Romina Kuko është Zëvendësministre e Brendshme që nga 9 Tetori 2017. Vjen nga një eksperiencë e gjatë në Administratën Publike dhe Organizatat Ndërkombëtare me fushë ekspertize në sektorin e sigurisë, specifikisht Policimin në Komunitet, Dhunën në Familje dhe Parandalimin dhe Luftën Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.

Ka kryer studimet Bachelor për Psikologji në Universitetin e Shefildit ku është diplomuar me titullin Honours, gjithashtu mban titullin Master Shkencor në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci si dhe ka një serë diplomash dhe certifikimesh nga institucione prestigjoze si Shkolla e Studimeve Politike të Këshillit të Europës, ODIHR, Qendra Demokratike e Forcave të Armatosura në Gjenevë (DCAF) si dhe nga Akademia e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Në tre vitet e fundit ajo ka mbuluar portofolin e Angazhimit qytetar kundër Ekstremizmit të Dhunshëm. Në Radio Ejani ajo vjen me një inervistë ekskluzive për rrugëtimin e saj jetësor.

CMG: Cilat janë pikat e tua më të forta?

Romina Kuko: Mendoj që njeriu e nis nga disa pika të forta dhe vijon të zhvillojë veten në rrugën e vet. Rruga është e gjatë dhe kërkon aftësi të ndryshme. Ti e nis me një pikë të forte, por këtë e ndryshon me një tjetër pikë të fortë gjatë rrugës. Mendoj që pika ime më e fortë është imagjinata.

Mendoj që të kesh një imagjinatë të cunguar është fatkeqësi shumë e madhe, sepse do të duhet më pas të punosh për ta rritur, duke lexuar apo takuar njerëz të rinj.

CMG: A i jepni dot vetes përgjigje për pyetjen "kush jam unë"?

Romina Kuko: Jo! Nuk i jap dot përgjigje kësaj pyetjeje sepse në momentin që e bej këtë kam pushuar së qeni dhe se kërkuari prej vetes.

Njeriu kur rritet nis me rizgjime. Pra, fillimisht rizgjohet kur mbaron gjimnazin, sepse aty nis të imagjinosh kush je dhe çfarë do të bëhesh.

Një tjetër rizgjim ndodh kur njeriu bie në dashuri, sepse nis të vendosë në pikëpyetje jetën e vet, sepse e shikon veten nga sytë e dikujt që do.

Pastaj nis të zgjohet kur zgjedh profesionin, sepse do duhet ta mbajë atë.

Ka rizgjime edhe në momente fatkeqësie. Aty nis dhe kupton çfarë ka dhe çfarë nuk ka vlerë për të.

Momentet e rizgjimit janë shumë të bukura sepse definon kush ti je në të vërtetë.

CMG: Punoni ju për emrin apo emri për ju ?

Romina Kuko: Unë punoj për njerëzit. Kjo është e vetmja parullë që mund të jap!

CMG: Si zgjidhni të merrni vendimet e duhura?

Romina Kuko: Ka patur momente shumë të vështira patjetër. Unë sapo kisha nisur punën në Ministri të Mbrojtjes dhe njëkohësisht isha një nënë e re në moshë. Aty pati një turbulencë sepse duhet t’i mbaja të dyja.

Megjithatë unë besoj që krizat janë shanse për rritje e të arrish të kuptosh se nuk ka rëndësi çfarë të ndodh ty, por si reagon ti ndaj tyre.

Ndaj krizat duhen parë si oportunitet.

CMG: Si e ruani ju balancën si një nënë dhe grua në karrierë?

Romina Kuko: Nuk habitem aspak që kjo pyetje u bëhet gjithmonë grave. Pra ne nuk pyesim kurrë burrat si ja del të jesh edhe në karrierë edhe baba. Bëhet duke pasur një familje të shëndoshë dhe duke ndarë gjithçka. Koha cilësore është më e rëndësishme se ajo sasiore.

Partneri duhet të ketë mirëkuptim dhe ai duhet të të mbështesë.

Vetes duhet t’i besh një dhuratë, t’i krijosh këtë gjendje të qetë duke bërë zgjedhjen e duhur.

CMG: Energjia kërkohet apo krijohet?

Romina Kuko: Në fakt rrënjët që janë familja më kanë dhënë shumë ndër to edhe energjinë, fantazinë, shumë përjetime, shumë emocione dhe natyrë. Një rrënjë tjetër e rëndësishme është gjeneza e familjes.

Në familjen time ka pasur gjithmonë diçka për të treguar, sepse njeriu ka degë që mbahet, por ka dhe rrënjë!

CMG: Iniciativa "Gati për Shqipërinë". Si po shkon ecuria?

Romina Kuko: Është një magjepsje kur sheh se njerëz që jetojnë nga të katër anët e botës vijnë dhe sjellin për vendin ide dhe risi dhe që janë të aftë të japin kontribut në fushën e inteligjencës artificiale, apo atë të arbitrazhit e shumë fusha të tjera.

Jam e habitur nga idetë- risi, pasi edhe Shqipëria ka shumë nevojë ndaj mendoj që është një nga iniciativat më të bukura të ndodhura tashmë. Ne jemi aty për ata, për t’i dëgjuar e për të qëndruar pranë ideve.

Aty kemi kryeministrin, i cili qëndron aty për të dëgjuar çdo ide. Ka njerëz që kanë pasur mundësi të punësohen nga platforma e të tjerë që do të punësohen apo do t’u hapen shumë dyer.

CMG: Si është të punosh me dhe për të rinjtë?

Romina Kuko: E kam bërë gjithmonë në fakt dhe mendoj që puna me të rinjtë është një ndër fokuset që politikanët duhet të kenë.

Ndonjëherë ne harrojmë impulset prej rutinës, por përfshirja e të rinjve në projekte është gjëja më e mirë që mund të bëjmë. Është e domosdoshme për të marrë energji të reja.

CMG: Çfarë ka qenë për ju "Ndikim" në vitet e rritjes?

Romina Kuko: Për mua ka qenë një kombinim. Në fillim janë njerëzit, sepse janë njerëzit ata që të ofrojnë kontaktin dhe komunikimin. Janë ata që të mësojnë se çfarë të kesh pasione si : Librat, historinë apo muzikën. Më pas ne zgjedhim të ndjekim pasionet, siç është edhe ai për librin të cilët të zgjerojnë horizontin.

Në fund të gjjtha idetë që ke pasur dhe akumuluar i vendos në jetë.

CMG: Çfarë e bën një ditë të kompletuar për ju?

Romina Kuko: Absolutisht familja! Të ulem në kopshtin e dashur për të pirë një gotë raki, për të kujtuar të shkuaren e për të folur për të ardhmen. Kjo është ndjesi e pazëvendësueshme.

Intervistoi: Megi Latifi