Universiteti i Tiranës (UT)

Universiteti i Tiranës (UT)

Në prag të vitit të ri akademik, rezidencat studentore universitare janë gati të mirëpresin studentët me kushte optimale dhe me infrastrukturë të përmirësuar.

Në Rezidencën Studentore Universitare nr. 2, në Tiranë, e përbërë nga katër godina të rikonstruktuara sipas standardeve bashkëkohore priten studentë nga Fakulteti i Inxhinierisë, nga Fakulteti i Mjekësisë, i Sporteve dhe Bujqësori.

Për një vit akademik sa më të sigurt dhe me ecuri normale, autoritetet shqiptare kanë nënvizuar rëndësinë e procesit të vaksinimit për studentët dhe pedagogët, që frekuentojnë auditorët.

Në fund të gushtit kryeministri Edi Rama vizitoi kantierin e konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit, ku, falë marrëveshjes me qeverinë gjermane, 1080 studentë do të akomodohen në kushte optimale brenda muajit mars të vitit të ardhshëm. Projekti është i bazuar mbi programin ndërkombëtar të eficencës energjetike, që sjell ngrohjen në dysheme, standardin më të lartë të ngrohjes qendrore, si dhe një transformim të kushteve në konviktet studentore.

Universiteti Europian i Tiranës (UET)

Universiteti Europian i Tiranës (UET)

“Projekti është ideuar në formën e dy dhomave që formojnë një miniapartament. Çdo miniapartament ka tualetin e vet dhe dushet. Normalisht të gjitha kushtet e nevojshme që i nevojiten një studenti, internet në çdo dhomë, kuzhina në çdo kat. Kemi sistemin e lavanterisë që do bëhet në kushte moderne, brenda ka dhe rrobaqepësi. Do ketë salla studimi, si dhe një psikologe”, shprehet drejtorja e konviktit.

Aktualisht 570 studentë janë akomoduar në dy godinat e para të përfunduara, ndërsa pritet që me të njëjtat standarde të përfundojnë edhe 8 godina të tjera.

Sipas kryeministrit Rama theksoi se ky është modeli i transformimit me të cilin do të vijohet edhe për godinat e tjera të konvikteve studentore, të cilat do të ofrojnë standarde bashkëkohore.

“Janë kushtet e standardet njësoj si në Gjermani për shkak të programit të Bankës Gjermane për Zhvillim. Kjo do jetë pararoja e standardeve dhe e të gjithë transformimit, ndërkohë që për godinat e tjera do veprojmë më shpejt dhe me standarde dinjitoze dhe europiane”.


Bie me 5% numri i studentëve në 2021

Numri i studentëve në Shqipëri (INSTAT)

Numri i studentëve në Shqipëri (INSTAT)

Në vitin 2021, në auditorë ka rreth 124 mijë studentë, sipas të dhënave që janë bërë publike nga INSTAT.

Ky është numri më i ulët i studentëve, të paktën që prej vitit 2017, kur raportohen të dhënat. Numri i tyre është 5% më pak se në 2020-n. Ndërsa në krahasim me vitin 2017, në auditore ka 12% më pak studentë.

Sipas ekspertëve, tkurrja e numrit të studentëve reflekton tre dukuri kryesore: rënien e numrit të lindjeve dhe plakjen graduale të popullsisë; nivelin e lartë të emigracionit, sidomos tek të rinjtë. Të dhënat e Eurostat bënë të ditur se në periudhën 2019-2020, rreth 23% e aplikimeve totale për azil ishin nga grup mosha deri në 14 vjeç; vitet e fundit, shumë studentë zgjedhin që të ndjekin studimet e larta jashtë vendit.

Pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë pas përfundimit të Maturës i drejtohen universiteteve publike. Rreth 97.4 mijë të rinj ndjekin shkollën në një prej universiteteve publike, ose gati 79% e totalit. Por këtë vit numri i tyre ra me rreth 7.1% në 2021, në krahasim me vitin e mëparshëm.

Ndryshe nga shifrat e raportuara për universitetet publike, në universitetet private janë të regjistruar 26.4 mijë studentë, duke shënuar një rritje të lehtë me gati 4% këtë vit. Sipas drejtuesve të universiteteve private, studentët kanë përfituar nga mbyllja që u shkaktua nga pandemia, për shkak se studentët nuk kanë arritur të ikin jashtë dhe për rrjedhojë kanë zgjedhur të regjistrohet në universitetet publike vendëse.

Universitetet publike në Shqipëri

Studentët në arsimin publik dhe privat (INSTAT)

Studentët në arsimin publik (INSTAT)

Universiteti i Tiranës ka numrin më të madh të studentëve në sektorin public, me 27% të totalit. Këtë vit, krahasuar me të mëparshmin ky universitet pa një rënie me gati 8% të të regjistruarve.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës renditet i dyti në vend me 20% të totalit në publik. Ky universitet është bërë i preferuar vitet e fundit, pasi pa rritjen më të lartë të regjistrimeve në 2021, me rreth 5%.

Përveç Durrësit, Fakulteti i Mjekësisë ishte i vetmi që shënoi rritje të regjistrimeve me 4%, duke arritur në gati 6,700 studentë.

Rënien më të madhe e kishte Universiteti “Luigj Gurakuqi” Shkodër, ku numri i të regjistruarve u tkurr me 40%, duke reflektuar dhe emigracionin e lartë të zonave të Veriut.

Më pak interes kishte dhe për Universitetin Bujqësor i Tiranës, që shënoi një rënie të regjistrimeve me gati 19%. Në Vlorë tkurrja ishte 9% dhe në Elbasan rreth 10%

Universitetet private në Shqipëri


Studentët në arsimin publik (INSTAT)

Studentët në arsimin publik dhe privat (INSTAT)

Referuar numrit të studentëve, universiteti më i madh privat në Shqipëri është “Albanian University”, me 15% të totalit, i cili këtë vit akademik ka shënuar një rënie të lehtë të numrit të studentëve me 1%.

I dyti më i madh është “Universiteti Europian i Tiranës”, me 13.5% të totalit të studentëve në arsimin e lartë jo publik. Në 2021, numri i të regjistruarve në këtë universitet u rrit me 2%.

"Universiteti Zoja e Këshillit të Mirë” renditet i treti për nga numri I studentëve ndër universitetet private me 10% të totalit. Këtë vit akademik në këtë universitet numri i studentëve u rrit me 6.5%.

“Epoka” është universiteti i katërt më i madh në vend, por që sivjet ka shënuar rritjen më të lartë të të regjistruarve me 13%.

Eda Merepeza