Viktor Përfundi nga Bërzeshta e Librazhdit, prej më shumë se 25 vitesh është vendosur në Zadar të Kroacisë. Nuk e ka harruar vendlindjen dhe kthehet shpesh në atdhe në aktivitete të ndryshme kulturore duke qenë edhe anëtar i shoqatës Egnatia, që nga viti 1999. Gjatë fatkeqësisë së tërmetit në Kroaci, shqiptari nga Librazhdi ka bërë gjestin aspak simbolik, duke çuar një kontenier për familjen kroate në Pretinjë. Një gjest që ka marrë vemëndjen e komunitetit atje dhe falenderimet e tyre. Në një intervistë për CMG ai na tregon për jetën e tij në Kroaci, punë që bën atje si dhe lidhjet me Shqipërinë.

Viktor Perfundi me miq kroate

Viktor Perfundi me miq kroate

CMG: Faleminderit Viktor për këtë intervistë në rubrikën “Autostradë”

Viktor Përfundi: Faleminderit për ftesën!

CMG: Flasim pak për ikjen tuaj në Kroaci 25 vite më parë. Si u larguat nga Librazhdi dhe ishte destinacioni juaj Kroacia?

Viktor Përfundi: Në fakt ishin ato vitet e tranzicionit në Shqipëri, kur vendi ynë sapo kishte filluar të futej në demokraci dhe jo vetëm ne nga Librazhdi, por dhe shqiptarë të tjerë u desh të merrnim një rrugë dhe të iknim jashtë. Unë në fakt doja të ikja më larg në Australi, por ndalova në Kroaci dhe ai ishte stacioni ku ndalova dhe u stabilizova atje.

CMG: Besoj se ju ka pëlqyer shumë Kroacia që vendosët të qëndronit përgjithmonë aty?

Viktor Perfundi duke derguar ndihmat per familjen kroate

Viktor Perfundi duke derguar ndihmat per familjen kroate

Viktor Përfundi: Po më pëlqen shumë edhe pse jetoj mbi 25 vite në Kroaci e kam ndjerë veten si në shtëpinë time, sikur të jem në Librazhd ose në Tiranë sepse krijova miqësi ku dhe njerëzit janë pak më të dashur sesa europianët e tjerë. Kroatët janë me të vërtetë njërëz besnikë, njërëz të mirë dhe mikpritës, ata janë dashamirës dhe të gjithë shqiptarët që shkojnë në Kroaci e ndjejnë veten si në vendin e tyre.

CMG: Ishte i vështirë stabilizimi juaj në Kroaci në ditët e para të mbërritjes atje?

Viktor Përfundi: Ditët dhe javët e para janë gjithmonë të vështira kudo që të shkosh nëpër Europë, mirëpo si të thuash edhe shoqëria më kanë mbështetur. Kam qenë pak i lidhur me disa shqiptarë nga Kosova që më ndihmuan dhe më bëri që t’i rregulloj gjërat shumë shpejt.

CMG: Cila është puna që ju bëni në Kroaci dhe në cilin qytet jetoni atje?

Viktor Përfundi: Unë bëj punime dhe zbukurime guri, pra ndërtoj shtëpi prej guri dhe shkoj nëpër ishujt më të bukur të Kroacisë siç është Fari, Lastova, qyteti i bukur i Splitit. Unë jetoj në Zadar, i cili është një ishull ku ndodhen arbëreshët e larguar shumë vite më përpara nga Shqipëria. Atje jetoj dhe punoj unë dhe familja ime.

Viktor Perfundi ne interviste per CMG

Viktor Perfundi ne interviste per CMG

CMG: E vizitoni shpesh qytetin tuaj të lindjes Librazhdin?

Viktor Përfundi: Më përpara nuk kemi ardhur dhe aq shpesh, por tani vijmë çdo vit për arsye të punëve duke ditur që unë jetoj bashkë me familjen atje dhe këtu në Shqipëri vijmë vetëm për vizitë. Mua më pëlqen të vij shpesh në Shqipëri sepse e shoh që po ndërtohet dhe po ecën përpara. Kur pyes edhe kroatët që vizitojnë Shqipërinë më thonë se Tirana është shumë e bukur dhe ju ka pëlqyer. Ka shumë turistë që vijnë në Shqipëri jo vetëm nga Kroacia, por nga i gjithë Ballkani dhe që vizitojnë plazhet e Vlorës dhe Sarandës.

CMG: Si është të jetosh në ishujt e bukur të Dalmacisë bashkë me arbëreshët e ikur vite më përpara?

Viktor Përfundi: Unë jam krenar që jetoj në atë vend të Dalmacisë sepse ne kemi një kulturë dhe një histori.

CMG: Viktor ju jeni dhe një urë lidhëse në fushën e kulturës dhe letërsisë midis Shqiprisë dhe Kroacisë.

Viktor Përfundi: Në vitet 1996-97 unë jetoja në Kroaci, pikërisht në atë ishullin Hvar që është ishulli më i bukur i Dalmacisë, ku shoqërova shkrimtarët e njohur nga Shqipëria, Xhevahir Spahiun dhe Arian Lekën, kur merrni pjesë në evenimete të ndryshme në Kroaci. Kjo më bëri që të afrohem me letërsinë shqiptare dhe njerëzit më të mëdhenj të letërsisë që i kam njohur siç janë poetët Spahiu dhe Leka, të cilët i kam miq të mirë.

CMG: Ndalemi pak tek ndihma që ju dhatë para një viti në tërmetin e fuqishëm që goditi Kroacinë ku ndihmuat një familje kroate, të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore.

Viktor Përfundi: Tërmeti është diçka e papritur ku si gjithë të tjerët ashtu edhe unë dhashë kontributin tim kur e pashë një familje që ju kishte prishur shtëpia dhe që nuk kishte më banesë. Dimri po afrohej dhe filloi të binte shi, ndaj unë mora direkt masa për të ndihmuar aq sa kisha mundësi. Edhe te ne në Shqipëri kur ndodhi tërmeti ka pasur dhe kroatë që ndihmuan familjet e prekura në qytetin e Durrësit, kam dhe shokë kroatë që janë zjarrëfikës dhe pilotë dhe ndihmuan familjet e prekura nga tërmeti në Shqipëri. Unë e ndjeva veten si qytetar i Kroacisë dhe dhashë një ndihmë humanitare, aq sa pata mundësi, por ndihmova një familje kroate dhe të gjithë mediat kroate dhe në Shqipëri e bënë lajm këtë dhe duke më bërë hero për tre ditë. Këtë gjë mund ta bëjë çdo njeri nga ne kur dikton që një familje do një ndihmë ose një respekt, ne ishim të gatshëm që t’i bënim këto gjëra.

Viktor Perfundi

Viktor Perfundi

CMG: Mendoni se keni bërë zgjedhjen e duhur të jetës që të jetoni me familjen në Kroaci, apo keni dëshirë të ktheheni në Shqipëri?

Viktor Përfundi: Jeta ime më e bukur dhe më e mirë është që të jetoj këtu në Shqipëri sepse është vendi im, është toka ime. Kudo që të jesh dhe me çfardo lloj dokumentash të jesh prapë ti je një qytetar ose banor i shkallës së dytë në çdo vend të botës, jo vetëm në Kroaci. Pak nga pak dhe ne do t’i kthehemi Shqipërisë sepse e duam vendin tonë.

CMG: Faleminderit për intervistën dhe ju uroj shëndet dhe suksese në punë tuaj.

Viktor Përfundi: Ju falenderoj shumë për intervistën dhe suksese.

Intervistoi: Gazmend Agaj