Akulli polar po shkrin për shkak të nrohjes globale(VCG)
Cikli midis kushteve të ngrohta të motit El Niño dhe atyre të ftohta La Niña, në Paqësorin lindor (El Niño-Oscillation Southern, ENSO) ka vazhduar për të paktën për rreth 11.000 vjet pa ndërprerje të mëdha. Por, studimi "E ardhmja me rezolucion të lartë El Niño", botuar në “Nature Climate Change”, nga një ekip studiuesish nga Qendra IBS për Fizikën e Klimës (ICCP) e Universitetit Kombëtar Pusan, e Institutit të Meteorologjisë “Max-Planck” (MPI-M) dhe Universiteti Mānoa në Hawaii, paralajmëron se kjo mund të ndryshojë në të ardhmen.
Ekipi gjerman, koreano-jugor dhe amerikan kreu një sërë simulimesh të modeleve globale të klimës me një rezolucion të paprecedentë hapësinor prej 10 km në oqean dhe 25 km në atmosferë. Mundësuar nga “Aleph”, një nga superkompjuterët më të shpejtë të Koresë së Jugut, modelet e reja klimaterike me rezolucion ultra të lartë tani mund të simulojnë realisht ciklone tropikale në atmosferë dhe valë paqëndrueshmërie tropikale në Oqeanin Paqësor ekuatorial, që luajnë role kritike në gjenerimin dhe në përfundimin e ngjarjet El Niño dhe La Niña.
Një nga autorët e studimit, Sun-Seon Lee, i cili kreu eksperimentet, shpjegon se superkompjuteri ka punuar vazhdimisht për më shumë se një vit për të përfunduar një sërë simulimesh shekullore në lidhje me klimën aktuale dhe dy nivele të ndryshme të ngrohjes globale.
Sipas tij, modeli krijoi të dhëna të mjaftueshme për të mbushur rreth 2000 hard disqe.
Duke analizuar këtë grup të madh të të dhënave, ekipi u përqendrua në një problem të vjetër, se si do të ndryshojë ENSO në përgjigje të rritjes së përqendrimeve të gazeve serrë në atmosferë. Drejtori i ICCP, Axel Timmermann kujton se dy breza të shkencëtarëve të klimës e kanë shqyrtuar këtë problem duke përdorur modele klimaterike me kompleksitet të ndryshëm.
Grafik për ndikimet e El Niño-s(VCG)
Disa modele bënë simulime më të dobëta, të tjerë parashikuan luhatje më të mëdha të temperaturës në Paqësorin Lindor në një klimë të ardhshme më të ngrohtë. E përbashkëta e këtyre modeleve është se temperaturat e tyre të simuluara në Paqësorin ekuatorial, në perëndim të Galapagos, ishin gjithmonë shumë të ftohta në krahasim me vëzhgimet. Kjo i pengoi ata të përfaqësojnë ashtu siç duhet balancën delikate midis proceseve të reagimeve pozitive dhe negative që janë të rëndësishme në ciklin ENSO.
Studiuesit ishin në gjendje të përcaktonin proceset klimaterike në shkallë të vogël në zgjidhjen më të lartë të mundshme llogaritëse, dhe kështu ishin në gjendje të lehtësonin këto shtrembërime të temperaturës së oqeanit, duke çuar në përmirësime thelbësore në përfaqësimet e ENSO dhe përgjigjen e tij ndaj ngrohjes globale. Autori kryesor i studimit, Christian Wengel, deklaroi se, sipas tij, rezultati i simulimeve kompjuterike është i qartë: rritja e përqendrimeve të dyoksidit të karbonit do të dobësojë intensitetin e ciklit të temperaturës së këtyre fenomeneve atmosferike.
Duke gjurmuar lëvizjen e nxehtësisë atmosferë/oqean, shkencëtarët identifikuan fajtorin kryesor në kolapsin e sistemit ENSO. Për shkak të avullimit të ujit, ngjarjet e ardhshme El Niño do të humbasin më shpejt nxehtësinë në atmosferë, e cila ka prirjen për të ftohur oqeanin. Për më tepër, ndryshimi i zvogëluar i temperaturës në të ardhmen midis Paqësorit tropikal lindor dhe perëndimor do të pengojë gjithashtu zhvillimin e temperaturave ekstreme gjatë ciklit ENSO.
Moti ekstrem shkakton thatësira të rënda(VCG)
“Greenreport” përcjell se në “Center for Climate Physics” të “Institute for Basic Science” u vërejt se sidoqoftë këta dy faktorë janë kompensuar pjesërisht nga një dobësim i pritshëm i valëve të paqëndrueshmërisë tropikale në të ardhmen. Normalisht këto valë oqeanike, të cilat mund të përfshijnë deri në 30% të të gjithë perimetrit të tokës, zhvillohen gjatë kushteve të La Niña. Ata zëvendësojnë ujërat më të ftohtë ekuatorialë me ujë më të ngrohtë jashtë-ekuatorial, duke përshpejtuar kështu zhdukjen e një eventi La Niña.
