Greta Grembi

Greta Grembi

Greta Grembi është 24-vjeçarja nga Tirana, e cila sapo ka mbyllur studimet në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në degën turqisht.

Ajo ushtron punën e saj pranë një kompanie real estate si edhe part time në booking. Greta bën pjesë tek të rinjtë që i vjedhin kohë ditës për të punuar në dy ose më tepër punë.

CMG : Greta, çfarë i duhet një të riu për ta nisur ditën i motivuar?

Greta Grembi : Qëllimet që kam ndaj vetes! Unë çdo ditë punoj për të arritur më të mirën nga vetja edhe pse në një moshë kaq të re.

E nis gjithmonë me një shprehje timen "sot jam atje ku mendimet e mia më çuan dhe nesër atje ku mendimet do të më udhëheqin".

Ndaj dua ta theksoj se mënyra se si e mendoj unë ditën time, përcakton gjithçka.

CMG: Duke qenë kaq e angazhuar, a ka një ritëm dita?

Greta Grembi : Po ka një ritëm që unë e ndjek në fakt çdo ditë.

Dita nis në zyrë ku ne diskutojmë mbi planin ditor dhe objektivat e punës sonë. Një nga arsyet që më ka bërë mua ta dua edhe më tepër punën time është fakti që unë punoj me profesionistë dhe kjo më ka rritur në një farë forme.

Greta Grembi në intervistë për CMG

Greta Grembi në intervistë për CMG

CMG: Greta, a mund të shkojmë tek natyra juaj që kur keni qenë fëmijë?

Greta Grembi: Po... Sot shoh në fytyrën apo në trupin tim shenja të ndryshme dhe them me vete :"Vërtet kam qenë një fëmijë kaq trazovaç!". Unë kam qenë tek fëmijët të cilët i shpikin vetë lojërat bashkë me tre motrat e mia. Nëse kthehem vite pas mendoj që fëmijëria ka qenë pjesa më e bukur e jetës sime.

CMG : Çfarë ndikimi ka pasur familja në orientimin tënd?

Greta Grembi : Jam rritur në një familje të madhe dhe kam qenë shumë e lidhur me gjyshërit e mi, tashmë të ndjerë.

Lidhja e fortë patjetër që ka qenë me prindërit, por edhe më e fortë ka qenë me motrat. Ato më kanë qëndruar pranë dhe mbështetur në çdo hap.

CMG : Kultura jote e punës, si ka ardhur ajo?

Greta Grembi : Kultura e punës në fakt tek unë ka ardhur që në fëmijëri. Kam ndihmuar gjithmonë prindërit dhe ata me ndihmuan që unë të punoj e pavarur. Nuk mund të them që e kam nisur me punë shumë të mira, sepse nisjet e mija kanë qenë në call center, por sido që të jetë unë fitova kulturën e punës.

CMG: Duke qenë që je çdo ditë në kontakt me tregun e punës, sa felksibël është ai për të rinjtë?

Greta Grembi: Tek kjo temë unë do doja të ndalesha pak më tepër. Tregu është në rritje siç edhe dukshëm duket, por do doja të ndalesha edhe tek punëmarrësit. Këta të fundit janë në kërkim të gjërave të tjera apo siç thuhet kritere. Kriteret që tani kërkohen në vende të ndryshme pune janë tepër akademike.

Tregu i pasurive të paluajtshme

Tregu i pasurive të paluajtshme

Ndërkaq të rinjtë i shoh tepër të arritur dhe nuk kërkojnë nga vendi i punës vetëm një pagesë, por kërkojnë me shumë se kaq. Ata kërkojnë eksperiencën, e cila të çon në përsosjen e vetes.

CMG : Tregu i real estate a është një treg në rritje?

Greta Grembi : Ky është një fakt që nuk e kundërshton dot askush. Ky treg mbetet shumë i kërkuar pa marrë parasysh se sa i pasur është tregu apo çfarë problemesh ka. Tendenca e tregut të pasurive të paluajtshme është në rritje e sipër.

Në real estate secili nga të rinjtë nuk merr të ardhura, por i gjeneron vetë ato dhe nuk kanë një limit.

CMG : A bën pjesë tek të rinjtë që duan të largohen nga vendi?

Greta Grembi : Jo! E shikoj Shqipërinë si një vend me potencial të mirë për të të ofruar punë dhe jetesë. Nëse do doja të bëja diçka ndryshe apo nëse do doja të nisja një eksperiencë të re, ajo patjetër që do ishte jashtë vendit.

CMG : Ne jemi produkt i fatit, apo punës?

Greta Grembi : Gjithë jetën ne punojmë që të arrijmë atë që dëshirojmë. Di të them që suksesi arrihet në sajë të punës së palodhur dhe jo të fatit.

Intervistoi : Megi Latifi