Autoritetet vendore në Kinë po marrin masa të shpejta për të frenuar përhapjen e variantit “Delta” të koronavirusit të ri, pasi rastet e infektimit me këtë variant janë gjetur në më shumë se 12 provinca dhe qytete të varura drejtpërdrejt nga qeveria qendrore.
Pasi raportoi raste të reja çdo ditë që nga 20 korriku, qyteti Yangzhou u bë një zonë me vatra infektimi pas Nankinit, kryeqendrës së provincës Jiangsu, rreth 100 kilometra larg. Deri më 11 gusht, numri i të infektuarve vendorë arriti në 448.
“Përqindja e infektimit të të moshuarve në Yangzhou është shumë e lartë, gjë që përbën një sfidë serioze për trajtimin mjekësor. Por, po bëjmë përpjekje maksimale për të mjekuar pacientët”, tha Zhou Minghao, zv.drejtor i Komisionit të Shëndetësisë të provincës Jiangsu.
Epidemia në Yangzhou u shkaktua nga përqendrimi i njerëzve në sallat e lojës me shah dhe letra, që janë vende argëtimi veçanërisht për të moshuarit. Pritet që virusi të vihet nën kontroll brenda dy ose tre periudhash inkubimi, tha Gao Shan, një profesor i asociuar pranë Universitetit Nankai.
Në Zhangjiajie, një qytet i njohur turistik në provincën Hunan të Kinës Qendrore, ka nisur raundi i dytë i testimeve të acidit nukleik. Para kësaj, qyteti zhvilloi tre raunde testimi në zonat me rrezik të lartë, pasi u raportuan rastet e reja.
Ndërkohë, raste të tjera të infektimit vendor u raportuan edhe në disa krahina të tjera të Kinës, të parat prej të cilave ishin të lidhura me aeroportin e Nankinit.
Sipas z. Mi Feng, zëdhënës i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë të Kinës, pas raportimit të rasteve sporadike gjatë kulmit të udhëtimeve në pushimet verore, po rritet rrezikshmëria e përhapjes së epidemisë. “Sa herë raportohet një shpërthim, duhet të merren masa të rrepta për ta vënë në kontroll situatën sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai në një konferencë shtypi.
Përhapja e variantit “Delta” ka sjellë kufizime masive të udhëtimit, duke përfshirë ndërprerjen e fluturimeve të aeroplanëve, të trenave e të autobusëve të distancave të gjata dhe ndalimin e udhëtimit në zonat me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë.
Për shembull, për momentin, banorët që vijnë nga këto zona ndalohen të hyjnë në Pekin, pasi në kryeqytet u raportua rasti i parë i infektimit më 27 korrik. Bashkia e qytetit vendosi kontrolle më të rrepta për hyrje-daljet, duke u këshilluar qytetarëve të minimizojnë udhëtimet dhe të shmangin grumbullimet. Pas raportimit të katër të infektuarve në distriktin Changping dhe atë Fangshan, një rast i ri u zbulua në distriktin Haidian të Pekinit Veriperëndimor. Tani, mbi 10 mijë banorë janë vënë në karantinë dhe po zhvillohen testimet e acidit nukleik.
Ndërkohë, qyteti i ka kufizuar nën 60 % kapacitetet pritëse të parqeve, të pikave turistike, të vendeve të shfaqjes, si dhe të pikave të tjera ku grumbullohen njerëz.
Numri i udhëtarëve që hyjnë në Pekin dhe dalin prej tij nëpërmjet trenave është ulur 35 % dhe dy aeroportet ndërkombëtare kanë ndërprerë fluturimet midis kryeqytetit dhe dhjetëra qyteteve të vendit.
Masat e rrepta po sjellin rezultate. Të dielën e kaluar, në qytetin Nankin nuk u raportua për herë të parë ndonjë infektim me burim të brendshëm që pas zbulimit më 20 korrik të vatrës së infektimit me variantin “Delta” që kishte lidhje me aeroportin e qytetit. Gjendja po përmirësohet edhe në qytete të tjera me zbatimin e masave të rrepta të kontrollit dhe disa raunde të testimeve masiv të acidit nukleik.
Ekspertët bënë të ditur se numri i dozave të vaksinës të bëra në mbarë vendin i ka kaluar 1.78 miliardët, gjë që do të ndihmojë shumë në përpjekjet kundër përhapjes së virusit.
Gjithashtu, gjigantët farmaceutikë po përshpejtojnë prodhimin e vaksinave të posaçme kundër variantit “Delta”. Për shembull, ndër dy kompanitë që prodhuan të parat vaksina, “Sinopharm” dhe “Sinovac”, kjo e fundit po përgatitet për të aplikuar për lejimin e përdorimit emergjent dhe të provave klinike të vaksinave të saj kundër variantit “Delta”. Kurse “Sinopharm”-i do të dorëzojë së shpejti aplikimin për provat klinike.
Sipas metodave tradicionale, nëpërmjet zëvendësimit të shtameve të variantit shkaktues të sëmundjes në hapin e parë, prodhuesit mund të krijojnë vaksinat e reja. Ndërsa, disa kompani si “Sinovac”-u kanë nxjerrë me sukses shtamin e variantit “Delta” që nga prilli i sivjetshëm.
Kompanitë e tjera kineze, duke nxitur prodhimin e vaksinave me metodën tradicionale, po marrin pjesë në studimin dhe prodhimin e vaksinave nëpërmjet shfrytëzimit të teknologjive si mRNA, proteina me ADN rikombinuese etj.
Megjithatë, përhapja e shpejtë e variantit “Delta” mos nënkupton se vaksinimi aktual nuk ka vlerë? Përgjigjja e ekspertit të njohur të sëmundjeve të rrugëve të frymëmarrjes dhe anëtar i Akademisë së Inxhinierisë të Kinës, Zhong Nanshan, është “jo”. Në një forum mjekësor të organizuar në fund të korrikut, ai vuri në dukje qartë se vetëm kur të paktën 83.3% e banorëve të jenë vaksinuar, në Kinë mund të realizohet “imuniteti i tufës”. Ai u bëri thirrje njerëzve t’i kushtojnë më shumë vëmendje rëndësisë së vaksinimit.
Sipas tij, studimet rreth shpërthimit të epidemisë së krijuar nga varianti “Delta” në majin e sivjetshëm në qytetin Guangzhou, tregojnë se vaksinat kineze janë në gjendje të ofrojnë mbrojtje. Të dhënat fillestare dëshmojnë se efekti mbrojtës i vaksinave kineze është 100 % kundër gjendjes së rëndë, 76.9% kundër simptomave të moderuara, 67.2 % kundër simptomave të buta dhe 63.2 % kundër mbartësve asimptomatikë. Z. Zhong theksoi se përfitimi i “imunitetit natyror” pa kontrolluar virusin është “jorealist, joshkencor e johumanitar” dhe se megjithëse në Kinë, numri i vaksinave të bëra është i lartë, për shkak të popullsisë së madhe, duhet të përshpejtohet më tej ngritja e përqindjes së vaksinimit. (Zhang Yan/Artan)