndër aktivitetet më të pritura për të treguar bashkimin e botës.

“Kina është e gatshme të ndajë idetë dhe arritjet e saj me botën nëpërmjet pjesëmarrjes në këtë ekpozitë”, tha Zhang Shenfeng, komisionari i përgjithshëm i pavijonit të Kinës dhe zv.kryetari i Këshillit për Nxitjen e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës.

Pjesa e brendshme e pavijonit të Kinës

Pjesa e brendshme e pavijonit të Kinës

Sipas tij, ky pavijon synon demonstrimin e kontributeve të Kinës ndaj botës në fushat shkencore e teknologjike, si dhe dëshirën e saj për të ndërtuar një bashkësi me fate të përbashkëta.