Prej më se 5 vitesh Granit Temaj një ndër aventurierët e turizmit të trojeve shqiptare, ka arritur të fiksojë me aparatin e tij bukuri të shumta, mes relievit të thyer alpin dhe Rivierës Shqiptare. Vitet e fundit ai ka bërë një planifikim të jetës dhe identifikimit të destinacioneve, duke i kthyer ato jo vetëm në hobi, por me tepër në përjetime jetësore. Zgjimet në mes të pyllit, netët pranë një zjarri kampi dhe ecjet në natyrë e lumturojnë pa masë. Ai ka edhe blogun e tij, “Alpventurer”, që për objektiv ka promovimin e destinacioneve të aventurës.
Granit Temaj në Malin e Sharrit
CMG: Granit kush jeni ju në sytë e të tjerëve?
Granit Temaj: Unë në sytë e të tjerëve jam një djalë i ri. Jam një aplinisit dhe një njeri që e dua punën. Kjo sa i përket asaj që të tjerët shohin tek unë.
CMG: E nisim me "Alpinizëm". Sa vite keni që merreni?
Granit Temaj: Për aq kohë sa unë alpinizmin e kam pasion, atëherë asgjë nuk më pengon që unë ta jetoj jetën njësoj si të gjithë të tjerët, por në dallim nga të tjerët unë e nis me një vrap ditën time. Vrapi ta bën ditën dhe jetën shumë të shëndetshme. Kështu që është mirë ta nisësh kështu.
CMG: Kur na nisur kontakti juaj me natyrën...Qysh në fëmijëri?
Granit Temaj: Po këtë do ta cilësoja si kontakt të parë me natyrën.
Kam nisur kontaktin tim të parë me natyrën që në momentin kur familja ime me dërgonte me pushime dhe në destinacion kemi pasur gjithmonë natyrën.
Granit Temaj viziton Tropojën
Ne jemi të rrethuar me male, aty ku kemi jetuar dhe si në dimër ashtu edhe në verë ne e kemi shijuar natyrën. Ky është kontakti i parë me natyrën. Më pas nuk mund të them arsye të tjera, sepse duke qenë i vogël e vlerëson sinqerisht natyrën.
CMG: Ju në profesion jeni Menaxher prodhimi, ndërsa pasion keni alpinizmin. Si ndërthuren këto të dyja?
Granit Temaj: Unë jam me parimin që 5 ditë në javë punë dhe dy ditë pushim total, për të qenë gati për javën. Ky është kombinimi që unë bëj. E vlerësoj profesionin 5 ditë të javës dhe në 2 ditët e tjera i përkushtohem pasionit. Slogani im është "Puno 5 ditë fizikisht dhe pusho mirë mendërisht ".
CMG: Cilat janë vendet që mund të vizitojmë në Kosovë?
Granit Temaj: Përveç faktit që nuk kemi detin, ne kemi malin. Malet janë të ndara në Kosovë në dy pjesë. Pjesa juglindore dhe jugore ku është masivi i Bjeshkëve të Sharrit, që është shumë i bukur dhe ka shumë ujë. Ka livadhe mbi dy mijë metër e vende me fruta të egra.
Granit Temaj në Valbonë
Në të njëjtën kohë kemi edhe Bjeshkët e Nëmuna piktoreske, që mund të jetë destinacioni juaj edhe pse janë pak të egra, ato janë të magjishme.
Nuk ka dallim se kush vend është më i miri, por vende të bukura ka gjithmonë. Ecjet malore në Bjeshkë janë zgjidhje ideale për shembull në malet e Rugovës.
CMG: Të udhëtosh vetëm apo në grup ? Si është me mire?
Granit Temaj: Varet si ndihesh. Ndonjëherë ke nevoje për të udhëtuar vetëm dhe të rrish qetë, por ndonjëherë ke nevojë për atmosferë miqësore. Ajo që nuk do të pranoja, do të ishte fakti që shumë njerëz ikin në grupe shumë të mëdha mbi 30 veta dhe kjo të bezdis.
CMG: A keni ju eksperienca të cilat i cilësoni si kujtime të udhëtimeve tuaja?
Granit Temaj: Po dhe janë shumë të natyrshme. Ka momente që mund të humbasësh rrugën, por edhe kjo është pjesë e udhëtimit. Kam qenë në prill në gadishullin e Karaburunit dhe aty humba drejtimin pranë Gjirit të Dafinës. Jam rrëzuar dhe vetëm Zoti me ka shpëtuar, ndaj në kthim vendosa të merrja rrugën në anën tjetër.
Granit Temaj në Rugovë
Nëse je në navigim të mirë të hartës e kalon, por nëse nuk je përfundon në xhungël. Unë e kalova atë situatë falë eksperiencës në udhëtime.
CMG: Gudia, top 5 destinacionet me të mira që nuk duhet t’i humbasim nëse vijmë në Kosovë?
Granit Temaj: Së pari kemi Brodin, që ka më shumë uje dhe ecja është e lehtë. Së dyti, do përzgjedhja Zaplluxhën dhe pas saj Kanioniet e Leshnicës, në Maqedoni. Për të mos u humbur është edhe Restelcia, prej së cilës mund të dalësh edhe në Shqipëri. Maja e Gjeravicës është një tjetër hapësirë e mirë udhëtimi. Kështu kemi dhënë vendet me te frekuentuara malore, pasi Kosova nuk ka det.
CMG: Këshilla që do u jepje të huajve, që nuk e njohin zonën?
Granit Temaj: I ftoj të njohin terrenin sepse edhe nëse i ndihmojmë kur terreni është i vështirë, bëhet e pamundur.
Intervistoi: Megi Latifi