Mercedes Gega
Mercedes Gega ka lindur më 27 shtator 1980 në fshatin Dërmënas të Fierit. Ajo ka përfunduar studimet e larta dhe Masterin profesional në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, në degën “Gjuhë dhe letërsi shqipe”, profili mësuesi. Prej vitesh shkruan poezi dhe ka botuar tre vëllime ndër vite “Një copëz jetë”, botuar nga “GlobusR” në vitin 2007; “Fjalët e pathëna”, botuar nga “Morava” në vitin 2011 dhe "Vjeshta është shtëpia ime", një botim i "OMBRA GVG" i vitit 2020.
CMG: Mercedes sa e vështirë është të zbuloni vetveten?
Mercedes Gega: Ne mundohemi të shohim veten gjithnjë në pasqyrë. Por a është ky një pasqyrim real? Sipas psikologëve njeriu ka në vetvete 5 vetë të ndryshëm. Njeriu që jemi, që mendojmë se jemi, njeriu që të tjerët mendojnë se jemi, njeriu që duam të bëhemi dhe njeriu që të tjerët mendojnë se duam të bëhemi. Mendoj se njeriu më i palumtur në botë është ai që ëndërron të mos jetë ai që është. Ne duhet ta pranojmë veten qoftë edhe me kufizimet që kemi. Njohja e vetes është akti më i bukur, por ky akt do kohë që të përsoset. Ndërmjet atyre 5 cilësimeve që thashë unë shoh tek vetja “Njeriun që jam”. Një vajzë jo e përkryer, por e dua këtë kontekst. Shoh një vajzë që është vrarë disa here, por këto nuk i ka përdorur si justifikime. Familja, letërsia dhe shoqëria janë bërthama ime e jetës.
CMG: Sa vite keni që shkruani?
Mercedes Gega: Kam qenë 10 vjeç kur kam shkruar vjershën e parë. Dua të ndaj me ju një histori kur kam qenë ende fëmijë. Kishim për të shkruar një ese për nënën në orën e mësimit. Mësuesja tek vështronte gjithë klasën se si i lëviznin lapsat dhe shkruanin e ndal hapin tek unë.
Afrohet dhe lehtë më tërheq fletën. Lë orën e mësimit e të gjithë krijuam një habi se pse mësuesja doli nga klasa. Ajo kthehet në klasë me nëndrejtorin dhe të dy vijnë afër meje, që nuk po kuptoja kurrgjë.
Ndërkohë të dy thonë: “Të lumtë, ti ke talent”! Kjo më ngrohu dhe më dha kurajo dhe kështu vijoji…
CMG: Njerëzit që të mbështesin?
Mercedes Gega: Ma do zemra t’i përmend ata njerëz. Dy prindërit e mi dhe tre motrat e jashtëzakonshme. Kanë qenë dhe vijojnë të jenë udhëtarë bashkë me mua. Asnjë dashuri nuk është më e madhe se e nënës dhe askush nuk do të kujdeset për ty aq sa babai yt! Pastaj motrat, ato janë aleate, shoqëruese në netë të gjata, mësuese, avokate , agjente personale madje dhe psikologe e juaja. Kështu që unë jam me fat!
Albana, Esmeralda, Anisa faleminderit që jeni motrat e mija.
Poezi nga Mercedes Gega botuar në median shqiptare (Facebook)
CMG: Mercedesi përballe sfidave?
Mercedes Gega: Kur zgjohem në mëngjes arrij të kuptoj se sa bukur është të jesh sërish gjallë! Marr frymë thellë dhe nis të shkruaj e ta jetoj jetën siç unë dua. Dihet se lumturia varet nga cilësia e mendimeve, përpiqem të mbaj pozitivitetin pranë dhe gjithmonë kujtoj “Një perlë nuk mund të ilustrohet pa fërkime”. Unë kam kuptuar që bota kthehet mënjanë kur kalon një njeri, që e di ku po shkon. Përpiqem që asnjë ditë të mos kalojë pa dashuruar… A ka më sfida pas kësaj?! Të gjitha kalohen…
CMG: Do të donim të njihnim në muzën e frymëzimit në shkrimet tuaja?
Mercedes Gega: Shkrimtari është pasqyrë e epokës që jeton! Ne e shpirtëzojmë botën, në çdo kontekst. Duke qenë se poeti është pjesë e pandarë e botës, temat ndonjëherë janë sa gjithëpërfshirëse, aq edhe personale. Ti nuk mund të shkruash për ato tema që nuk i quan të vërteta. Poeti apo shkrimtari është një qenie sa sociale, aq dhe politike. Natyrisht që realiteti që jetoj nuk më lë të mos përfshihem.
CMG: Pse keni vendosur të jetoni larg Shqipërisë.
Mercedes Gega: Unë në jetë jam përpjekur të jap më të mirën me idenë që të njëjtën do të marr nga jeta. Kurrë nuk kam drejtuar gishtin drejt dikujt që është i ndryshëm nga unë. Unë vijoj të rritem, duke dashur të njoh botën. Sot bota ka një zhvillim industrial me shtete si lagje.
Unë jam shqiptare pavarësisht ku jam sot, apo ku do të ndodhem nesër.
Shqipëria nuk duhet më shumë apo më pak sado afër të jetosh me të, por duke mos e mohuar atë. Ne jemi ambasadorë të përditshëm për Shqipërinë.
Vjeshta është shtëpia ime (Mercedes Gega) (Facebook)
CMG: Si vjen folja “Reflektoj” tek ju ?
Mercedes Gega: Unë reflektoj dhe e kam të domosdoshme. Jam analizuese dhe më lind si nevojë për të gjetur motivin e nevojshëm.
Reflektimi shërben si strategji personale vlerësimi. Kur nuk arrin një qëllim , ndalemi dhe marrim pak kohë për të menduar. Sapo më sqarohen mendimet unë kuptoj se cilat mund të bëj ndryshe. Unë preferoj t’i jap përgjigje pyetjeve nëpërmjet reflektimit.
CMG: Ku e gjeni motivin e ditës?
Mercedes Gega: Motivimi në shumë njerëz vjen nga nevoja dhe stimuj të tjerë. Por, nuk mbaron këtu sepse ajo që kemi nevojë më shumë se kaq lind dhe përkushtimi. Të kesh përkushtim do të thotë që ju jeni të gatshëm të bëni sakrifica. Kur ishim të vegjël mjaftonte një monedhë në xhep për të qenë i lumtur. Një nxënës nga nota e mirë. Një punonjës nga rroga e mirë . Do të thoja që familja, puna dhe të shkruarit më motivojnë kryesisht mua. Në çdo moment mendoni, duhet të ecim përpara pavarësisht se sa e vështirë mund të duket.
Intervistoi: Megi Latifi