Të dhënat statistikore tregojnë se deri më 26 shtator, në Kinë janë bërë mbi 2.2 miliardë doza vaksinash kundër COVID-19. Ndërkohë, për të përshpejtuar sa më shumë krijimin e “murit të imunitetit” kundër koronavirusit të tipit të ri, edhe mbi 95 milionë kinezë në moshën 12-17 vjeç dhe mbi 200 milionë të tjerë mbi 60 vjeç janë vaksinuar.
Për të konsoliduar rezultatet e luftës kundër epidemisë dhe për të parandaluar përhapjen e epidemisë prej rasteve të ndodhura ditët e fundit, në prag të pushimeve njëjavore që fillojnë nga 1 tetori, Dita Kombëtare e Kinës, autoritetet shëndetësore të Pekinit publikuan këshilla për mbrojtjen nga COVID-19 gjatë pushimit. Në vijim janë këto këshilla.
1. Vetëm në raste të domosdoshme, përndryshe, mos udhëtoni në zona me nivel të lartë dhe të mesëm rrezikshmërie të infektimit brenda e jashtë vendit. Kur hyni në Pekin nga zonat me rrezikshmëri të lartë dhe të mesme, duhet të kaloni kontrolle shëndetësore në hyrjet e autostradave, stacione hekurudhor dhe aeroporte. Pasi të akomodoheni, duhet t’i raportoni lagjes, hotelit dhe punëdhënësit itinerarin tuaj dhe të zbatoni masat e kërkuara, si karantina, testimi i acidit nukleik, vëzhgimi i gjendjes shëndetësore në shtëpi etj.
2. Para nisjes së udhëtimit, gjeni informacione në uebsajtet e organeve të pushtetit vendor ku është destinacioni juaj për t’u njohur me situatën epidemike vendore dhe politikat e atjeshme për kontrollin e epidemisë.
3. Përgatisni materiale antiepidemike të mjaftueshme, si maska, dezinfektues duarsh etj. Shmangni pikat turistike, ku mund të përqendrohen më shumë vizitorë. Bëni rezervime të biletave në internet dhe zgjidhni kohën e përshtatshme.
4. Këshillohet që qytetarët të kryejnë udhëtime në periferi ose në distanca jo shumë të largëta. Shkoni në parqe ose vende të hapura. Nëse keni temperaturë ose simptoma në rrugët e frymëmarrjes, mos udhëtoni në vende ku ka shumë njerëz. Të moshuarit, ata që kanë sëmundje kronike të rrugëve të frymëmarrjes dhe gratë shtatzëna këshillohen të mos udhëtojnë larg.
5. Këshillohet të bëni vaksinën para nisjes së udhëtimit. Vaksina është metoda më efektive kundër epidemisë. Në Pekin që në korrik nisi vaksinimi për grupmoshën 15-17 vjeç, ndërsa në gusht për grupmoshën 12-14 vjeç. Pikat e vaksinimit janë të hapura gjatë gjithë pushimeve, këshilloheni ta shfrytëzoni këtë rast për të bërë vaksinën.
6. Pakësoni takimet jo të domosdoshme. Mos organizoni bankete me shumë pjesëmarrës në mjedis të mbyllur. Nëse banketi duhet të mbahet në dhomë, siguroni ajrimin e duhur. Ruani distancën sociale në takime.
7. Vazhdoni masat antiepidemike rutinë. Mbani maska në mjedise të mbyllura, si qendra tregtare, supermarkete, hotele, kinema, teatro, stadiume, autobus, metro, stacione hekurudhore dhe aeroporte.
8. Mbani higjienën personale dhe të mjedisit. Lani shpesh duart dhe ajrosni shtëpinë. Kur kolliteni dhe teshtini, përdorni bërrylin ose shami letre për të mbuluar gojën.
9. Shmangni kontaktet e drejtpërdrejta me kafshët e egra në natyrë gjatë udhëtimit.
10. Pas kthimit, vëzhgoni me kujdes gjendjen shëndetësore tuajën dhe të familjes. Nëse keni temperaturë, kollë të thatë, dobësi dhe simptoma të tjera të dyshimta, vini maskë dhe shkoni për t’u vizituar në spital. Mos pini vetë ilaçe dhe mos përdorni mjete të transportit publik. Mos shkoni në punë të sëmurë dhe raportojini punëdhënësit historinë e udhëtimit dhe problemin shëndetësor.(Zhang Yan/Artan)(Foto:VCG)