Moto e sipërmarrjes Natyra ime

Moto e sipërmarrjes Natyra ime

“Natyra ime” mori eksperiencën më të mirë italiane në prodhimin e produkteve natyrale artizanale të kozmetikës dhe sot gëzon punishten e saj në fshatin Shtoj i Ri në Shkodër. Bëhet fjalë për sipërmarrësen Jetmira Kajoshi, themeluesen e brandit “Natyra ime”, e cila prodhon 100% në mënyrë natyrale produkte për kujdesin e lëkurës. Për Radio Ejani zonja Kajoshi shuan kureshtjen se si i realizon në mënyrë tërësisht artizanale këto produkte, duke shfrytëzuar vlerat e bimëve medicinale shqiptare pa asnjë përmbajtje kimike.

“Natyra ime” është një punishte që merret me prodhimin e sapunëve natyralë artizanalë me vajra dhe bimë kryesisht nga vendi ynë dhe me kozmetikë në vija më të gjëra. Natyra ime i ka fillimet e saj në tetor të vitit 2015, pas një periudhe gati njëvjeçare trajnimesh dhe praktika pune në Milano, Itali. Aty mësuam nga afër se ç’do të thotë të prodhosh produkte natyrale artizanale të kozmetikës. Veçoritë e produkteve tona qëndrojnë te mënyra sesi këto produkte prodhohen, që është tërësisht artizanale dhe nga përmbajtja që këto produkte kanë tërësisht natyrale. Vlen për t’u theksuar se produktet tona nuk kanë përmbajtje shtazore, mbushje kimike apo aroma sintetike. Ato janë 100% natyrale dhe mbajnë vetëm aromat e bimëve dhe vajrave sencialë përkatës.” thotë Jetmira Kajoshi

Nëse për shumë prej nesh, bimët që gjenden maleve janë thjeshtë pasuri e natyrës që plotëson imazhin piktoresk, për Jetmirën ato janë ushqim për lëkurën.

Natyra ime ekspo

Natyra ime ekspo

Sapune me bimë mjekësore

Sapune me bimë mjekësore

“Inovacioni qëndron tek përdorimi i bimëve medicinale. Deri para 6-7 viteve bimët medicinale pothuajse shkonin të gjitha për eksport dhe në vendin tonë nuk mbetej pothuajse asgjë. Ishim të parët që arritëm që vlerat e këtyre bimëve t’i sjellim si një produkt kozmetik dhe kjo është një vlerë e shtuar e produkteve tona.”, tregon Jetmira

Vite më parë kur nisi aktivitetin punishtja “Natyra ime” ishte mjaft e vështirë të hynte në treg. Skepticizmi i qytetarëve, mungesa e kulturës për produktet artizanale bënë që interesi të ishte i ulët. Por me përkushtim, duke lënë produktet të dëshmojnë vlerat që gëzojnë, sot “Natyra ime” ka një klientelë të pasur.

“Fillimet tona ishin relativisht të vështira, pasi njerëzit nuk e kuptonin dhe nuk e besonin që në Shqipëri prodhohet një produkt i tillë. Ngjarja që na ka vështirësuar më shumë punën ka qenë skepticizmi i njerëzve, nuk besonin te produktet shqiptare fillimisht, gjithmonë kishin atë mëdyshjen se në Shqipëri s’ka mundësi të prodhohen gjëra të tilla. Por në Shqipëri prodhohen produkte cilësore natyrale të tipin sapunë, kremëra, gjëra të ndryshme të kozmetikës.Ne u dhamë mundësinë njerëzve për të provuar produktet tona nëpërmjet organizimit të panaireve të ndryshme në çdo cep të Shqipërisë, jashtë kufijve të saj. Kemi qenë pjesë e këtyre panairëve për të demonstruar punën tonë, për të demonstuar vlerat e një produkti dhe mund të them që pas një periudhe relativisht një vjeçare produkti u njoh pothuajse në të gjithë vendin dhe pati rritje të kërkesës së tij. Një vend të rëndësishëm produkti ynë ka zënë dhe në rrjetin e dyqaneve të suvenirëve. Turistët që vizitojnë vendin tonë e kanë marrë atë si një produkt shqiptar dhe kjo ka qenë një arritje për ne, që tek e fundit prezantojmë një punë dinjitoze që ka vendi jonë.”- thekson themeluesja Jetmira Kajoshi.

