Albina Zeneli është gazetare prej 8 vitesh. Ajo ka mbaruar studimet në fakultetin “Media dhe Komunikim” nivelin Bachelor dhe Master, si dhe ka kryer trajnime të ndryshme në fushën e mediave dhe marketingut.
Prej 4 vitesh drejton emisionin “N'ZOOM” dhe ka në pronësi website, një bar dhe një kompani për menaxhimin e rrjeteve sociale.
CMG : Për çfarë mendon se ju njohin të tjerët ?
Albina Zeneli : Unë jam Albina Zeneli nga Kosova dhe mendoj që shqipfolësit më kanë dëgjuar apo parë në fushën e showbizit, duke qenë që unë këtë pjesë mbuloj në punën time. Kam 8 vite që merrem me media. Ndërsa me emisionin N'Zoom kam shumë pak.
CMG :Çfarë është platforma N'ZOOM?
Albina Zeneli : Do ta cilësoja si hapësirë mediatike, e cila informon dhe jep një alternativë për të parë diçka të re. Qytetarëve i ofrojmë kulturë, art dhe gjjthçka nga showbizi. Vështirësi ka pasur shumë, por nuk do doja ta nisja me këtë.
Në mëngjes kur zgjohemi është e vështirë të bindesh e të zgjohesh, por nëse e do punën do ngrihesh dhe do ja arrish " Kjo është ta duash profesionin"
Njerëzit kanë qëndruar në punën time dhe e kanë mbështetur. Sfidë më vete është duke marrë parasysh që jam e re në moshë. Unë duhet t’ja dal dhe kjo gjithmonë ka pasur paragjykime.
CMG :Albina, si ndahet personalja nga profesionalja?
Albina Zeneli: Tek kjo pjesë dua të ndalem, sepse kemi jo vetëm probleme por dhe sfida të mëdha, të cilat na sigurojnë edhe stres. Lajmet të cilat unë duhet t’i zbardh shpesh më krijojnë stress, sepse janë gjetje të reja dhe ne merremi me jetën private të njerëzve. Në showbiz priten këto lloj reagimesh.
Mendoj që është e vështirë të ndahet kjo pjesë, sepse na ndodh shpesh që të jemi në tavolina miqësore për të konsumuar dreka apo darka dhe sërish unë duhet t’i përmbahem me korrektesësi profesionit. Nuk duhet të kemi shumë "mëshirë" por nuk duhet harruar ana njerëzore.
CMG : Cilat janë tiparet e tua që nga viti në vit nuk kanë ndryshuar?
Albina Zeneli : Kam shumë principe! Me stafin ose do dalim të gjithë grup dhe do të jemi të gjithë në një mendje, ose puna është punë dhe kjo nuk mund të ndryshojë për asnjë gjë në botë.
Nuk dua armiq dhe hatërmbetje në fund të fundit ne jemi qënie të barabarta.
CMG : Prindërit në gjithë këtë rrugëtim si qëndrojnë për ty?
Albina Zeneli : Prindërit me kanë qëndruar përherë pranë. Unë qysh e vogël e grisja një copë të gazetës për ta mbajtur kudo me vete dhe aty unë kam spikatur.
Gjyshërit e mi çdo mëngjes marrin gazetën dhe e lexojnë ende edhe sot. Një traditë kjo e cila vijon të ruhet prej shumë vitesh. Mendoj që aty e mora edhe unë këtë lloj pasioni për leximin dhe artin.
CMG : Si i menaxhoni skandalet mediatike?
Albina Zeneli : Unë si drejtuese jam hasur edhe me kërcënime, të cilat janë drejtuar tek unë për një arsye apo për një tjetër. Mund t’ju kemi zbuluar një aferë dashurie dhe patjetër që mua më kanë shkruar menjëherë për ta hequr.
Por jo sikundër unë e thashë arrij ta ndaj personalen nga profesionalja dhe kjo më bën mua të vijoj të punoj me shumë pasion.
CMG : Si qëndron tek ti ambicia?
Albina Zeneli : Kam shumë ambicie, të cilat patjetër reflektohen në punën time . Unë po e vijoi këtë punë prej ambicies. Është pak vonë që Kosova të merret me showbiz në krahasim me lajmet shqiptare. Medalja ka dy anë dhe unë jam çdo ditë duke punuar për veten dhe për t’u rritur profesionalisht, por njëkohësisht përballem me sfida të cilat dua apo nuk dua unë duhet t’i kaloj.
CMG : A keni menduar ndonjëherë që të jepni dorëheqjen nga kjo fushë?
Albina Zeneli : Jo! E dua shumë dhe më pëlqen të merrem me showbiz. Nuk mendoj që do të arrij të mund të bëj diçka tjetër.
CMG : Arritje dhe sukses. Si tingëllon për ty?
Albina Zeneli : Të kesh një familje është sukses dhe atë ta kesh te lumtur.
Në të ardhmen të kesh një partner të mirë. Sukses gjithashtu është të kesh një profesion që i bën krenarë të gjithë të tjerët.
Intervistoi Megi Latifi