BATI NE PROFESION

BATI NE PROFESION

Bati Tasho është 28 vjeçarja nga Shqipëria, e cila ka zgjedhur të emigrojë në Francë vite me parë, për arsye shëndetësore. Ajo tani jeton në Francë pas një tentative te gjatë për të marrë lejen e qëndrimit.

CMG: Jeta mes Shqipërisë dhe Francës, çfarë ka sjellë për ju?

Bati Tasho: Nuk ka qenë e lehtë, vite të gjata me kujtime të mira dhe jo të mira. Unë jam e lumtur që tashmë jetoj këtu. Por, nëse do nisja t’ju tregoja për rrugëtimin tim, jam e bindur që të gjithë do pyesni, ku e ka gjetur gjithë këtë durim. Mund t’ju them që nuk është e lehtë, por as e pamundur. Nëse beson ja del. Unë kam vite pa përqafuar prindërit e mi dhe ata më mungojnë pa masë. E bëra këtë zgjedhje aspak për qejf.

CMG:Cilat kanë qenë ëndrrat tuaja dhe ia keni dalë t’i plotësoni ato?

Bati Tasho: Ëndrra! Unë besoj shumë në ëndrra, sepse falë tyre sot kam jetën dhe falë tyre e kam ndërtuar një bazë timen. Kam një vajzë, për të cilën kam ëndërruar gjithnjë. Ajo tashmë po shkollohet ashtu sikundër unë kam dashur. Jam e lumtur ne jetën bashkëshortore dhe po i kaloj ngadalë të gjitha ngecjet që jeta më solli.

CMG: Cilat kanë qenë këto ngecje për ju si emigrante?

EMIGRANTET NE FRANCE BURIMI FB

EMIGRANTET NE FRANCE BURIMI FB

Bati Tasho: Të jesh dhe të kërkosh të jetosh në tokë të huaj, mos mendoni se është diçka fort e lehtë. Për të mos thënë që fillimet kanë qenë një dramë. Jeta ime ka qenë vajza ime dhe unë , rrugëve të një vendi që patjetër na priti mirë, por I huaj. Netëve të vona gjithnjë mendoja se do të bëhej më mirë dhe u bë më mirë. Tani gjithçka që shoh është një dritë e fuqishme në fund të tunelit. Jetoj si emigrante, por ndihem si vendase sepse nuk më pengon askush që të jetoj si gjithë të tjerët. Franca më priti mirë dhe jam shumë mirënjohëse.

CMG: Na rrëfe më tepër rreth arritjeve tuaja në profesion. A mund të arrish atë që do në vend të huaj?

Bati Tasho: Unë vij nga një relitet i thjeshtë shqiptar. Jam rritur në një mjedis absolutisht të thjeshtë, që më edukoi se të jesh i drejtë dhe i ndershëm gjithmonë ja del. Kur erdha këtu dhe nuk njihja askënd. I vendosa vetes një qëllim, që do të bëj të pamundurën që të jetoj e qetë dhe e shëndetshme. Ndërsa për vajzën kisha një qëllim që ajo të edukohej. Jam duke u marrë fort edhe me veten, nisa edhe unë dikur të punoja në Radio. Ishte një ndër eksperiencat e mia më të bukura, por e lashë për të çuar në fund një tjetër ëndërr timen. Të kisha një floktore! Jam e lumtur që punoj dhe ja dal të jetoj e lumtur. Kam ende gjëra për të bërë sepse është vetëm fillimi.

EMIGRANTET NE FRANCE

EMIGRANTET NE FRANCE

CMG: Nëse njerëzit ju pyesin kush jeni, si përgjigjeni?

Bati Tasho: Një vajzë, një grua, një nënë , një bashkëshorte , një njeri i thjeshtë, që i ka thënë luftës së jetës “Mirësevjen!”. Jam ajo që kam dashur të jem, me pak episode të trishta. E di që këto episode më kanë bërë më të fortë Megi? E di që lotët janë forcë dhe forca sjell produktivitet? Kjo jam unë. Një vajzë që emigroi për një jetë më të mirë. Një njeri modest si gjithë të tjerët që shijon te gjitha stinët dhe kur bie shi pret diellin.

CMG: A mendoni të ktheheni në Shqipëri?

Bati Tasho: Pse jo , por në një të ardhme. Unë kam kohë që jetoj mes familjes së thjeshtë dhe asaj të ndërlikuar mjekësore. Jemi duke u kujdesur të gjithë për shëndetin tim dhe në Shqipëri nuk ma ofrojnë këtë ndihmë që ma kanë ofruar këtu, ndaj nëse do kthehem në Shqipëri do kthehem kur të tre ne të ecim dorë për dore dhe të sigurt.

CMG: Cilat kanë qenë sfidat tuaja në jetë, që sot ju shërbejnë si mësime të vlefshme?

Bati Tasho: Nga t’ia nis? Ka pafund, ka pasur momente që kam menduar që s’do t’ia dal, ka pasur të tjera që lodhja më krijonte mungesë frymëmarrje, por kur kthej kokën pas them “Dakord unë nuk jam njeriu I fundit në këtë tokë që po sprovohem” Besoj shumë në Zot dhe në një rregullator të heshtur të shoqërisë, ai që na dëgjon dhe na drejton për të funksionuar. Po sfidat mësojnë njerëzit, një njeri i pa rrahur nga jeta nuk ka jetuar fare. Kjo nuk do të thotë që duhet të kalojnë ato që kalova unë, sepse është shumë e vështirë por dua t’ju them atyre që janë duke na ndjekur se “Jeta është një ëndërr. Zgjohuni herë pas here për të parë gjërat e bukura të saj! Kur të mendoni që është fundi më besoni se eshtë vetëm fillimi. Kur të ndjeni se nuk keni asgjë për të bërë, pikërisht në ato momente do të shfaqen gjërat më të bukura për ju.

VAJZA E BATIT

VAJZA E BATIT

CMG: A mban jeta juaj një titull?

Bati Tasho: Po! SFIDE… Teknikisht unë emigrova sapo u martova. Jeta ime në fakt është e gjitha si një film. U martova me njeriun që doja dhe mendoja se e gjithë ajo lumturi do të zgjaste gjithnjë. Fiks në ato momente u prish gjithçka, u prish ai rendi që ishte krijuar dhe ne sfidohemi me një problem në shëndetin tim. Vajza sapo kishte lindur. Të isha e lumtur, apo e trishtutar? A ka më skenar mendoj me vete. Po ka... Nuk mjaftoi unë zgjodha të emigroj dhe patjetër që kjo donte shumë guxim. Por ja kam dalë. Jam një grua që shumë pak ma vinin veshin në hallet e mia, ndërsa tani më dëgjojnë si rast suksesi se si ja dola. Më vjen mirë nëse më dëgjoni. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë. Nëse tani po vuani, nesër do lumturoheni. Jeta nuk është “Fushë me lule” mos e merrni atë shumë seriozisht.

CMG: Çfarë mesazhi dërgoni për emigrantët anë e mbanë botës?

Bati Tasho: Duajeni vendin ku shkoni njësoj si vendin tuaj, ai është një vend pritës . Po hap dyert për ju dhe ju duhet ta doni atë. Jepini vetes shansin për t’u ndier vendas, por mos harroni kurrë se nga vini! Kultura e vendit tuaj është tepër e rëndësishme për të treguar se kush jeni.

Intervistoi Megi Latifi