Sapun natyral me esencë livandoje

Sapun natyral me esencë livandoje

Prodhime të sipërmarrjes Natyra ime

Prodhime të sipërmarrjes Natyra ime

Por cilat janë rrugët për të përfituar këto produkte artizanale?

“Shitjet e produkteve tona janë në forma të ndryshme. Ne përveçse furnizojmë dyqane të ndryshme nëpër qytete të Shqipërisë, dyqane të tipit natyralë-organikë, shesim edhe nëpërmjet rrjeteve sociale, kjo madje ka qenë edhe mundësia më e mirë që neve na mbajti ‘gjallë’ si biznes në periudhën e vështirë që kaluam vitin e kaluar. Faqet e instagram-it, facebook-ut, website-t gjenden lehtësisht me emrin natyraime.al. Aty mund të na vizitoni, mund të na shkruani për detaje mbi produktin, për llojshmërinë, për sasinë, për çdo informacion që një klient dëshiron të dijë për produktet tona, aty merr përgjigje të detajuara.”- thotë sipërmarrësja.

Sipërmarrësja thotë se synimi kryesor në këtë aktivitet ka qenë shfrytëzimi maksimal i kapaciteteve që ka Shqipëria për realizimin e këtyre produkteve

“ Qëllimi ynë që në fillime ka qenë që të krijojmë një produkt me zero kilometra, të përdorim lëndën e parë të vendit tonë dhe mund të them që ja kemi arritur 100% që ne të kemi një produkt të tillë.”, shton Jetmira.

Produktet e prodhuara nga punishtja “Natyra ime” janë të analizuara nga instancat shtetërore në vend dhe gëzojnë të gjitha parametrat e produkteve natyrale dhe organike. Synimi është që produktet made in Albania “Natyra ime “ të kthehen në brand ndërkombëtar.

Prodhime nga Natyra ime

Prodhime nga Natyra ime

“Në vitin 2019 ne kishim eksperiencat e para të eksportit të produktit në vendet fqinje dhe produkti është i eksportueshëm deri tani në të gjithë Europën. Objektivat tona janë padiskutim që të rrisim prodhimin, të diversifikojmë produktet dhe të arrijmë eksporte të mëdha dhe serioze. Jemi përpjekur që të ndikojmë sado pak edhe në punësimin e zonës dhe i kemi dhënë përparësi punësimit të femrave, sidomos femrave me probleme sociale apo edhe atyre me aftësi të kufizuara. Për sa i përket planeve për të ardhmen padiskutim është rritja e kapaciteteve prodhuese, shtimi i produkteve të reja dhe krijimi i një brandi ndërkombëtar, pra të njihemi ndërkombëtarisht për produktet tona. Dhe për ta realizuar gjithë këtë na duhen bashkëpunëtorë të mirë. Qëllimi është që të krijojmë një zinxhir pune ku gjithësecili të bejë atë që di të bëjë më mirë, të gjithë së bashku të bëjmë më të mirën dhe kjo arrihet vetëm me bashkëpunime serioze.” tregon Jetmira Kajoshi

“Natyra ime” ka si objektiv po ashtu edhe sensibilizimin e personave për kurim personal vetëm me produkte natyrale dhe shmangien e përdorimit të produkteve të importuara, që humbasin cilësinë dhe freskinë e tyre gjatë transportit, që në fakt duhet t’i karakterizojë këto produkte.