Yu Lijuan në punë
Në Kunyu, një qytet i ri në skajin jugor të shkretëtirës Taklimakan të Kinës Veriperëndimore, Yu Lijuan nga Pekini është e vetmja mjeke pediatër. Ajo erdhi në jug të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit në kuadër të programit të “ndihmës në çift”, nëpërmjet të cilit i jepet mbështetje Xinjiang-ut nga krahina të tjera të vendit në fusha të ndryshme, si financiare, teknike, njerëzore, arsimore etj.
“Tani po shtohet numri i kopshteve të fëmijëve, të shkollave fillore dhe të mesme, gjë që shton edhe kërkesat për mjek pediatër,” tha Yu që punon në Spitalin Popullor të Kunyu-së, spitali i parë i qytetit që u përurua në vitin 2018 me 10.8 milionë dollarë amerikanë investime nga bashkia e Pekinit.
Pavarësisht kushteve të vështira në zonat afër shkretëtirës, Yu i ka kapërcyer vështirësitë dhe i është përkushtuar ndarjes së përvojës së vet me kolegët vendorë. “Qëllimi im është të krijohet një repart i pediatrisë që fëmijët të marrin më lehtë trajtim mjekësor,” i tha Yu agjencisë së lajmeve “Xinhua”.
Kina ka zbatuar programin e “ndihmës në çift” në Xinjiang që nga viti 1997. “Ndihma në çift” do të thotë se një ndërmarrje, ose departament shtetëror ose autoritetet e një province apo një qyteti ndihmon secili nga një zonë në Xinjiang. Në vitin 2010, kur nisi raundi i ri i veprimtarive në kuadër të këtij programi, morën pjesë qeveria qendrore, organet shtetërore, ndërmarrjet shtetërore të varura nga qendra dhe 19 provinca e qytete të mëdha të vendit.
Përmasa dhe vazhdimësia e këtij programi kanë pasqyruar pikërisht aftësinë e Kinës për zgjidhjen e problemeve nëpërmjet “përqendrimit të forcave”. Kjo është edhe një epërsi e sistemit socialist të Kinës, që ka ndihmuar vendin në kapërcimin e sfidave kryesore gjatë më shumë se shtatë dekadave të kaluara.
Të dhënat tregojnë se mbi 80 % e fondeve të ndihmës të dhëna në dhjetë vjetët e fundit janë përdorur në fusha që kanë të bëjnë me mirëqenien e banorëve, si kujdesi shëndetësor, arsimi dhe punësimi, për të plotësuar kërkesat më të ngutshme shoqërore.
Sadikhjan Tash, pronar i një punishteje të prodhimit të vajit ushqimor në kontenë Shufu të prefekturës Kashgar, ka përfituar drejtpërdrejt nga programi i ndihmës.
Në vitin 2019, me mbështetjen e autoriteteve vendore dhe të atyre të provincës Guangdong, ky 50-vjeçar hapi një punishte për prodhimin e mekanizuar të vajit. Të ardhurat e familjes së tij janë ngritur në mënyrë të dukshme. Vitin e kaluar, për të realizuar sa më parë objektivin e zhdukjes së varfërisë, kuadrot partiakë të dërguar nga provinca Guangdong listuan 18 banorë vendorë që kishin mundësi për zgjerimin e biznesit të tyre, duke bërë 5.4 milionë juanë (832 mijë dollarë amerikanë) investime të reja. Me ndihmën financiare dhe teknike, Sadikhjan Tash i shtoi kapacitetet prodhuese dhe hapi shumë shpejt punishten e dytë. Deri tani ai ka punësuar 48 banorë, 70 % prej të cilëve janë nga familje të varfra. “Tani ata të gjithë kanë dalë nga varfëria,” tha krenar Sadikhjan Tash për agjencinë e lajmeve “Xinhua”. Ndërkohë, investimet nga Guangdong-u kanë nxjerrë mbi 2 000 banorë nga vështirësitë ekonomike. Sipas të dhënave statistikore, në dy vjetët e fundit, ndërmarrjet në pronësi shtetërore kanë shtuar 265 miliardë juanë, dhe provincat e qytetet e tjera kanë caktuar mbi 50 miliardë juanë fonde për zhvillimin e Xinjiang-ut.
Deri në fund të vitit 2020, mbi tre milionë banorë në Xinjiang janë larguar nga kushtet e vështira ekonomike, duke i dhënë lamtumirën varfërisë absolute, prej së cilës ky rajon ka lënguar për mijëra vjet. Megjithatë, programi është ende në zhvillim e sipër për të realizuar begatinë relative të Xinjiang-ut së bashku me krahina të tjera të vendit. Për shembull, në gjashtëmujorin e parë të sivjetshëm, provinca Shandong zbatoi 132 projekte në zonën Kashgar; me ndihmën e provincës Jiangsu, numri i trenave që transportojnë mallra midis Kinës dhe Europës nëpërmjet portit të Xinjiang-ut Korgas i kaloi 3000, 79 ditë më herët se në vitin e kaluar; 18 zyrtarë nga qyteti Tianjin që kanë shkuar në zonën Hotan, po ndihmojnë banorët vendorë për shitjen e produkteve në internet, restaurimin e ndërtesave dhe rigjallërimin rural.
Përveç ndihmës për zhvillimin ekonomik, qeveria qendrore ka sjellë këtu edhe talente dhe njohuri. Në dhjetë vjetët e kaluar, nëpërmjet programit të “ndihmës në çift”, afro 17 mijë kuadro partiakë nga të katër anët e vendit kanë punuar në Xinjiang, duke përgatitur 145 mijë punonjës vendorë në sektorë të ndryshëm. Ndërkohë, edhe shumë talente të Xinjiang-ut kanë bërë vizitë në krahina të tjera të vendit për të marrë përvojë.
Në prillin e vitit të kaluar, kontingjenti i tetë i ndihmës në fushën arsimore dhe mjekësore nga qyteti Xiamen mbërriti në kontenë Jimsar të Xinjiang-ut. Pas përpjekjeve njëvjeçare, nxënësit vendorë bënë përparim të dukshëm: gati 70 % e gjimnazistëve të klasës ku dhanë mësim profesorët nga Xiamen-i u pranuan nga universitete të mira. Shkolla profesionale vendore fitoi çmimin e tretë në konkursin kombëtar për menaxhimin e zinxhirit të shërbimeve të automjeteve. Ndërkohë, mjekët e ndihmës kanë vizituar gati 3 000 pacientë dhe kanë bërë mbi 200 operacione. Ekspertët mjekësorë krijuan edhe një bazë trajnimi klinik për sëmundjet e rënda, duke organizuar mbi 11 kurse për t’u mësuar kolegëve vendorë njohuri të përparuara profesionale.(Zhang Yan/Artan)(Foto:Xinhua)