Erjon Uka është diplomuar në Informatikë Ekonomike me profil Menaxhim Biznesi, më pas ka përfunduar studimet master në Administrim Biznesi me profil Marketing, kohë gjatë së cilës ka ndjekur edhe një shkëmbim studentor në Universitetin e Bolonjës në Itali, në programin International Management.
Ai është i angazhuar me kohë të plotë në Universitetin Metropolitan të Tiranës ku kryen detyrën e Përgjegjësit të Departamentit të Marrëdhënieve me Publikun dhe Marketingut, si edhe të asistent pedagogut në Fakultetin e Ekonomisë, Departamenti i Shkencave të Administrimit. Erjoni është kontribuues në Tiranapost.al dhe krijues i Sofist.al, një faqe në rrjetet sociale kushtuar kulturës.
Eksperiencat e punësimit kanë qenë kryesisht në fushën e komunikimit, të menaxhimit dhe të marketingut, fillimisht në “Universitetin Europian të Tiranës”, gazeta “Mapo”, portalet online si “Tiranapost.al” dhe “Opinion.al”, pranë “Creative Business Solutions” në pozicionin e koordinatorit të komunikimit dhe marketingut, në “Consulcesi” në pozicionin e menaxherit të marrëdhënieve me publikun dhe së fundmi prej dy vitesh në “Universitetin Metropolitan Tirana”. Vazhdimisht Erjoni ndan eksperiencën e tij në fushën e marketingut si trajnues në kurset profesionale në Digital Marketing & SEO.
Erjon Uka Universiteti Metropolitan Tiranë
CMG : Erjon, cili do të ishte një mesazh që përshkruan gjendjen tuaj?
Erjon Uka: Do ta sjell këtë mesazh, duke pasur parasysh ditën që kemi kaluar, se e papritura nuk vjen kurrë për keq por edhe për mirë. Duhet të jemi të hapur për gjjthçka që tingëllon e re, sepse mund të jetë një mundësi e artë për ne.
CMG : Cilat janë tiparet që tek ju mbeten të patjetërsueshme?
Erjon Uka : Unë bëj pjesë tek ata persona të cilët nuk besojnë tek njohja e vetes, por e shohin atë si një proces. Ne jemi gjithnjë në kërkim të njohjes së vetes sonë, të paktën kjo është bindja ime.
Normalisht që unë shpesh e pyes veten se kush jam por në këtë kontekst unë do të përpiqem të bëj një pasqyrë të atyre që bëj për ata që më njohin shumë pak apo aspak.
Jam i diplomuar në informatikë ekonomike në marketing. Kam eksperienca në fushën e gazetarisë së të shkruarit.
Këto janë kontradiktore me njëra- tjetrën dhe shpesh mi venë në dukje.
Punoj në sektorin akademik, jam përgjegjës i departamentit të PR dhe marketing pranë Universitetit Metropolitan të Tiranës, ku gjithashtu prej dy vitesh jam edhe në pozicionin e asistent lektorit.
Fokusi im është marketingu, pozicioni i lektorit i cili në synimet e mia do vijë në rritje dhe zhvillim të vazhdueshëm.
Mbaj me pasion edhe pjesën e përkthimit e të shkrimit, unë kam një Blog në TiranaPost ku publikoj me një frekuencë të rregullt përkthime të ndryshme gati prej 4 vitesh. Kam publikuar librin : "Teoria e gjjthçkaje" nga Stephen Hawking. Mua këto veprimtari më kanë përmbushur intelektualisht, pasi sakrifikoj për këtë gjë.
I marr kohë gjumit, kohës sime të lirë për t’u përkushtuar në këto aktivitete.
CMG: Shkojmë në shkronjën A, fëmijërinë tuaj dhe hapat që keni ndjekur. Kujtime që i ruani me fanatizëm e çfarë tjetër?
