Dy studiues të Universitetit Cornell të ShBA-së kanë vënë re kohët e fundit se në dy dekadat e kaluara, Partia Komuniste e Kinës ka krijuar lidhje me mbi 400 parti politike të më shumë se 160 vendeve, duke treguar forcën tërheqëse të PKK-së ndaj partive të tjera.

Thomas Pepinski dhe Jessica Chen Weiss, dy ekspertë të qeverisjes, vunë në dukje në një artikull të përbashkët të publikuar në korrik në “Foreign Affairs”, një revistë e njohur amerikane mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, se disa parti në pushtet po konsultohen me PKK-në mbi çështjet qeverisëse.

Një ndër sukseset për të cilat PKK-ja ka ngjallur më shumë vëmendje në botë është mbështetja e pashoqe e saj nga populli kinez. Sipas një sondazhi të kryer në korrikun e kaluar nga Universiteti i Harvardit, 93.1% e banorëve kinezë janë të kënaqur për qeverinë e tyre qendrore.

Pra, çfarë gjërash të drejta ka bërë PKK-ja që është kthyer në një zgjedhje të palëkundshme të popullit kinez?

Populli në qendër

Dy vjet më parë në Romë, gjatë takimit me presidentin kinez Xi Jinping, Roberto Fico, kryetari i Dhomës së Deputetëve, dhomës së ulët të parlamentit italian, shtroi një pyetje: “Si u ndiet pasi mësuat se u zgjodhët president i Kinës?”

“Qeverisja e një vendi kaq të madh kërkon një ndjenjë të fuqishme përgjegjësie dhe punë të madhe. Për të mirën e popullit tim, do ta lë mënjanë mirëqenien time. Do të punoj me vetëmohim dhe do t’i përkushtohem zhvillimit të Kinës”, u përgjigj presidenti, njëkohësisht sekretari i përgjithshëm i Komitetit Qendror të PKK-së.

“Partia ka përfaqësuar gjithmonë interesat thelbësore të të gjithë popullit kinez. Ajo rri së bashku me popullin edhe në kohë të vështira dhe ndan fate të përbashkëta me ta. Partia nuk ka asnjë interes të veçantë të sajin. Ajo nuk ka përfaqësuar kurrë ndonjë grup interesi apo ndonjë shtresë të privilegjuar”, deklaroi presidenti Xi në fjalimin e mbajtur në ceremoninë madhështore kremtuese për 100-vjetorin e themelimit të Partisë që u organizua më 1 korrik në sheshin “Tiananmen”.

“Duke i hedhur një vështrim historisë 100-vjeçare të PKK-së, qëndrimi i përhershëm me popullin është sekreti i arritjeve të mëdha të saj”, tha ish-kryeministri japonez Yukio Hatoyama.

“Kina ka vuajtur shumë prej fatkeqësive dhe hidhërimeve, si agresioni nga Japonia etj. Por PKK-ja gjithmonë ka punuar bashkë me popullin për të kapërcyer vështirësitë”, shtoi ai.

Fatkeqësia e fundit që goditi Kinën ishte në vitin 2020, kur shpërtheu epidemia e COVID-19, që mori jetë dhe pezulloi ekonomi.

Shërbimi ndaj popullit me gjithë zemër është qëllimi përfundimtar i PKK-së, një parti që është krenare që buron nga populli dhe ka rrënjë të thella në popull.

Ishte edhe filozofia e vënies së popullit në qendër që i mundësoi forcës udhëheqëse kineze të vinte në jetë “ndoshta përpjekjen më ambicioze, më të shkathët dhe më agresive të kontrollit të sëmundjes në histori” të vlerësuar nga OBSh-ja, duke mundësuar që Kina të jetë vendi i parë që vuri nën kontroll epideminë.

“Jemi të gatshëm të bëjmë çmos për të shpëtuar jetën e banorëve. Pavarësisht moshës dhe seriozitetit të situatës të pacientëve, nuk do të heqim dorë”, tha Xi.

Vetëm në provincën Hubei, ku u raportuan rastet e para të COVID-19, mbi 3600 të infektuar mbi 80-vjeçarë janë shpëtuar.

Zhvillim i orientuar

“Megjithëse përcaktimi i misionit themelues të Partisë sonë është i lehtë, qëndrimi besnik ndaj misionit fillestar është një detyrë e vështirë”, tha Xi në ceremoninë kremtuese të 100-vjetorit të PKK-së.

