Ariol Greca
Hoteleria është një nga sektorët më të bukur në të gjithë botën. Ariol Greca është i riu nga Shqipëria i cili prej vitesh punon në sektorin e hotelerisë.
E ka nisur punën e tij të parë si kamarier i thjeshtë, madje këtë eksperiencë e mban si modelin e tij të suksesit. Pas shumë vitesh ai udhëtoi për në Katar e më pas dedikohet për të punuar në kroçerë, ku edhe qëndroi afro 5 vite.
Arioli ndër të tjera ka nisur një bashkëpunim edhe në Angli nga ku ju deshën disa vite për t’u dedikuar dhe për të punuar. Sot, e gjejmë të japë leksione këtu në Shqipëri në profesionin e bukur të mësimdhënies mbi fushën e hoteleri-turizmit.
CMG: Ariol si lindi pasioni për të menaxhuar?
Ariol Greca : Në fillim kur e nisa atë profesion, nuk e nisa se e kisha pasion. Nuk e kisha në atë kohë pasion. Eshtë e kotë të gënjej veten. Ishte një punë për disa të ardhura më shumë në xhep. Por me kalimin e viteve unë përfundova edhe Juridikiun, një ëndërr e mamasë sime.
Ariol Greca
Pas një eksperience pune që pata në Lindjen e Mesme, aty nisa të kuptoj që hoteleria nuk ishte thjesht ofrimi i një pjate, gote, servisi apo diçka tjetër, por ishte shumë herë më shumë se kaq, sepse kishte dhe ka protokollet dhe standardet e veta. Pra, kur nisa të punoj në Lindjen e Mesme nisa ta dua si profesion.
CMG: Si ka qenë eksperinca juaj në Lindjen e Mesme?
Ariol Greca: Histori e bukur! Në 2009 kur unë kam aplikuar për të shkruar ishin gati 4700 veta. Në ato vite isha për kamarier dhe në intervistë kam ngecur, por mora një pushim dhe më pas u ktheva sërish në intervistë. E fitova atë dhe vendosa menjëherë të shkoj.
Nga dëshira e madhe që unë kam pasur për punë shkoja njëkohësisht edhe në trajnime të tjera. Filozofia e punës së tyre ishte prova dhe trajnimi. Duke hasur të gjitha këto, mbledhjet, raportimet, motivimi për t’u rritur në detyrë, kanë qenë për mua shkëndijat e para. Më pas u ktheva në Shqipëri për të punuar në disa hotele apo restorante.
CMG: Një pyetje e shkurtër: “Çfarë të lidh shumë me Shqipërinë që u ktheve?
Ariol Greca: Unë jam kthyer tre herë në vendin tim. Nuk e di për të tjerët, por unë eci me sfida në jetën time. Nuk mund të qëndroj gjithmonë në të njëjtin nivel. Ndaj unë vij në Shqipëri jap kontributin që kam mësuar jashtë dhe iki sërish për të mësuar.
Ariol Greca
CMG: Eksperienca juaj në kroçerë. Si ka qenë ajo?
Ariol Greca: Çdo vend ka standardet e veta dhe pjesa e kroçeres ka qenë eksperiencë totalisht ndryshe. E urrej fjalën kamarier, sepse në fakt është shërbim. Unë aty shkova si ndihmës kamarier që më ktheu pas në vitet e para të punës. Por, doja të përdorja një shprehje “Harkun sa më shumë ta tërheqësh, aq më shumë do të shkojë”. Unë u tërhoqa pas, por u mësova me një tjetër punë dhe eksperiencë. Dy muajt e parë kam qenë shumë i lodhur dhe thoja :” A do ja dal dot”?
CMG: A mund të shkojmë një ditë në rutinën tuaj? Si nis dhe mbyllet dita ?
Ariol Greca: Me fjalë është shumë e thjeshtë sepse zgjohesh në orën 6.00 dhe konsumon dy kafe pa sheqer dhe para se të kontrollosh veten do kontrollosh gjithë të tjerat, stafin apo punët e brendshme. Asnjë ditë në këtë profesion nuk është njësoj dhe çdo ditë duhet të jesh vërtet gati.
CMG: Eksperienca juaj në Angli. Sa mirëpritëse ishte klima për të punuar?
Ariol Greca: Anglia nuk është vendi më i mirë për të punuar, sepse të mbyt klima. Kjo ishte një ndër arsyet që u ktheva. Në Angli unë e kam nisur nga zero dhe eksperimentova një ide për një rrjet restorantesh, që edhe tani që po flasim është funksional. Ka qenë e vështirë sepse njëkohësisht kryeja edhe shkollën, por ja kam dalë.
CMG: Si i keni bërë ballë rrëzimeve?
Ariol Greca: S’ka asgjë të pamundur, thjesht besoni në vete dhe aftësi!
Ariol Greca
Po e thotë një njeri, që nuk e ka nisur nga zero, por me “minus”.
Dua të ndaj një eksperiencë gjatë një trajnimi në Barcelonë, mbi energjitë dhe si funksionojnë ato. Ne njerëzit jemi një fushë magnetike, që përthithim energjitë që mendojmë. Nuk jetohet vetëm një ditë, por çdo ditë kështu që lërini gjerat të shkojnë dhe besoni se do arrini më të mirën!
CMG: Në punën tuaj të parë çfarë keni mësuar?
Ariol Greca: Puna ime e parë ka qenë ndërtimi. 13-vjeç pastroja dërrasat dhe pasi çmontoheshin hiqja gozhdët. Me verën e parë që kam punuar bleva dhomë gjumi dhe me rrogën e dytë bleva kompjuter.
Mbaj mend më pas, pas disa vitesh më ra në duar një gazetë, e cila kishte të shkruar një vend të lirë pune. Vrapova menjëherë pasi kërkohej një kamarier.
E bukura e së gjithës është se unë nuk kisha punuar kurrë si kamarier deri në ato momente, por drejtuesve ua shita veten me eksperiencë vetëm e vetëm që të më merrnin. Pas intervistës ata më morën dhe këtu nis gjithçka!
CMG: Të shkosh jashtë dhe të vish në Shqipëri, çfarë dallon menjëherë?
Ariol Greca: Të shkosh jashtë nuk të thotë askush je “klient” por, ti për ata je “i ftuar”. Kështu që, le të nisim nga pak ndryshimin për të zhdukur paragjykimet.