Erjon Uka: Jo më kot i mëshoj faktit që nuk duhet t’i trembemi surprizave, pasi edhe unë vetë kam pasur një fëmijëri e më pas adoleshencë që kam eksploruar në të bërit të gjërave. Deri në gjimnaz unë kam qenë i apasionuar pas volejbollit. Luaja në formë profesionale.
Ndërkohë kam pasur shumë qejf regjizurën, por është vetëm një fije e hollë ajo që të ndan për të marrë një veprim.
Unë zgjodha të shkoj për informatikë ekonomike, ndërsa isha në prag zgjedhje.
Më pëlqen fotografia, design e shumë fusha të tjera, por ajo që mbetet e pandryshuar qysh prej fëmijërisë është dashuria për librin.
Më kujtohet qëkurse isha fëmijë pa detyrim nga prindërit unë lexoja, ata më krijonin atmosferë për të lexuar.
Kontakti i parë me librin ka qenë nëpërmjet librit " Konti i Monte Kristos", libër të cilin un e ruaj dhe sot e kësaj dite.
Erjon Uka në intervistë për CMG
CMG : A kanë qenë hapat tuaja paralel me sfidat?
Erjon Uka : Patjetër që po! Kam pasur vështirësinë dhe përbri të bukurën e saj. Unë përmenda volejbollin dhe nga ajo fushë kam marrë tepër, sepse mora disiplinën tashmë të rrënjosur.
Pra, nëse një koleg gabon unë i jap dorën si në ekip, si në skuadër.
Fakti që mundohem që ta shfrytëzoj ditën në maksimum i detyrohem edhe disiplinës që kam mbajtur edhe në sport. Eksperienca në universitet ka qenë një ndihmë, por edhe ato në punë. Unë kam punuar që gjatë kohës kur studioja dhe kjo na ka rritur pak para kohe.
Nuk di të them nëse kjo rritje para kohe ishte zgjedhja e duhur, por vitet kanë kaluar dhe sot unë shijoj sukseset e mija.
CMG: Eksperienca juaj në auditor në Universitetin Metropolitan të Tiranës... Çfarë sjell për ju, si është të jesh përballë studentëve për të dhënë leksione? Duket sikur koha ka ndryshuar rol?
Erjon Uka: Eksperiencë fantastike, kam ëndërruar gjithnjë që të punoj në sektorin e arsimit të lartë dhe ëndrra mu be realitet krejt rastësisht.
Fillimisht mu dha shansi që të jem drejtues departamenti e më pas mu besua edhe auditori. Klasa për ne është e shenjtë!
Marketingu më pëlqen pasi jam në kontakt me të gjitha grupet apo edhe aktorë të jashtëm. Jam si të thuash një pikë fokale ku lidhen detyrat me njëra- tjetrën. Metropolitani është i drejtuar në degët e inxhinierisë dhe ka një staf të përkushtuar që unë ndihem gjithashtu me fat.
Nuk jam tepër i madh në moshë, por më bëhen dy breza studentësh të diplomuar dhe kjo do të thotë shumë për mua.
Erjon Uka dhe familja
CMG: Njerëz që me një fjalë ju kanë orientuar siç duhet, ata të cilët janë gjithnjë aty për ju?
Erjon Uka: Familja është tepër e shenjtë dhe ka qenë aty për mua. Nuk ka luajtur një rol autoritar familja mbi mua, nuk më ka imponuar në zgjedhje, por nëpërmjet heshtjes dhe shembullit të tyre unë kam marrë atë që duhet.
Nuk më kanë thënë kurrë mami ose babi "lexo", por në shtëpi gjithnjë ka pasur libra. Gjithnjë kur unë merrja librin për të lexuar vihej qetësia e inkurajimi. Pastaj, rrugëtimi është plot me njerëz që të mbështesin
Mirënjohjen për këta njerëz nuk mund ta bëj duke përmendur emrat e tyre, por nëpërmjet punës sime.
CMG: Ligjet e jetës, çfarë mësimi ju kanë lënë në aspektin profesional e personal?
Erjon Uka : Punë, disiplinë dhe përshkushtim!
Intervistoi : Megi Latifi