Në majin e vitit 2019, PKK-ja filloi një lëvizje me të gjithë anëtarët e vet me temë “Qëndrim besnik ndaj idealit origjinal dhe misionit themelues”, që janë kërkimi i lumturisë së gjithë popullit dhe rilindja e kombit kinez.

E zotuar për të shtuar mirëqenien e popullit, PKK-ja ka arritur zhvillimin e jashtëzakonshëm të ekonomisë kombëtare brenda një kohe të shkurtër, ka thënë Fabien Roussel, sekretar kombëtar i Partisë Komuniste Franceze.

Nga viti 1978 deri në vitin 2020, PBB-ja e Kinës u rrit nga 56.67 miliardë në 15.7 trilionë dollarë amerikanë. Kina u shndërrua nga një vend me nivel të ulët të të ardhurave në një vend me të ardhura të mesme.

Zhvillimi i shpejtë ekonomik e ka nxjerrë shumicën e banorëve nga varfëria. Por PKK-ja nuk u kënaq. Ajo u zotua të eliminonte varfërinë absolute dhe të ndërtonte një shoqëri relativisht të begatë në të gjitha aspektet.

“Është një shoqëri që duhet të gëzohet nga çdo pjesëtar. Gjatë marshimit drejt përparimit të përbashkët, askush nuk duhet të lihet prapa”, theksoi Xi.

Që nga viti 2012, udhëheqësit kinezë filluan ta trajtojnë zbutjen e varfërisë si detyrë prioritare, duke zbatuar shumë politika dhe masa të reja.

Tetë vjet më vonë, në vitin 2020, numri i banorëve kinezë që jetonin nën nivelin e varfërisë absolute u ul nga 100 milionë në zero.

Suksesi i Kinës në zhdukjen e varfërisë është një mrekulli, ka komentuar Khuon Sodary, nënkryetare e Asamblesë Kombëtare të Kamboxhias dhe anëtare e komitetit të përhershëm të Partisë së Popullit të Kamboxhias. “Ky sukses ka pasqyruar qartazi qëllimin parësor të PKK-së, që është shtimi i mirëqenies dhe përmirësimi i jetesës së banorëve”, shtoi ajo.

Vetëreformim

“Lulëzimi mund të vijë po aq shpejt sa edhe rënia”. Kështu tha në vitin 1945 dijetari Huang Yanpei, gjatë vizitës së tij te Mao Ce Duni në Yanan, bazë revolucionare e PKK-së.

“A ka ndonjë njeri, familje, komunitet, zonë, madje edhe vend, që mund t’i shpëtojë këtij cikli”, pyeti Huang.

Kjo bisedë është cituar shumë herë nga Xi Jinping-u si një paralajmërim për rreziqet e ndërlikuara dhe afatgjata ndaj qeverisjes së PKK-së.

Për të, një arsye e zakonshme që shkakton dobësimin e forcës politike të një partie është erozioni i brendshëm, sidomos korrupsioni.

Ai spikati “vetëreformimin” ose “kthimin e tehut ndaj vetes dhe heqjen e helmit nga kockat” si metoda parësore për të prishur këtë cikël historik dhe për të ruajtur shëndetin dhe gjallërinë e partisë.

“Jam i bindur se ai që mund të na mposhtë jemi ne vetë, askush tjetër”, tha Xi në një seminar të zhvilluar në Shkollën Partiake të Komitetit Qendror të Partisë në janarin e vitit 2018 me pjesëmarrjen e kuadrove të lartë partiakë.

Prandaj, dënimi i kuadrove të Partisë që shkelin ligjet dhe rregullat disiplinore, sidomos atyre që humbin besnikërinë, marrin ryshfet, kalojnë një jetë luksoze ose janë autokratë, është bërë një detyrën me përparësi e këtij brezi udhëheqës.

Që nga viti 2012, PKK-ja ka marrë masa gjithëpërfshirëse me tolerancë zero për të luftuar korrupsionin.

Të dhënat tregojnë se në tetë vjetët e fundit, organet partiake të mbikëqyrjes së disiplinës kanë trajtuar mbi 3.8 milionë raste, duke hetuar mbi 4 milionë kuadro dhe duke dënuar sipas disiplinës partiake mbi 3.74 milionë veta.(Zhang Yan/Artan)