Viti i ri shkollor (ATSH)

Viti i ri shkollor (ATSH)

Viti i ri shkollor për arsimin parauniversitar ka nisur më 27 shtator, përsëri në përshtatje me kushtet e mbrojtjes nga Covid 19. Ndonëse situata pandemike në Shqipëri ka ndryshuar për mire, nisur dhe nga shtimi i vaksinimeve dhe ndërgjegjësimi i popullsisë, sistemi arsimor sërish e gjen veten në përshtatje të procesit mësimor dhe masave antiCovid. Janë vetëm 1200 shkolla në vend që mësimin do ta zhvillojnë më një turn dhe orë 25 minutëshe, ndërsa 300 shkolla do ta zhvillojnë më 2 turne për shkak të mungesës së infrastrukturës që duhet të përshtaten në këto kohë pandemie. Ky është i treti vit radhazi që fëmijët po marrin dije te cunguara në kushtet e pandemisë.

Si do të zhvillohet konkretisht mësimi? Drejtoresha e një shkolle 9 vjeçare në Tiranë është shprehur për televizionin Report

"Mesatarisht numrin e nxënësve në klasë e kemi 30, dhe ne punojmë me skenarin 1 dhe 2, që do të thotë e ndajmë klasën në dy grupe. Do punojmë me orët 30 minutëshe pastaj do të kemi 30 minuta pushim për ajrosje dhe dezinfektimin e bankave dhe pastaj do të hyj grupi i dytë për zhvillimin e mësimit, duke mos patur 5 minutësh midis orëve dhe duke mos konsumuar ushqim brenda ambientit të shkollës. Për grupin e parë mësimi fillon në orën 08:00 dhe do të përfundojë në 10:30, pra do të jenë 5 orë nga 30 minuta".

Policia në ruajtje të rendit në ambjente shkollore (ATSH)

Policia në ruajtje të rendit në ambjente shkollore (ATSH)

Lidhur me masat anticovid që do të zbatohen nëpër shkolla ato përfshijnë matjen e temperaturës, dezinfektimin e duarve të nxënësve, si dhe të ambienteve shkollore, distanca 1.5 metër. Ndërkohë mësuesit janë të detyruar të paraqesin certifikatën e vaksinimit në mënyrë që të bëhen pjesë e mësimdhënies.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi uroi me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor nxënësit, duke theksuar se në të gjitha shkollat janë marrë masat që ky vit shkollor të jetë sa më i mbarë.

Ajo u bëri thirrje nxënësve që t’i kushtojnë kujdes maksimal masave antikovid.

Ruajtja e higjienës dhe mbajtja e maskave, ishte një prej mesazheve të kreut të arsimit, ndërkohë që theksoi nga risitë që vijnë këtë vit për herë të parë në shkolla, si anglishtja për klasat e para, arti e zejet, apo klasat sportive. Ndër risitë e këtij viti shkollor përmendim dhe librat falas si dhe mësimin plotësues që nisi më 1 shtator.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë gjatë dy mandateve të qeverisjes është rritur me 32% numri i nxënësve, që ndoqën arsimin profesional. Rreth 16,600 nxënës janë ulur këtë vit shkollor në bankat e 35 shkollave profesionale në të gjithë vendin. 51% e të punësuarve me arsim profesional hynë në punë që vitin e parë pas përfundimit të arsimit.

Shkollë e re ndërtuar pas tërmetit të 2019 (ATSH)

Shkollë e re ndërtuar pas tërmetit të 2019 (ATSH)

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2021-2022.Policia e Tiranës njofton masat, duke shtuar prezencën e Policisë së Rendit dhe të Policisë Kriminale, në të gjitha shkollat e Tiranës, sidomos në orarin e fillimit të mësimit apo gjatë ndërrimit të turneve në shkolla dhe deri në përfundim të procesit mësimor, me qëllim garantimin e rendit, zhvillimin normal të mësimit, sigurinë rrugore, por edhe duke monitoruar zbatimin e masave mbrojtëse kundër COVID-19.

Mesazhe urimi për nisjen e vitit të ri shkollor 2021-2022

Presidenti i Republikës, Ilir Meta uroi “Një vit të mbarë dhe me plot arritje të shkëlqyera në rrugën e dijes, veçanërisht për vogëlushët, të cilët ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës! Urime të ngrohta dhe shumë suksese për të gjithë mësuesit dhe profesorët në misionin e tyre fisnik!”, shprehet Meta në mesazhin e tij për fillimin e vitit të ri shkollor

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla thekson në mesazhin e saj se “do të bëjmë më të mirën që në sfidë me vështirësitë e pandemisë të merrni cilësinë e merituar të dijes”. Sipas saj, beteja për dijen është më e bukura e jetës.

Kryeministri Edi Rama u ka uruar një vit të mbarë shkollorë të gjithë nxënësve që u rikthyen në bankat e shkollës. Rama ka publikuar një video me shkollat e rindërtuara pas tërmetit që sot kanë hapur dyert për të pritur nxënësit dhe mësuesit.

Orë mësimi (ATSH)

Orë mësimi (ATSH)

“Mirëmëngjes dhe me zilen e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen”, shprehet Rama.

Kryetari i PD, Basha ka përcjellë mesazh për ditën e parë të shkollës duke postuar një video.

“Urime të përzemërta nxënësve dhe mësuesve, anembanë Shqipërisë në nisjen e këtij viti shkollor! Urime prindërve që përmes punës dhe sakrificave ushqejnë ëndrrat dhe ambiciet e fëmijëve të tyre! Edhe ky vit i ri shkollor do të jetë sfidues për shkak të pandemisë, ndaj kujdesi nuk duhet të mungojë për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve tuaja.”, shprehet Basha.

Ashtu sikurse e ka kthyer në traditë të përvitshme tashmë, si çdo fillim viti shkollor, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka uruar përmes një letre publike.

“Sot sfidat me pandeminë na kanë vënë përballë vështirësive të njëpasnjëshme, si ne të mëdhenjve, ashtu dhe ju të vegjëlve, – shprehet mes të tjerash Veliaj, – por janë ligjet e natyrës me të cilat duhet të mësohemi dhe unë kam besim se do të dini t’i ktheni vështirësitë në përvoja”.

Veliaj veçon faktin se këtë vit për herë të parë plot 10 shkolla të reja hapin dyert për ta dhe shumë të tjera do ngrihen në muajt në vazhdim.

Eda Merepeza