Simulimet e reja kompjuterike, të cilat zgjidhin strukturën e detajuar të këtyre valëve, tregojnë se në të ardhmen reagimet negative të lidhura me ENSO do të dobësohen. Një autor tjetër i studimit, Malte Stuecker, nga Universiteti “Mānoa” i Hawaii-t-, thekson se ekziston një përplasje mes reagimeve pozitive dhe negative në sistemin ENSO, që zhvendoset në anën negative në një klimë më të ngrohtë. Kjo do të thotë që ngjarjet e ardhshme të El Niño dhe La Niña nuk mund të zhvillojnë më shtrirjen e tyre të plotë.
Edhe pse luhatjet vit pas viti në temperaturat ekuatoriale lindore të Paqësorit rrezikojnë të dobësohen me ngrohjen antropogjene, sipas studimit të ri dhe siç u demonstrua në studimet e fundit nga shkencëtarët e ICCP dhe bashkëpunëtorët e tyre ndërkombëtarë, ndryshimet e reshjeve ekstreme të lidhura me El Niño dhe La Niña do të vazhdojë të rritet për shkak të një cikli hidrologjik të intensifikuar në një klimë më të ngrohtë.
Shiu i rrallë goditi qytetin Nju Jork, 2 shtator, ShBA(VCG)
Axel Timmermann thotë se studimi dokumenton që ngrohja e pamëshirshme rrezikon të eliminojë luhatjet më të fuqishme klimaterike natyrore në botë që kanë vazhduar për mijëra vjet. Sipas tij, ende nuk dihen pasojat ekologjike të kësaj situate të mundshme e cila është pa analogji.
Ajo për të cilën po flitet është një fenomen atmosferik që vitet e fundit ka monopolizuar vëmendjen jo vetëm të ekspertëve dhe studiuesve, por të të gjithë qytetarëve të botës që kanë kuptuar shtrirjen dhe jehonën e saj në përditshmërinë tonë.
"El Niño-Oscillation Southern, i njohur gjithashtu me akronimin ENSO, është një fenomen klimatik periodik që ndodh në Oqeanin Paqësor qendror në muajt dhjetor dhe janar mesatarisht çdo pesë vjet, por me një periudhë statistikisht të ndryshueshme midis tre dhe shtatë vjetësh.
“El Niño” është një term në gjuhën spanjolle që fjalë për fjalë do të thotë "fëmija", i krijuar pikërisht në lidhje me faktin se fenomeni ndodh gjatë periudhës së krishtlindjes. Niño është shkaktuar, teknikisht, nga prania e dy llojeve të valëve në qarkullimin atmosferik, (Kelvin dhe Rossby), të cilat orientohen në drejtim të kundërt nga njëra-tjetra. Valët më të shpejta të Kelvinit drejtohen në lindje; Valët e Rossby, nga ana tjetër, janë më të ngadalta dhe shkojnë drejt perëndimit. Kjo lëvizje gjeneron një akumulim uji në Paqësor në brigjet e Amerikës së Jugut, gjë që shkakton një rritje të nivelit të ujit prej gati një metër.
Në fund të dhjetorit, erërat në drejtim lindje-perëndim dobësohen ose kthehen mbrapsht, nëse ndërhyn edhe ndryshimi i presionit atmosferik midis Australisë dhe Paqësorit, energjia e grumbulluar në brigjet lindore të Paqësorit lëshohet në perëndim. Prandaj kjo lëvizje atmosferike shkakton shira të dendur dhe një ulje të temperaturave në brigjet e Amerikës së Jugut të Paqësorit duke shkaktuar thatësirë dhe një rritje të temperaturave në brigjet perëndimore të Paqësorit, në Indonezi dhe Azinë Juglindore.
Përveç efekteve lokale në Paqësor, El Niño besohet të jetë shkaku i ndryshueshmërisë në kushtet klimaterike në një shkallë globale, me një frekuencë që varion nga tre deri në tetë vjet. Aftësitë e reja për të parashikuar fillimin e ngjarjeve ENSO në nivel global mund të kenë një ndikim të fortë socio-ekonomik. Megjithëse ky është një komponent natyror i klimës, ajo që mund të shkaktojë shumë shqetësim është intensiteti dhe shpeshtësia e tij, që është gjithnjë e më e afër, dhe që mund të ndryshojë nga ndikimi i ngrohjes globale ose që, siç pohojnë shumë studiues, do të jetë e anasjellta, që mund të ndikojnë pikërisht te ngrohja globale.
Përgatiti: Irma Paloli