Amarildo Rodi është i riu nga Shqipëria i cili kur ishte ende fëmijë vendosi të emigrojë, si shumë familje të tjera shqiptarësh. Më pas ai vendos që të ndërtojë jetën e tij në Itali ku përfundoi studimet në vitin 2005. Amarildo më ças nisi të merrej me biznes, gjë që e bën edhe tani mes Italisë dhe Shqipërisë.
Njëkohësisht Amarildo njihet si djali që kontribuon tepër në shoqëri, duke i ardhur në ndihmë grupeve në nevojë.
Amarilod Rodi me mision humanitar në Afrikë
CMG :Ne jemi ajo çfarë ju japim të tjerëve për veten. Ju kush jeni?
Amarildo Rodi: Unë... Amarildo është një djalë që ka vuajtur në jetë dhe punon që të tjerët mos të kalojnë vuajtjet e mia.
Nga një sfidë që e kisha me jetën, sot kam arritur shumë. Kur them shumë, kam në plan të parë familjen, sepse është ajo që më frymëzon çdo ditë.
Kam arritur të jem i lumtur vetë por çka është më e rëndësishme unë sot ndihmoj të tjerët. E kam këtë mundësi dhe kjo më gëzon tepër.
CMG: Amarildo, pse vendosët të iknit nga Shqipëria?
Amarildo Rodi : Për shumë arsye në fakt. Ishte viti 1996 që unë bashkë me familjen vendosëm të shkonim në Romë, aty ku unë ndërtova jetën time.
Sapo arrita atje kisha njerëz që më prisnin, pasi kishin ikur më parë se ne dhe duhet ta them që pritja në një vend të huaj ishte e mirë.
Mua më futën në një kolegj dhe nga kjo mora një eksperiencë goxha të madhe. Ajo që nuk prisja unë ishte "pritja" e shtetit italian ndaj meje.
CMG : Vitet e adoleshencës janë më të vështirat, si ishte përshtatja me kulturën e një vendi të huaj, e lehtë apo e vështirë?
Amarildo Rodi : Po, është e vështirë në një vend të huaj, por dua të them që njerëzit që më rrethuan dhe vijojnë ende ma bënë me të lehtë përshtatjen.
Amarildo Rodi gjatë pritjes nga ushtarët në Afrikë
Kur shkon në një vend të huaj është tepër e rëndësishme që të gjesh njerëz të mirë që të të shtrijnë dorën.
CMG: Cila ka qenë eksperienca e parë me punën, e cila patjetër që ju ka rritur profesionalisht?
Amarildo Rodi: Diku fillon dhe patjetër dhe unë e kam diku nisjen e gjërave të mia. Puna e parë që unë kam bërë ka qenë në një studio të thjeshtë. E kujtoj si tani ka qenë viti 2005, vit i cili me krijoi kontaktin e parë me punën në një studio modeste design dhe ashtu nisi.
CMG: Cili është motivi që ju shtyn të ndihmoni të tjerët?
Amarildo Rodi: Kjo ka lindur si një ndjesi e ofruar. Atë që mua të tjerët ma ofruan tani po e ofroj unë. Vullnetarizmi është cikël që duhet të jetojë. Ty të japin, ti do t, japësh. Unë i kam thënë vetes: do ta marr këtë rrugë!
CMG: Të përkrahësh njerëzit në nevojë do të thotë që...
Amarildo Rodi: Do të thotë që të ndihesh mirë me veten. T’i vish në ndihmë atij që vuan do të thotë shumë.
Unë kam ndihmuar, por kam një shpresë më të madhe se kaq. Të kem aftësi dhe mundësi të shtrij edhe me shumë ndihmë.
Amarildo Rodi me mision Humanitar në Itali
CMG: Ju sapo jeni kthyer nga një mision vullnetarizmi në Afrikë. Si ishte jetesa atje?
Amarildo Rodi: Dua të flas drejt për atë që unë pashë me sytë e mi dhe për mënyrën se si u ndjeva. Kur arrita në Afrikë pashë ushtarët e armatosur dhe një atmosferë që të krijonte një gjendje jo të mirë. Aty u frikësova pak sepse thashë ku do jemi dhe çfarë bëhet këtu!
Kisha dëgjuar dhe histori të çuditshme si rrëmbime njerëzish etj., dhe kjo patjetër me krijoi një panik. Në fakt ndodhi krejt e kundërta ata na prisnin ne që të shkonim atje dhe të na shoqëronin në kampin ku ne do të qëndronim për të ndihmuar atje fëmijët në nevojë.
CMG : Për çfarë vlen eksperienca juaj atje?
Amarildo Rodi: Unë do shkoj sërish sepse atje mësova si të jem emocional dhe ajo që më krijoi ai vend nuk e kisha përjetuar në asnjë vend tjetër. Mezi po pres të shkoj sërish.
CMG: Amarildo duke qenë që ju keni prirje për të ndihmuar fëmijët, si ka qenë fëmijëria juaj?
Amarildo Rod : Çdo fëmijëri ka të bukurën e saj. Por nëse do të ndalesha tek një episode, do të ishte ai moment kur unë duhet të ikja nga një shtet në një shtet tjetër, kur kam qenë fëmijë. Këtë gjë ma mundësoi një prift, i cili me mbajti afër, duke më ndihmuar. Ky është kujtimi më i bukur i fëmijërisë. Sot ai nuk jeton më, por e kujtoj me mall. Ai më ka ndihmuar që unë të mbetem ai Amarildo i vogël në zemër, si dikur.
CMG: Çfarë do të donit t’i ndryshonit së kaluarës?
Amarildo Rodi ne studio Ejani
Amarildo Rodi: Asgjë në fakt. Unë kam arritur që t’i kaloj të gjitha gjërat siç kam dashur. Ndërsa nëse flasim për vitet e ardhshme, mezi po pres që të vij në Shqipëri. Kam planifikuar bashkë me një grup pune që të vijmë këtu për të ndihmuar fëmijët në nevojë. Ky është qëllimi im në jetë.
CMG: A keni një thirrje për ata që ju lexojnë në këto rreshta?
Amarildo Rodi: Po.. Duajeni jetën dhe ndihmoni sa më shumë njerëz!
Intervistoi Megi Latifi