Natyra shqiptare (Dosja Al)

Natyra shqiptare (Dosja Al)

Pas një periudhe afro dyvjeçare izolimi nga pandemia e koronavirusit, shqiptarët e pritën me dëshirë këtë sezon veror sepse kufizimet janë reduktuar dhe kësisoj kanë mundësi të lëvizin dhe të bëjnë pushimet e shumëkërkuara verore. Për shkak të motit të ngrohtë që nis në maj e na shoqëron deri në tetor janë të shumtë ata që tashmë i kanë kaluar pushimet verore në bregdet apo në mal. Pjesa më e madhe e qytetarëve zakonisht i planifikojnë pushimet në muajt korrik dhe gusht, kryesisht familjarët, që në këtë periudhë pushojnë bashkë me fëmijët. Sipas traditës disavjeçare edhe këtë sezon nuk ka munguar fluksi i emigrantëve shqiptarë, që po rikthehen në atdhe pas afro 2 vjetësh kufizime për shkak të pandemisë së koronavirusit. Qëllimi kryesor i udhëtimit të tyre drejt atdheut është takimi me familjarët, por edhe plotësimi i dokumenteve të nevojshme, pa harruar pushimet në stacionet turistike të vendit.

Plazhi i Vlorës (Tirana news)

Plazhi i Vlorës (Tirana news)

Mbetet i pandryshuar këtë verë fluksi i pushuesve nga Kosova, të cilët qëndrojnë në bregdetin shqiptar të jugut, ku përfshihet Saranda, Dhërmiu, Ksamili e Vlora, por dhe në plazhin e Durrësit, që ka qenë i pari stacion i tyre në nisjen e traditës së pushimeve në Shqipëri. Tashmë prej disa vitesh vihet re se turistët nga Kosova për shkak dhe të afërsisë gjeografike preferojnë më së shumti plazhin e Velipojës në Shkodër dhe atë të Shëngjinit në Lezhë.

Në një nga daljet e tij të fundit mediatike ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi është shprehur besimplotë për këtë sezon turistik

“Ky vit megjithëse i vështirë dëshmoi se jemi kthyer të fortë dhe jemi konkurrent në rajon për të bërë më shumë ekonomi e punësim. Ne na duhet që të punojmë dhe të vendosim rregulla më të forta. Prandaj duhet të krijojmë mundësi të gjithë së bashku”, u shpreh ministri Klosi.

Pushuesit nga Kosova në pikën e kalimit kufitar të Shqipërisë

Pushuesit nga Kosova në pikën e kalimit kufitar të Shqipërisë

Në kulmin e verës kryeministri Edi Rama u ka uruar gjithë shqiptarëve të diasporës mirëseardhjen në shtëpinë e tyre, gjatë sezonit turistik.

Me anë të një videoje promovuese me pamje nga bukuritë e natyrës dhe traditave të vendit tonë, qytetarë me profesione të ndryshme ftojnë të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të rikthehen në Shqipëri për sezonin veror përmes motos “Eja në shtëpi”.

“Mirëmëngjes dhe me këtë urim mirëseardhës për shqiptarët e diasporës në shtëpinë e tyre gjatë stinës së verës, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan Rama.

Për shkak të vijës së gjatë bregdetare Shqipëria ofron disa plazhe, nga veriu deri në jug, si në Velipojë të Shkodrës, në Shëngjin të Lezhës, në Durrës, Vlorë, Himarë dhe Sarandë, etj., plazhe këto që frekuentohen nga shqiptarët, por edhe nga shtetas të huaj, që zgjedhin Shqipërinë si një destinacion turistik gjatë muajve të verës.

Plazhi i Ksamilit (Albinfo)

Plazhi i Ksamilit (Albinfo)

Gjithashtu, Gjirokastra, Berati, Butrinti, Kruja, Tirana, Shkodra, etj., janë destinacione të kërkuara për turizëm historik dhe kulturor, ka shkruar kreu i qeverisë në postimin e tij.

Me mikrofonin e Radio Ejani kemi pyetur disa qytetarë për planet e tyre të pushimeve këtë verë

“Për mua është vera më e bukur që po kaloj. Shpresoj t’i bëj pushimet në jug, në Vlorë. Atje kam mjaft miq, kam shtëpinë time dhe jam i lumtur që do të shkoj në vendin më të bukur për mua në Shqipëri. Shpresoj të rri dy javë dhe do të vizitoj gjithë jugun, në Jalë, Dhërmi, Himarë e Qeparo”, u shpreh një i ri.

Ndërsa një e re, pasi nuk ka mbetur shumë e kënaqur me plazhin e Durrësit po përgatitet të kalojë pushimet në Vlorë.

“Këtë verë nuk jam shumë e kënaqur me pushimet verore pasi kam shkuar vetëm në Durrës dhe atje plazhi nuk është shumë i pastër. Por për momentin kam plane të tjera. Më pëlqen të shkoj në Vlorë sepse nuk kam qenë asnjëherë. Më kanë thënë se plazhi është shumë i pastër dhe qyteti fantastik”.

Një emigrant shqiptar i kthyer këtë verë në atdhe për dokumente na thotë se pushimet verore do t’i kalojë në plazhet e Italisë bashkë me familjen.

Turist i huaj në Tiranë (Hashtag.al)

Turist i huaj në Tiranë (Hashtag.al)

"Në Shqipëri kam ardhur për disa dokumente. Pushimet do t’i kaloj në Riccione, Rimini me familjen".

Si çdo sezon edhe ky i sivjetmi ka rijësitë e tij. Pogradeci me liqenin dhe mikpritjen e tij po synon këtë vit të konkurrojë bregdetin dhe veçanërisht atë të jugut të vendit. Këtë sezon veror, qyteti liqenor po përjeton një shtim të numrit të vizitorëve dhe turistëve qe zgjedhin Pogradecin dhe fshatrat turistikë pranë tij, si Tushemishtin apo Linin për të pushuar.

Slogani i këtij sezoni në Pogradec është “Vizito një ditë, rezervo një muaj”. Administratorët e hoteleve në Pogradec thonë se krahasuar me bregdetin e jugut qyteti i tyre ofron çmime më të lira dhe shërbim më cilësor.

Me lehtësimin e masave antikovid shumë shqiptarë kanë nisur pushimet që në muajin maj në stacionet e njohura turistike të Turqisë, si Antalia, Bodrum, por dhe në Greqi, Spanjë e vende të tjera.

Plazhet e Shqiperisë (Dosja Al)

Plazhet e Shqiperisë (Dosja Al)

Gushti mbetet muaji me fluksin më të madh të pushuesve verorë në Shqipëri. Gjeografia e turistëve të huaj këtë verë është zgjeruar pasi në plazhet e jugut është shënuar rritje e numrit të pushuesve nga Ukraina, Bjellorusia e Polonia, por dhe Maqedonia e Veriut, Serbia e Italia.

Eda Merepeza